2016-01-25 14:09:00

Papa: meshtarët të jenë të thjeshtë e të mëshirshëm, jo me dy faqe


Meshtarët të jenë të thjeshtë, të shmangin çdo formë dyfytyrësie e të mos shkojnë pas interesit vetjak. Këto ishin këshillat, që u dha sot Papa Françesku seminaristëve të Seminarit Papnor Lombard, të cilët i priti në audiencë, me rastin e 50-vjetorit të themelimit nga i Lumi Pali VI. Ati i Shenjtë i ftoi meshtarët e ardhshëm të jenë etër të vërtetë për njerëzit, sidomos për më të varfërit; të jenë “siç i do Zoti, jo sipas preferencave të secilit apo modave të çastit, por ashtu siç e kërkon kumtimi i Ungjillit”.

Shenjtëria të jetë “normaliteti” i meshtarëve

         Papa Françesku nënvizoi se për t’u përgatitur mirë, duhet punë, por sidomos kthim i brendshëm e i përditshëm i zemrave kah Zoti. E citoi shembullin e Shën Karl Borromeut, jeta e të cilit ishte shndërrim i vazhdueshëm për t’iu afruar sa më tepër imazhit të Bariut të Mirë. Ati i Shenjtë u ndal në tundimet e meshtarëve, të cilave u duhet bërë ballë që në kohën e seminarit. Së pari, “normaliteti”, pra, tundimi për të pasur një jetë, të ashtuquajtur “normale”:

         “Atëherë, këtij lloj meshtari fillon t’i pëlqejë vëmendja e të tjerëve, e gjykon shërbimin e vet mbi bazën e sukseseve e mjaftohet me atë që i pëlqen, duke u bërë as i nxehtë e as i ftohtë e duke e humbur interesin për të tjerët. Për ne, “normale” është shenjtëria baritore, dhurata e jetës. Nëse meshtari vendos të jetë vetëm njeri normal, do të bëhet mediokër, ose edhe më keq”.

Meshtarët të jenë njerëz të përshpirtshëm e barinj të mëshirshëm

         Shën Karli, shtoi Papa, dëshironte që barinjtë të ishin shërbëtorë të Zotit e etër për njerëzit, sidomos për të varfërit. Por, fjalët e jetës mund t’i shqiptojë vetëm ai, që e shndërron jetën në një dialog të vazhdueshëm me Fjalën e Zotit, ose më mirë akoma, me Zotin që flet. Gjatë këtyre viteve të seminarit, këshilloi Ati i Shenjtë, e keni për detyrë të stërviteni në këtë dialog, sepse njohuritë në lëndët e ndryshme, që studioni, nuk janë qëllim në vetvete, por duhet të konkretizohen përmes lutjes dhe takimit real me njerëzit:

         “Nuk sjell asgjë të mirë formimi i fragmentuar; lutja, kultura dhe baritoria janë gurë themeli të së njëjtës ndërtesë: duhet të qëndrojnë gjithnjë fort të bashkuara për të mbështetur njëra-tjetrën, duhet të jenë të lidhura mirë, që meshtarët e sotëm e të nesërm të jenë njerëz të përshpirtshëm e barinj të mëshirshëm, të bashkuar nga dashuria e Zotit e të aftë ta përhapin gëzimin e Ungjillit përmes thjeshtësisë së jetës”.

Meshtarët të jenë të thjeshtë në jetë e në predikim

         Duket se në kohën e sotme, ungjillëzimi, vijoi Papa Françesku, ka nevojë të përshkojë sërish udhën e thjeshtësisë:

         “Thjeshtësi jete, që shmang çdo formë dyfytyrësie e materializmi, së cilës t’i mjaftojë bashkimi i sinqertë me Zotin e me vëllezërit; thjeshtësi gjuhe: jo predikatarë doktrinash të ndërlikuara, por kumtues të Krishtit, vdekur e ngjallur për ne”.

         Së fundi, Ati i Shenjtë nënvizoi nevojën e kontaktit e të afërsisë me ipeshkvin për çdo meshtar, në mënyrë që secili prej tyre ta ndjejë veten anëtar i vërtetë i dioqezës. Papa u kërkoi seminaristëve të lidhin miqësi e të mbeten në kontakt ndërmjet tyre, në mënyrë që të krijojnë një vëllazëri meshtarake, e cila i kapërcen ndryshimet e dallimet e veçanta.








All the contents on this site are copyrighted ©.