2016-01-18 18:10:00

Siri. Imzot Audo: ka shumë interesa për të vazhduar luftën


Civilët sirianë të dërrmuar, të uritur e të vrarë në mënyrë barbare çdo ditë, të braktisur brenda një konflikti endemik, që zgjatet prej gati pesë vjetësh ndërmjet milicëve qeveritarë e grupeve të ndryshme rebelësh, ndër të cilët spikasin xhihadistët e Shtetit Islamik. Drama e fundit është konsumuar dje në periferitë e qytetit Dei-ez-Zour, vend sirian i rëndësishëm i naftës: 300 të vdekur, ndër ta 150 me kokë të prerë dhe të tjerët të kryqëzuar, ndërsa 400 vetë janë marrë peng. E ndërsa synimet ndërkombëtare për ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare nuk përkojnë, diplomacia shënon një hap përpara në pritje të mbledhjes së Gjenevës, në fund të janarit, ndërmjet delegacioneve të qeverisë e të opozitës. Imzot Antoine Audo, ipeshkëv kaldeas i Halebit, president i Karitasit sirian, lidhur me luftën në Siri, thotë:

“Mund të themi se sot në Siri gjëja e parë dhe më e tmerrshme është logjika e dhunës, e legjitimuar nga çdo grup. E mendoj se ka shumë njerëz që duan të vazhdojnë dhunën, sidomos tani në kuadrin e 28 janarit kur do të mbahet takimi i Gjenevës. Mendoj se për ta është rast për ta shkallëzuar dhunën e për të thënë pastaj se nuk ekziston asnjë zgjidhje politike për problemin, por duhet të vazhdohet me luftime e të zbatohet logjika e dhunës. Nëse nuk do të ketë ndonjë autoritet në nivelin ndërkombëtar, i aftë për t’i dhënë fund kësaj dhune, mendoj se gjërat do të vijojnë si përpara”.

Imzot Audo, si i gjykoni nismat që ka ndërmarrë deri tani komuniteti ndërkombëtar për rivendosjen e paqes në Siri? Ç'ka munguar?

Mendoj se, në nivelin ndërkombëtar, janë të shumta interesat e atyre kombeve, që janë të impenjuara në këtë konflikt. Flasin për paqen, por në realitet ekziston interesi ekonomik në nivelin e lartë, ekziston interesi për shitjen e armëve... Kështu lufta vazhdon! Mendoj se nuk ka vendosmëri e vullnet të vërtetë për ardhur deri te paqja, kjo është përshtypja jonë brenda Sirisë. Si besimtarë, si të krishterë, lutemi e bëjmë gjithçka është e mundur për të qëndruar, për të inkurajuar frymën e pajtimit e të paqes. Por që prej pesë vjetësh gjërat janë tejet të tmerrshme për ne.....

Atëherë, ju nuk besoni më në ndonjë zgjidhje, që mund të arrihet brenda vendit?

Po, por me mbështetjen në nivelin ndërkombëtar e rajonal. Mendoj se kjo betejë, edhe ajo ndërmjet sunitëve e shiitëve në nivelin rajonal, ka kaq shumë interesa si nga ana e Arabisë Saudite e nga Turqia, po kështu edhe nga ana e Iranit. Në rajon çdonjëri vepron duke shikuar interesat personale e për këtë kërkon mbështetjen në nivelin ndërkombëtar.

Këtyre ditëve, është folur në selinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën humanitare në Siri e janë bërë thirrje për të mbledhur një shumë të madhe – 8 miliard dollarë – për të ndihmuar, është thënë, mëse 20 milionë sirianë në gjendje tejet të rëndë brenda e jashtë vendit. Por, mund të themi se koha është tepër e shkurtër e njerëzit vdesin, edhe në mënyrë barbare, çdo ditë...

Ekzistojnë dy realitete: ai i dhunës e ai i pasigurisë, e kjo është edhe arsyeja pse nuk arrin më të jetosh, të gjesh punë...Për këtë shkak, të gjithë njerëzit janë bërë të varfër, sidomos ata që jetojnë brenda Sirisë. Një inxhinier i rëndësishëm, me përgjegjësi të madhe, më ka kërkuar – si president i Karitasit të Sirisë -  nëse kam mundësi të furnizoj një “basket-food” (pako me ushqime) për 200 familje të inxhinierëve të Halebit, të cilat nuk kanë më me ç'të jetojnë, sepse nuk kanë më asnjë mjet, nuk kanë punë, nuk kanë para...E nëse inxhinierët nuk arrijnë më të jetojnë, çka të themi atëherë për familjet e varfra që janë pa formim e pa mjete? E kështu është gjendja në tërë Sirinë.

Për sa i përket të krishterëve, dimë se janë ndër më të goditurit e pjesa më e madhe ka ikur...

Nga një aspekt, ne të krishterët jemi si të gjithë të tjerët: kemi të njëjtat probleme të sigurisë e të punës. Mirëpo, në rend të dytë, këto grupe të armatosura mund t’i sulmojnë të krishterët, sepse janë pa asnjë mbrojtje. Kjo i nxit këto grupe fanatike të korrin fitore të rëndësishme në nivelin e brendshëm, në nivelin rajonal. Problemi i dytë është se të krishterët përfaqësojnë një grup të lirë në nivelin ndërkombëtar e të arrish t’i nisësh e t'i largosh të krishterët, përfaqëson një fitore për këto grupe të armatosura, pikërisht sepse kështu i japin fund rezistencës morale, bashkëjetesës, pranimit të dallimeve. Të krishterët nuk janë me numër të madh e prandaj është shumë lehtë t’u bësh çdo gjë për t’i nisur e për t'i larguar nga vendi.








All the contents on this site are copyrighted ©.