2016-01-26 11:19:00

Papa të martën e ardhshme mbyll Vitin e Jetës së Kushtuar, Jubileun e rregulltarëve e rregulltarëve.


Të martën e ardhshme, në Festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, në ora 17,30 në bazilikën e shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku do të kremtojë Meshën në Ditën XX Botërore të Jetës së Kushtuar, me rastin e Jubileut të Jetës së kushtuar dhe me rastin e mbylljes së Vitit të jetës Rregulltare.

Në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull, më 2 shkurt, kremtojmë një mister të jetës së Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Moisiut që parashikonte që prindërit, 40 ditë pas lindjes të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të ofruar djalin e tyre Zotit e për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8). Në këtë solemnitet, Kisha na fton të ndalemi te thelbi i kësaj të kremte e vënë në pah porosinë për të gjithë ne që është takimi me Hyjin. Për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet të dimë të kuptojmë e pranojmë dëftimin e Hyjit në të Njëlindurin Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Të rizbulohet rëndësia dhe bukuria e thirrjes për jetë rregulltare, duke shmangur rrezikun e mediokritetit e të borgjezimit. Këtë u kërkon Kisha rregulltarëve dhe rregulltarëve. Rregulltarët duhet të kenë një zemër, e cila digjet nga dashuria për Krishtin, sepse vetëm kështu mund ta shmangin rrezikun që zelli misionar të borgjezohet e afshi i dikurshëm të bjerë në mediokritet. Duhet ta kenë edhe mendjen të pastër, ashtu si trupin, sepse virgjëria e kohëve moderne kërkon, duke nisur që nga mënyra e veshjes, të jenë larg çdo tundimi për t’u dukur e të ecin edhe në këtë drejtim, në gjurmët e Krishtit të varfër. Thënë me dy fjalë, duhet të zgjedhin rrugë të guximshme, përmes të cilave mund të japin dëshminë e gjallë të Ungjillit e të paradokseve të tij, që njerëzimi i ditëve tona shpesh nuk arrin t’i kuptojë ose i refuzon.








All the contents on this site are copyrighted ©.