2016-01-21 14:14:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti i Izraelit e mëshira


Të dashur dëgjues vijojmë me rubrikën tonë të së enjtes, që në këtë periudhë i kushtohet Jubileut të Mëshirës, shpallur nga Papa Françesku më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Sot, do t’ju flasim për konceptin e mëshirës në Besëlidhjen e Vjetër.

Disa mendojnë, duke gabuar, se Zoti i Besëlidhjes së Vjetër është një lloj hyjnie kapriçoze dhe e pakuptueshme, por, sapo arriti Jezusi, gjërat u rregulluan përsëmbari…

Në të vërtetë, në kundërshtim me këtë këndvështrim sipërfaqësor mbi Zotin, ndoshta pak si “primitiv”, në Besëlidhjen e Vjetër gjejmë faqe të mrekullueshme, të cilat paralajmërojnë atë, që më pas na e shpjegoi Jezusi. Njerëzimit i është dashur kohë për të kuptuar kush është vërtet Zoti!

Ndër faqet më të bukura, gjejmë atë, në të cilën Hyji i zbulohet Moisiut në zjarrin e kaçubes dhe e dërgon ta çlirojë popullin, në vend të Tij: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tij. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kananeut, Heteut, Amorreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuzeut. Kështu, pra, klithma e bijve të Izraelit arriti deri tek unë, po edhe unë vetë e pashë shtypjen e tyre që po e pësojnë prej egjiptianëve. Pra, eja se dua të të çoj te faraoni që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, prej Egjiptit!” (Dal 3,7-10).

Zoti, pra, paraqitet si dikush, që i njeh vuajtjet e popullit të vet, që vendos të ndërhyjë e ta bëjë këtë përmes Moisiut, i cili – nëse e shohim hollë – nuk është aq i kënaqur me këtë detyrë e as në gjendje ta bëjë… Por Hyji kështu është: e sheh vuajtjen e dhimbjen tonë dhe dërgon dikë të na ndihmojë. E na dërgon edhe ne, nëse pranojmë, për t’i lehtësuar vuajtjet e të tjerëve, ashtu siç na kërkojnë veprat e mëshirës së krishterë. Ka edhe faqe të tjera biblike kuptimplota për mëshirën e Hyjit. Për shembull, në Librin e Oseas profet, Zoti i thotë kështu popullit, që s’pyet për Të:

“I tërhiqja me litarë për njerëz,

me zinxhirë të dashurisë;

isha për ta,

porsi ai që fëmijën e ngre

deri në mollëzat e veta,

përkulesha mbi të t’i jap të hajë” (Os 11,4).

Sa bukur! Zoti na përqafon, ashtu siç bën nëna me fëmijën e vet. E kjo ndodhte kur të gjithë mendonin se zotat banonin mbi re e i dënonin njerëzit me lloj-lloj fatkeqësish. Ka pastaj, një fjalë, që tregon si është Zoti: “rahamim”. Ajo përshkruan atë dashuri për njeriun, të cilën e ndjen nga përbrenda vetes, deri në skutën më të thellë të trupit. Është njëlloj si ndjenja para provimit: na priten këmbët, na trazohet stomaku. Ja, Zoti na do me këtë intensitet, thotë fjala “rahamim”.

Pastaj, kemi një fjalë tjetër, “hesed”, që do të thotë “mëshirë”. Nuk është mëshira, që ndjen për një lypës, por besnikëria e dy vetëve, që kanë lidhur një pakt ndërmjet tyre. Si të thuash se Zoti lidh me ne të gjithë një pakt, një miqësi, që zgjat përgjithmonë, që është besnike dhe bëhet konkrete përmes gjesteve.

Pra, në Besëlidhjen e Vjetër, Zoti është Ai, që kujdeset për njerëzit, që provon dhembshuri për ta (nga latinishtja cum-patire, të vuash/të jetosh së bashku), që e vë veten në vendin tonë e ndërhyn për të na mbështetur. A s’është kjo mëshirë?








All the contents on this site are copyrighted ©.