2016-01-22 15:41:00

Riti i Larjes së këmbëve: mund të zgjidhen edhe gratë


Papa Françesku ka vendosur të bëjë një ndryshim në rubrikën e Mesharit Romak lidhur me Ritin e “Larjes së këmbëve”, që përmbahet në Coena Domini - Meshën e Darkës së Mbrame të Jezusit me Apostujt: tani e tutje, ndër personat që zgjidhen nga priftërinjtë e ipeshkvijtë për Larjen e këmbëve gjatë Meshës, mund të jenë edhe gratë. Papa Françesku e shpjegon vendimin e tij në një Letër dërguar prefektit të Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, kardinalit Robert Sarah. Edhe vetë Dikasteri ka shpallur një dekret lidhur me ndryshimin e bërë nga Papa në ritin e Larjes së këmbëve, në rubrikën e Mesharit Romak të Meshës së Darkës së Zotit, të Enjten e Madhe të Pashkëve.

Arsyeja, sipas Papës, “është të shprehet domethënia e plotë e gjestit të Jezu Krishtit në dhurimin e vetvetes “deri në fund të fundit”, për shpëtimin e botës, në gjestin që shpreh dashurinë e tij të pakufishme”, të cilin e  kremton dhe përkujton Mesha e Darkës së Mbrame.

Vendimi i Papës, marrë “pas shqyrtimit të vëmendshëm”, shpjegon vetë Ati i Shenjtë Bergoglio, bën që “tani e tutje barinjtë e Kishës të mund t’i zgjedhin pjesëmarrësit e këtij riti nga të gjithë anëtarët e popullit të Zotit”. Së pari, vërtetë, ata duhej të ishin burra apo djem, tani – shpjegon dekreti i Kongregatës për Kultin Hyjnor – mund të jenë burra e gra, “ do të ishte mirë të jenë të rinj e të moshuar, të shëndoshë e të sëmurë, priftërinj, të shuguruar e laikë”, përfshi këtu edhe bashkëshortët e të pamartuarit. Pra, të gjithë besimtarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.