2016-01-28 11:04:00

Me 28 janar, kalendari kujton Shën Tomën e Akuinit


Sot me 28 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Tomën e Akuinit. Domenikani i madh lindi në Rokaseka të Frozinones, rreth vitit 1225 e vdiq në Fosanova, Latina, më 7 mars 1274.

Rregulltar i shën Dedës, i edukuar në manastirin e Montekasinos e në shkollat më të njohura të kohës, Toma i Akuinit dha mësim në Paris, Orvieto, Romë Viterbo e Napoli, duke krijuar një metodë moderne të mësimdhënies, që shënoi një kthesë të vërtetë në arsimin e kohës. Shkroi shumë e posaçërisht kryeveprën ‘Summa Theologiæ’, sistemim gjenial i gjithë doktrinës filozofike e teologjike të mbledhur nga tradita kishtare. Ushtroi ndikim të madh mbi mendimin filozofik e teologjik të kohës e mbi kërkimet shkencore në shekujt që do të vinin”.

Kështu paraqitet Shenjti i madh, Toma i Aukinit, në Mesharin Romak. Në Martiriologun Romak për të shkruhet: “Përkujtojmë sot Shën Tomën e Akvinit, meshtar i Urdhrit të Predikatarëve e dijetar i Kishës që, i pajisur me zgjuarsi të jashtëzakonshme, ua transmetoi të tjerëve me fjalime e shkrime, dijen e tij të pashembullt.

I ftuar nga Papa Gregori X për të marrë pjesë në Koncilin Ekumenik të Lionit, Toma i Akuinit vdiq më 7 mars 1274 gjatë udhëtimit, në manastirin Fosanova të Lacios e pas shumë vjetësh, trupi i tij qe mbartur në Tuluzë. Përkujtohet më 28 janar”.

Toma i Akuinit, që i ri, u shqua për shpjegimin e filozofisë aristotelike. Kompleksi universal i njohurive të tij, një herë i panjohur e më pas i zbuluar, u pranua me entuziazëm e pa kritikë nga disa, por edhe u kundërshtua fuqimisht nga të tjerë, që druheshin se ishte në kundërshtim me fenë katolike.

Toma i Akuinit, sipas shkollës së Albertit të Madh, kreu një veprimtari me rëndësi themelore për historinë e filozofisë e të teologjisë, madje mund të themi edhe për historinë e kulturës: studioi me fund Aristotelin dhe komentuesit e tij (…) duke dalluar ç’ishte me vlerë, nga ajo që ishte e dyshimtë, ose për t’u refuzuar plotësisht, duke treguar përkimet me të dhënat e Zbulesës së krishterë e duke përdorur gjërësisht e thellësisht mendimin aristotelik në shkrimet e tij teologjike. Si përfundim, Toma i Akuinit tregoi se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ekziston një harmoni e natyrshme.

Kur Papa Gjoni XXII në vitin 1323 e shkroi emrin e Tomës së Akvinit në Librin e Shenjtorëve, atyre që vërejtën se nuk kishte bërë ndonjë mrekulli të madhe, Papa i mirë iu përgjigj me frazën e famshme. “Sa fraza teologjike shkroi, aq mrekulli bëri”.

E ky është vlerësimi më i madh që mund t’i bëhej teologut të shquar, i cili me veprën e tij madhore ‘Summa Theologiæ’ - “Përmbledhje e teologjisë’, vuri sistematikisht bazat shkencore, filozofike e teologjike të doktrinës së krishterë.

Në vitin 2007, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të festës liturgjike të Tomës së Akuinit, Papa Benedikti XVI e paraqiti Shenjtin si model i harmonisë ndërmjet arsyes e fesë, me vlerë për të gjitha kohët. E kjo sepse na mëson të vërejmë se njeriu varfërohet, kur mendon vetëm për sendet materiale, që mund të provohen, duke hequr dorë nga pyetjet e mëdha mbi jetën, mbi vetveten e mbi Zotin.

Në të vërtetë, zhvillimi modern i shkencave ka shumë pasoja pozitive, që duhen pranuar gjithnjë. Por njëkohësisht duhet pranuar edhe se prirja për të konsideruar të vërtetë vetëm atë që provohet, përbën një kufizim të arsyes njerëzore e prodhon skizofreninë e tmerrshme, tashmë të njohur, për të cilën bashkëjetojnë racionalizmi e materializmi, hiperteknologjia dhe instinktet e shfrenuara.

Në qoftë se feja e krishterë është e vërtetë - shpjegoi Benedikti XVI - nuk e dënon lirinë dhe arsyen njerëzore, e cila nuk humbet asgjë në se bën të vetat mësimet e fesë. Feja e supozon dhe e përkryen arsyen, ndërsa arsyeja, e ndriçuar nga feja, gjen forcë të lartohet në njohjen e Zotit dhe të realiteteve shpirtërore.

Në fund të kësaj përmbledhjeje të shkurtër të një jete të begatë, tepër të vështirë për t’u përshkruar, po vendosim himnin e mrekullueshëm eukaristik, në të cilin Toma shkriu gjithë dashurinë e besimin që kishte në misterin e Eukaristisë:“Pange lingua”
(Teksti latin)
Pange língua gloriósi
Córporis mystérium,
Sanguinísque pretiósi,
Quem in mundi prétium
fructus ventris generósi
Rex effúdit géntium.

Nobis datus, nobis natus
ex intácta Vírgine,
et in mundo conversátus,
sparso verbi sémine,
sui moras incolátus
miro cláusit órdine.

In suprémae nocte cenae
recúmbens cum frátribus,
observáta lege plene
cibis in legálibus,
cibum turbae duodénae
se dat suis mánibus.

Verbum caro panem verum
verbo carnem éfficit:
fitque sanguis Christi merum.
Et si sensus déficit,
ad firmándum cor sincérum
sola fides súfficit.

Tantum ergo Sacraméntum
venerémur cérnui:
et antícuum documéntum
novo cedat rítui:
praestet fides suppleméntum
sénsuum deféctui.

Genitóri, Genitóque
laus et jubilátio,
salus, hónor, virtus quoque
sit et benedíctio:
procedénti ad utróque
cómpar sit laudátio.

Amen.

Teksti në gjuhën shqipe, përkthyer nga Atë Gjergj Fishta:
 
Pange lingua

 1 Korpit t’Krishtit të lumnueshem
thueja , gjuhë, lavdet me nderë,
Si dhe gjakut të paçmueshem,
Qi n’perdlim t’ktij sheklli t’mjerë
- Fryti i barkut të shêjtnueshem -
Rregji i nierzve derdhi ‘i herë.
2 Lé per né edhe dergue
Prej nji Virgjine s’kullueme,
Si n’ket shekull pat jetue
Edhe msimet dha t’amshueme,
Shtekun jetës i a ka mbarue
Në një mnyrë krejt t’mrekullueme.
3 N’t’mbramen darkë t’asajë natës s’ndershme
Ulë me vllazen m’tryezë me ngranun,
Tuj i u shtrue krejt ligjes s’hershme,
Qi per hae dikúr kje dhanun,
Dymbdhetë vllazensh çetës së vlershme
Ushqim vehten desht me u dhanun.
4 Fjala mish në mish të gjallë
Me fjalë t’vet buken e shndrron
N’gjak t’vet venen shndrron per mallë,
E se shisja s’e kupton,
N’ zemer besen per m’ia njallë
T’mirit feja e bardhë mjafton.
5 Sakramend, prá, kaq t’madhnuem
Le t’a adhrojmë me ftyrë per dhé,
Edhe dokja e motit të shkuem
T’i a lëshojë rendin sjelles së ré:
N’shka s’ mbrrinë mendja me kuptuem,
Ndihmë t’na bâhet shêjtja Fé.
6 Ati e Biri sod e p’rhera
Bekue kjoshin n’brohorí,
Lavdi u kjoftë edhè u kjoftë ndera
Të tanë jetë e t’tanë fuqí;
Shpirtit, rrjedhë dý vehtjesh tjera,
M’nja i kjoftë lavdi me lumní.
Ashtu kjoftë!
 








All the contents on this site are copyrighted ©.