2016-01-25 18:38:00

Papa: kërkoj falje për sjelljen e katolikëve kundër të krishterëve të tjerë


“Dua të lutem për mëshirë e falje dhe për sjelljet jo ungjillore që ka mbajtur ana katolike ndaj të krishterëve të Kishave tjera”. Këtë kërkoi Papa Françesku, gjatë homelisë së kremtimit të lutjes së Mbrëmësores në bazilikën romake të shën Palit jashtë mureve, në përfundimin e ‘Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve’, në praninë e metropolitit Gennadios, përfaqësuesit të Patriarkanës ekumenike të Konstantinopojës e të David Moxon përfaqësuesit personal në Romë të kryeipeshkvit të Kantërbërit.

“Në të njëjtën kohë – vijoi Papa në homeli – i ftoj të gjithë vëllezërit dhe motrat katolikë të falin, nëse, sot apo në të kaluarën, kanë pësuar fyerje nga të krishterët e tjerë. Nuk mund ta shlyejmë atë që ka qenë, por nuk duam të lejojmë që pesha e fajeve të kaluara t’i ndot marrëdhëniet tona. Mëshira e Zotit do t’i përtërijë marrëdhëniet tona”.

“Kemi kaluar  së bashku Portën e Shenjtë të kësaj Bazilike, për të kujtuar se porta e vetme e shpëtimit është Jezu Krishti Zoti jonë, fytyra e mëshirshme e Atit.  Të dashur vëllezër e motra, të bashkohemi në lutjen që Jezu Krishti i ka drejtuar Atit: “që të gjithë të jenë një gjë e vetme....që bota të besojë” (Gjn 17,21)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.