2016-01-22 16:17:00

Tre shenjtorë e tetë të Lumë të rinj në Kishë


Papa Françesku priti në audiencë prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato. Ati i Shenjtë e autorizoi dikasterin të publikojë dekretet për tre shenjtorë, tetë të Lumë e dy Shërbëtorë të rinj të Zotit.

         Stanislau i Jezus Marisë, Jozef Gabriel i Rruzares Brochero e Jozef Sánchez del Río. Këta janë tre të Lumët, që së shpejti do të shpallen shenjtorë të Kishës Katolike. Polaku Stanislau i Jezus Marisë ka jetuar në vitet 1600 e është themelues i Kongregatës së Rregulltarëve Marianë të Zojës së Papërlyer. Profesor i retorikës, por edhe mjeshtër i jetës shpirtërore, predikatar e rrëfyestar, i përkushtuar ndaj veprave të mëshirës, shihte në imitimin e jetës ungjillore të Virgjërës Mari, formën themelore të kultit të Zojës së Papërlyer.

         Shenjt do të shpallet edhe Jozef Gabriel i Rruzares Brochero, meshtari dioqezan argjentinas, i njohur si “Cura Brochero”, figurë shumë e dashur për Papën Françesku. Në mesazhin për lumnimin e tij, në shtator 2013, Ati i Shenjtë e quajti “pionier të daljes drejt periferive gjeografike dhe ekzistenciale, për t’u çuar të gjithëve dashurinë e mëshirën e Zotit”. Lindur në vitin 1840, në zonën e Kordovës, ia kushtoi jetën “daljes e kërkimit të njerëve”, shkruante tri vjet më parë Papa Françesku. Bënte kilometra me mushkë, përshkonte zona të varfëra, për t’u qëndruar pranë të gjithëve. Vdiq në janar 1914 në Villa del Transito, e cila, vetëm pak kohë më pas, u ripagëzua me emrin Villa Cura Brochero.

         Përveç dy të parëve, Kisha Katolike ka njohur mrekullinë për hir të ndërhyrjes së Jozef Sánchez del Río, laik e martir. Në moshën 15 vjeçare, mbeti viktimë e persekutimeve fetare në Meksikë, në vitin 1928.

         Po kush janë tetë të Lumët e rinj? Meshtari dioqezan italian Francesco Maria Greco, i cili jetoi në periudhën 1857-1931; themelues i Kongregatës së Motrave të vogla Punëtore të Zemrave të Krishtit e të Zojës; promovues i oratoreve, shoqatave dhe spitaleve bamirëse. Pastaj, laikja italiane e Urdhërit të tretë të Shën Françeskut, Elisabetta Sanna, anëtare e Bashkimit të Apostullimit Katolik, themeluar nga shën Vinçenc Paloti. Lindur në Sardenjë, në vitin 1778, mbeti vejushë e re dhe u bë nëna shpirtërore e grave të tokës së saj. Vdiq, pas një jete plot sakrifica e lutje, në vitin 1857, në Romë.

         I Lum do të jetë edhe Engelmar Unzeitig, martir gjerman, lindur më 1911, meshtar i Kongregatës së Misionarëve Mariannhill, vrarë për shkak të fesë më 2 mars 1945, në Dakau. Martirë janë edhe Gjenar Fueyo Castañón, meshtar dioqezan spanjoll, me tre shokët martirë laikë, vrarë për shkak të fesë në vitin 1936. Do të shpallet i Lumë, edhe martiri japonez Xhusto Takayama Ukon, zotëri feudal, që u kthye në krishterim dhe i hapi rrugën ungjillëzimit të vendit. U vra për shkak të fesë më 3 shkurt 1615.

         Së fundi, Kisha Katolike njeh virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit Arsenio nga Trigolo, italian, meshtar i Urdhërit të Fretërve të vegjël Kapuçinë, themelues i Kongregatës së motrave të Zojës Ngushëlluese, lindur më 13 qershor 1849 e vdekur më 10 dhjetor 1909. Po kështu, mund të nderohet Shërbëtorja e Zotit, Maria Luiza e të Shenjtnueshmit Sakrament, italiane e Urdhërit të tretë të Shën Françeskut, themeluese e Institutit të Motrave Adhuruese të Shenjtes Krygjë, lindur më 16 nëntor 1826 e vdekur më 3 shtator 1886.








All the contents on this site are copyrighted ©.