2016-01-19 14:24:00

Atë Ayuso në Abu Dabi: ta luftojmë ekstremizmin me dialog


“Dialogu është nevojë, jo alternativë”. Kështu pohoi Sekretari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar në Forumin “Arab Thinkers” (Mendimtarët arabë), që këto ditë, mblodhi në Abu Dabi, personalitete të shumta të botës arabe, ndër të cilët Kryemyftiun e Libanit. Atë Miguel Angel Ayuso Guixot ishte i vetmi relator jo mysliman në këtë Takim.

Dialogu është kusht i nevojshëm për paqen në botë

         Në fjalën e tij, atë Ayuso u ndal, në veçanti, në dialogun ndërfetar si mjet për të luftuar ato forma ekstremizmi, që sot duket se mbizotërojnë në disa anë të botës. Në veçanti, ai kujtoi nxitjen e Papës Françesku për promovimin e kulturës së takimit. Dialogu ndërfetar, nënvizoi, është kusht i nevojshëm për paqen në botë dhe detyrë për secilin prej nesh. Dialogu krijon një shkollë humaniteti dhe bëhet mjet bashkimi, duke na ndihmuar të ndërtojmë një shoqëri më të mirë, bazuar mbi respektin dhe miqësinë e ndërsjelltë.

T’i luftojmë ekstremizmat, janë kërcënim për paqen në botë

         Ekstremizmat, shtoi më pas, janë aktualisht kërcënimi më i rrezikshëm për paqen dhe sigurinë botërore. Ai nuk mund të përputhet me vlerat e vërteta fetare. Prandaj, shtoi atë Ayuso, liderët fetarë duhet të impenjohen seriozisht për t’i gjetur e mënjanuar ekstremistët, të cilët përhapin këndvështrime ideologjike mbi fenë. Së fundi, atë Ayuso u kërkoi besimtarëve të të gjitha feve të luten, sepse fetë nuk kanë ndonjë recetë magjike për problemet e botës, por kanë një pasuri të madhe, që është pikërisht lutja. “Lutja – kujtoi meshtari fjalët e Papës Françesku – është thesari ynë, të cilin e përdorim sipas traditave të secilit, duke kërkuar dhuratat, për të cilat ka nevojë gjithë njerëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.