2016-01-20 15:20:00

Mesazh i Papës për Forumin e Davosit: mos harroni të varfërit


Që sot deri më 23 janar, në Davos të Zvicrës, mbahet Forumi Ekonomik Botëror, në edicionin e tij të 46-të. Deri të shtunën, 2.500 personalitete të politikës, ekonomisë dhe financës do të diskutojnë mbi temat e nxehta në nivel global, që nga terrorizmi e deri tek kriza e emigracionit, nga klima tek pabarazia e të ardhurave, duke folur edhe për mundësitë e reja ekonomike, së bashku me rreziqet që përfaqësojnë për tregun e punës, i cili robotizohet gjithnjë e më shumë. Sigurisht, vëmendja kryesore do të përqendrohet në tensionet e tregut, për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe ngadalësimit të zhvillimit në Kinë, që rrezikon të marrë me vete krejt ekonominë botërore.

         Sot pasdite, kreu i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, i dorëzoi themeluesit dhe presidentit ekzekutiv të Forumit, prof. Klaus Schwab, një mesazh të Papës Françesku për gjithë të pranishmit, për krerët e shteteve dhe të qeverive. Ati i Shenjtë, nga Vatikani, reflekton me pjesëmarrësit rreth temës së Forumit, e cila ka të bëjë me mënyrën e trajtimit të fryteve dhe të pasojave të “revolucionit të katërt industrial”, siç quhet periudha historike që po kalojmë.

         “Lindja e të ashtuquajturit ‘revolucion i katërt industrial’ është shoqëruar nga perceptimi në rritje i pashmangshmërisë së reduktimit drastik të numrit të vendeve të punës” – shkruan Ati i Shenjtë. Papa u referohet studimeve më të fundit të Organizatës Botërore të Punës, të cilat tregojnë se aktualisht, papunësia prek qindra miliona njerëz. Financiarizimi dhe teknologjizimi i ekonomive kombëtare e i asaj globale kanë sjellë ndryshime me rëndësi të madhe në fushën e punës. Zvogëlimi i mundësive për punësim të mirë e dinjitoz, së bashku me reduktimin e masave mbrojtëse të sigurimit shoqëror, po shkaktojnë rritjen shqetësuese të pabarazisë dhe të varfërisë në disa vende. Sipas Papës Françesku, bota ka nevojë për modele të reja biznesi, të cilat, së bashku me promovimin e teknologjive, të jenë në gjendje të krijojnë punë dinjitoze për të gjithë, të respektojnë të drejtat shoqërore e të mbrojnë ambientin. “Njeriu duhet ta udhëheqë zhvillimin teknologjik – thekson Ati i Shenjtë – pa e lënë që ai ta dominojë!”.

         E më pas, thirrja e Papës për të mos harruar të varfërit. “Kjo është sfida parësore, që keni përpara, si drejtues të botës së afarizmit”, ngre zërin Ati i Shenjtë. “Kush ka mjete për të bërë një jetë dinjitoze, në vend që të shqetësohet për privilegjet, duhet të përpiqet të ndihmojë të varfërit, që edhe ata të krijojnë kushte jetese, të cilat respektojnë dinjitetin e njeriut, në veçanti, përmes zhvillimit të potencialit të tyre njerëzor, kulturor, ekonomik e shoqëror”, citon Papa fjalët, që u pati thënë afaristëve dhe Trupit Diplomatik në Bangui, gjatë udhëtimit në Republikën e Afrikës Qendrore.

Ati i Shenjtë u kërkon krerëve të botës, por sidomos të pasurve, të mos e lejojnë kulturën e mirëqënies t’ua mbyllë sytë e veshët. Të mos derdhim lot kokodrili para dramës së të tjerëve, pa ngritur as gishtin për t’i ndihmuar: ky, koncepti i Papës Françesku, i cili na fton të gjithëve t’u shtrëngojmë duart të vuajturve, për t’i tërhequr drejt nesh, që ta ndjejnë ngrohtësinë e pranisë e të miqësisë sonë. “Përgjegjësia ndaj vëllezërve e motrave tona – nënvizon Ati i Shenjtë – është pjesë thelbësore e humanitetit tonë të përbashkët”. Pastaj, thirrja: “Mos kini frikë t’ua hapni mendjet e zemrat të varfërve. Në këtë mënyrë, do t’u jepni liri të plotë veprimi talenteve tuaja ekonomike e teknike e do të zbuloni lumturinë e një jete të plotë, që konsumizmi, në vetvete, nuk mund t’jua sigurojë”.

E Papa Françesku u referohet edhe lajmeve të fundit, sipas të cilave robotizimi do të sjellë në të ardhmen humbjen e së paku 5 milion vendeve të punës. U kërkon liderëve botërorë, që ky revolucion teknologjik të mos e shkatërrojë njeriun, i cili nuk mund të zëvendësohet nga një makinë pa shpirt, e të mos e shndërrojë planetin në një kopsht vetëm për pak të zgjedhur. Forumi Ekonomik i Davosit mund të jetë, sipas Bergoglio-s, platforma e punës për një veprimtari ekonomike, që vërtet prodhon pasuri, por synon përmirësimin e botës për të gjithë. E duke iu referuar konceptit të “shtëpisë sonë të përbashkët”, përdorur shpesh, Papa Françesku u bën thirrje politikanëve, ekonomistëve e personaliteteve të të gjithë botës të mbrojnë Gjithësinë e krijuar nga Zoti e të mendojnë për një zhvillim planetar më të shëndetshëm, më njerëzor, më shoqëror e më të gjithanshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.