2016-01-27 13:51:00

10 biçikleta elektrike për Françeskun. Fiati papnor, në ankand


Papës Françesku iu dhuruan sot 10 biçikleta elektrike nga një ndërmarrje “green” toskane, në Itali. Prej kohësh, drejtuesit e Nwg të Pratos, siç quhet ndërmarrja që punon prej kohësh në fushën e energjive të rinovueshme, vendosën t’i bënin këtë dhuratë Atit të Shenjtë, në shenjë mirënjohjeje për enciklikën e tij “të gjelbërt” “Lëvduar qofsh”.

         Themeluesit e Nwg-së shpjeguan në një konferencë për shtyp në Vatikan se enciklika është pritur me gëzim të madh e është burim frymëzimi për personelin, bashkëpunëtorët dhe agjentët tregtarë. Në vitin 2012, po kjo ndërmarrje i pati dhuruar Papës Ratzinger një makinë të vogël elektrike, që edhe sot përdoret nga personeli i Sallës së Shtypit të Vatikanit. Edhe njëra nga biçikletat, që iu dhuruan Atit të Shenjtë, është e destinuar të përdoret nga ky personel.

Të tjerat nuk dihet se ku do të përfundojnë, por njihet prirja e Papës Françesku për t’i përdorur gjërat, që i dhurojnë, për bamirësi. Ky do të jetë, për shembull, fati i njërës prej makinave Fiat 500, përdorur nga Ati i Shenjtë gjatë udhëtimit në SHBA-të. Ajo do të shitet në ankand më 29 janar, me rastin e ekspozitës së makinave në Filadelfia. Çmimi fillestar i automobilit, ndërtuar enkas për Papën, është 30 mijë dollarë, por natyrisht, nuk dihet se ku do të mbërrijë oferta përfundimtare. Gjithsesi, shuma do të shkojë për bamirësi.








All the contents on this site are copyrighted ©.