Me 19 janar, kalendari i Kishës katolike përkujton shenjtorët Marion e Martën,
me familjarët e tyre, martirë. Pra me 19 janar, Kisha katolike përkujton shenjtorët
Marion, Martën bashkëshortë dhe fëmijët e tyre, Abakon e Audifaçen, martirizuar në
Romë.
Emri ‘Mario’ vjen nga keltishtja e do të thotë ‘burrë’, por populli beson se është
gjinia mashkullore e emrit femëror ‘Maria’. Dëgjohet edhe në Shqipëri e në Kosovë
si në trajtën e parë, Mario, ashtu edhe në trajtën Marian. E kjo, sepse kulti që lidhet
me Virgjërën Mari, njihet edhe si kult marian.
Shenjti legjendar, Mario, arriti në Romë së bashku me gruan e tij, Martën e me fëmijët:
Abakon e Audifaçen nga Persia e largët për të nderuar reliket e martirëve, siç bënin
shumë të krishterë në atë kohë. Duhet të jetë nisur për shtegtim rreth viteve 268-270,
në kohën e sundimit të perandorit Klaudio II, kur kishte pushuar përkohësisht persekutimi
kundër të krishterëve.
Me sa mësojmë nga data e martirizimit, duhet të jetë vendosur në Romë, ku po përhapej
me shpejtësi të jashtëzakonshme feja re, krishterimi. E aty ishte edhe në kohën kur
Diokleciani, i shtyrë nga konsulli Galerio, shpalli tre edikte, pas të cilave rinisi
një nga persekutimet më të tmerrshme kundër nxënësve të Krishtit.
Atëherë Mario e familjarët e tij u akuzuan se kishin varrosur gjatë rrugës romake
Salaria trupat e 260 martirëve, që kishin mbetur mbi dhe me koka të prera. U dënuan
me vdekje për këtë gjest e për fenë e tyre në Jezu Krishtin. Pësuan të njëjtin fat
të njerëzve që kishin varrosur për shkakun e fesë së tyre në Krishtin Shpëtimtar,
duke u martirizuar nën prefektin Flaviani. Reliket e Shën Marios nderohen në kishat
romake të Shën Adrianit e të Shën Prasedes dhe në manastirin gjerman me arkitekturë
romanike të Seligenshtadit
All the contents on this site are copyrighted ©. |