2016-01-20 14:29:00

Kard. Parolin: solidariteti nuk duhet të jetë viktimë e krizës


“Në kohën e krizës e të vështirësive ekonomike, shpirti i solidaritetit global nuk duhet të humbet”. Kjo është bindja e Papa Françeskut propozuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në fjalimin e tij, mbajtur pardje në Romë, në takimin e organizuar nga Global Foundation mbi temën e ekonomisë globale përfshirëse.

Kardinali Parolin vuri në pah se si që nga titulli – “Të refuzojmë globalizimin e indiferencës – të mobilizohemi për një ekonomi globale më përfshirëse e më të realizueshme” - takimi synon t’i përkujtojë disa mësime e udhëzime që Ati i Shenjtë Bergoglio i ka përzemër “që në fillim të Papnisë së vetë”.

Papa Françesku, kujtoi kardinali Parolin, “ka sqaruar dhe vënë përherë në dritë, me një vëmendje të veçantë, pasojat e rënda të indiferencës e të mungesës së përgjegjësisë”, duke i ftuar “të gjithë njerëzit të impenjohen, në mënyrë të lirë e të ndërgjegjshme, për korrigjimin e një ekonomie, e cila shkakton mënjanime dhe pabarazi”. Të pasur e të varfër, njerëz të pushtetshëm e të thjeshtë, politikanë e sipërmarrës, të gjithë – insistoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, janë të ftuar nga Papa Françesku “ta vënë pushtetin e fuqinë krijuese të inteligjencës njerëzore në shërbimin e së mirës së përbashkët, me shpirtin e solidaritetit e – do të shtosha – të mëshirës”.

Një pjesë e “kësaj përpjekje të madhe”, vërejti kardinali Parolin, i takon “krijimit dhe shpërndarjes së pasurisë”. Një “përdorim i drejtë i burimeve natyrore, aplikimi i drejtë i teknologjisë dhe shfrytëzimi i mendësisë sipërmarrëse e industriale janë – pohon akoma kardinali Parolin – elementet thelbësore të një ekonomike, e cila synon të jetë moderne, përfshirëse dhe e realizueshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.