2016-01-21 12:14:00

Papa: xhelozia dhe zilia, mëkate të shëmtuara, që vrasin me fjalë


Papa kremtoi sot meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën kur Kisha kujton shën Anjezën, virgjër e martire. Gjatë homelisë, foli për xhelozinë dhe zilinë: Zoti – u lut Ati i Shenjtë – na ruajttë nga këto mëkate të shëmtuara, që ekzistojnë edhe në bashkësitë tona të krishtera e përdorin gjuhën për të vrarë të tjerët.

Zilia është mëkat i shëmtuar, që rritet si bari i keq

         Leximi i parë i liturgjisë së sotme (1 Sam 18,6-9: 19,1-7) flet për xhelozinë e Saulit, Mbretit të Izraelit, ndaj Davidit. Pas fitores kundër filistejve, gratë këndojnë me gëzim, duke thënë: “Sauli vrau njëmijë vetë, ndërsa Davidi, 10 mijë”. Që nga ajo ditë, Sauli e sheh me dyshim Davidin, sepse mendon se do ta tradhtojë, prandaj, vendos ta vrasë. Pastaj, vijoi tregimin Papa, ndjek këshillën e të birit dhe nuk e vret, por më vonë, u kthehet sërish mendimeve të këqia. Xhelozia, vërejti Ati i Shenjtë, është sëmundje, që kthehet e sjell me vete edhe zilinë:

         “Sa gjë e shëmtuar është zilia! Është një qëndrim e një mëkat i shëmtuar. E në zemër, xhelozia dhe zilia rriten si bari i keq: rritet vetë, por nuk e lë barin e mirë të zhvillohet. Gjithçka, që i duket se i bën hije, e shqetëson. Nuk është në paqe! Është një zemër e torturuar, një zemër e shëmtuar! Por zemra ziliqare – siç e dëgjuam nga Leximi – të nxit të vrasësh, sjell vdekje. E Shkrimi Shenjt e thotë qartë: për shkak të zilisë së djallit, hyri vdekja në botë”.

Zilia i vret edhe bashkësitë tona

         Zilia vret, pohoi Papa, e nuk toleron që një tjetër të ketë gjëra, që nuk i ka ziliqari, zemra e të cilit vuan gjithmonë. Është vuajtje e mundimshme, që dëshiron vdekjen e të tjerëve, qortoi Ati i Shenjtë. Sa herë, kujtoi, edhe në bashkësitë tona - sepse nuk duhet të shkojmë shumë larg - për shkak të xhelozisë, njerëzit e vrasin tjetrin me fjalë. Ndokush ka zili për ndokënd e fillojnë thasheshemet. Por thashethemet vrasin:

         “E unë, duke menduar e duke reflektuar mbi këtë pjesë të Shkrimit Shenjt, ftoj veten time e të gjithë të rrëmojnë nëse në zemër ka sadopak xhelozi, sadopak zili, që gjithnjë çon drejt vdekjes e nuk më bën të lumtur; sepse gjithnjë kjo sëmundje të bën të shohësh çdo gjë të mirë të tjetrit, sikur të ishte kundër teje. E ky është mëkat i shëmtuar! Është fillimi i shumë, shumë krimeve. T’i lutemi Zotit për hirin që të mos ia hapim zemrën xhelozisë, të mos ia hapim shpirtin zilisë, sepse këto gjëra sjellin vdekjen”.

Jezusi u dorëzua, për shkak të zilisë

         Pilati, përfundoi Papa Françesku, ishte inteligjent dhe shën Marku, në Ungjill, thotë se Pilati e kishte kuptuar se krerët e skribëve ia kishin dorëzuar Jezusin, për shkak të zilisë:

         “Zilia – sipas interpretimi të Pilatit, që ishte shumë inteligjent, por edhe burracak! – është ajo, që e çoi drejt vdekjes Jezusin. Mjeti, mjeti i fundit. Ia kishin dorëzuar, për shkak të zilisë. T’i lutemi Zotit për hirin që të mos ia dorëzojmë kurrë vëllain o motrën vdekjes, për shkak të zilisë, as në famulli, as në bashkësi e as një fqinj të lagjes: secili ka mëkatet e veta, secili ka virtyte. I përkasin secilit. Të shohim të mirën e të mos vrasim me thashetheme, për shkak të zilisë e të xhelozisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.