2016-01-28 14:25:00

Papa Françesku; embrioni nuk është mall, të dëgjohet zëri i më të brishtëve


Të respektohen qeniet e gjalla e sidomos më të brishtët, shkenca të mos abuzojë kurrë me njeriun. Kjo është nxitja e Papës në audiencë me Komitetin kombëtar italian për bioetikën. Në mënyrë të veçantë, Papa Bergoglio ripohoi se embrionet njerëzore nuk duhet të trajtohen kurrë si hedhurinë. Akoma, shtoi Papa, zbatimet e bioteknologjisë nuk duhet të priren nga qëllimet tregtare.

T’i shërbejmë njeriut gjithmonë, pa e përdorur si mjet. Papa Françesku përfitoi nga rasti i audiencës së sotme me Komitetin italian  për bioetikën, për të nënvizuar përpjekjet që bën Kisha për promovimin e “kërkimit të së vërtetës dhe të së mirës në fushën e ndërlikuar të çështjeve njerëzore dhe etike”.

Prandaj, tha Papa, siç dihet nga të gjithë “Kisha është shumë e ndjeshme ndaj tematikave etike”, por ndoshta “jo për të gjithë është po aq e qartë se Kisha nuk kërkon asnjë hapësirë të privilegjuar në këtë fushë”. Nga këtu thirrja e fuqishme e Papës për mbrojtjen e njerëzve më të brishtë:

“Në thelb, është fjala për t’i shërbyer njeriut, njeriut në tërësi, të gjithë burrave e grave, me një vëmendje e kujdes të veçantë për ata që janë më të dobët e me të meta, që mezi arrijnë ta ngrenë zërin apo që nuk munden akoma, ose ndoshta nuk munden më të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre. Në këtë fushë komuniteti kishtar dhe ai civil përkojnë e janë të thirrur të bashkëpunojnë, sipas kompetencave të veçanta e të ndryshme të çdonjërit".

Kështu, Papa vuri në pah se Komiteti “mëse një herë ka treguar respekt për integritetin e njeriut dhe për mbrojtjen e shëndetit, që nga zënia e deri në vdekjen e natyrshme të njeriut, duke e konsideruar personin në veçorinë e vet, përherë si qëllim në vetvete e kurrë si mjet i thjeshtë”:

“Parimi i tillë etik është themel edhe për sa u përket zbatimeve të bioteknologjisë në fushën e mjekësisë, të cilat nuk mund të përdoren kurrë në dëm të dinjitetit njerëzor e, aq më pak, nuk duhet t’i prijnë mjekësisë vetëm e vetëm për qëllime industriale e tregtare”.

Bioetika, tha Papa, “ka lindur për të konfrontuar, përmes një këndvështrimi kritik, arsyet dhe kushtet e kërkuara nga dinjiteti i njeriut me zhvillimin e shkencave e të teknologjive biologjike e mjekësore”, të cilat, me “ritmin e tyre të përshpejtuar, rrezikojnë të humbin çdo pikë referimi, që nuk sjell rezultate të mira e përfitime”. Papa nuk e la pa nënvizuar edhe impenjimin “në kërkimin e së vërtetës etike”, në “një kontekst, që karakterizohet nga relativizmi e nga mosbesimi në aftësinë e arsyes njerëzore”:

“Ju jeni të vetëdijshëm se shqyrtimi i problemeve të tilla të ndërlikuara bioetike nuk është i lehtë, e jo gjithmonë, arrihet shpejt në një përfundim të harmonishëm; sepse një punë e tillë kërkon përherë përvuajtëri e realizëm, e nuk ka frikë nga ballafaqimi mes qëndrimeve të ndryshme; e së fundi, e dini mirë se dëshmia për të vërtetën, kontribuon në pjekurinë e ndërgjegjes civile”.

Duke reflektuar mbi punën e Komitetit bioetik, Papa Françesku kërkoi që të trajtohen edhe “shkaqet e degradimit të ambientit”. Uroj, tha Papa, “që Komiteti të mund të formulojë linjat udhëheqëse në fushën e shkencave biologjike, për të nxitur ndërhyrjet për ruajtjen, mbrojtjen dhe kujdesin e ambientit” si dhe “për mbrojtjen e breznive të ardhshme”.

Papa Bergoglio, në vazhdim, vuri theksin mbi temën e invaliditetit e “të mënjanimit të njerëzve më të brishtë, në një shoqëri që priret drejt konkurrencës, përshpejtimit të progresit”:

“Sfida është ajo e kundërshtimit të kulturës së hedhurinës, e cila shprehet në mënyra të ndryshme, ndër të cilat është edhe trajtimi i embrioneve të njeriut si hedhurinë, e kështu, edhe trajtimi i njerëzve të sëmurë dhe i të moshuarve që i afrohen vdekjes”.

Së fundi, Papa bëri thirrje për një “përpjekje përherë e më të madhe drejt ballafaqimit ndërkombëtar, për të arritur në një “harmonizim” të mundshëm të “rregullave të aktivitetit biologjik e mjekësor, rregulla që dinë t’i njohin vlerat dhe të drejtat themelore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.