2016-01-18 13:46:00

Papa: s’duhet thënë “kështu është bërë gjithnjë” , ta hapim zemrën për risitë e Shpirtit Shenjt


Të krishterët, që nuk ndryshojnë, sepse mendojnë se “kështu është bërë gjithmonë” e kanë zemrën të mbyllur për suprizat e Shpirtit Shenjt e nuk e arrijnë kurrë të vërtetën e plotë. Janë idhujtarë e rebelë, nënvizoi sot Papa Françesku, gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

Ta hapim zemrën për risitë e Shpirtit Shenjt

Në Leximin e parë, Sauli hidhet poshtë nga Zoti si mbret i Izraelit, sepse preferon të dëgjojë popullin më shumë se vullnetin e Hyjit, të cilit  nuk i bindet. Pas fitores në një betejë, populli dëshironte t’i flijonte Zotit kafshët më të mira shtëpiake, sepse - thuhej - “gjithnjë kemi bërë kështu”. Por kësaj radhe, Hyji nuk donte. Samueli profet e qorton Saulin: “A mos vallë Zotit i pëlqejnë më shumë holokaustet e flijimet se sa bindja ndaj zërit të Hyjit?”. Është mësim i njëjtë me atë të Jezusit në Ungjill, vërejti Papa Françesku. Dijetarët e ligjit e qortojnë se dishepujt e tij nuk agjërojnë, ashtu siç ishte bërë gjithmonë. E Jezusi përgjigjet me këtë parim jete: “Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyera bëhet më e madhe. Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj”:

“Ç’do të thotë kjo? Se ndryshon ligji? Jo! Por ligji është në shërbim të njeriut, i cili është në shërbim të Zotit, prandaj, njeriu duhet ta ketë zemrën e hapur. Fraza ‘gjithnjë është bërë kështu’ do të thotë ta kesh të mbyllur zemrën e Jezusi na ka thënë: ‘Do t’ju dërgoj Shpirtin Shenjt e Ai do t’ju udhëheqë deri në plotësimin e së vërtetës’. Nëse e ke zemrën e mbyllur për risitë e Shpirtit, kurrë nuk arrin në të vërtetën e plotë! E jeta jote e krishterë do të jetë gjysma-gjysma, jetë plot arna, e riparuar me gjëra të reja, por të arnuara mbi një strukturë, që nuk është e hapur për zërin e Zotit. Një zemër e mbyllur, sepse nuk je në gjendje t’i ndërrosh rrëshiqat”.

Të krishterë kokëfortë e rebelë

“Kjo – nënvizoi Papa – qe mëkati i mbretit Saul, prandaj u hodh poshtë. Është mëkati i shumë të krishterëve, që kapen me thonj e me dhëmbë me gjërat, që kanë bërë gjithnjë e nuk lejojnë të ndërrohen rrëshiqat. Përfundojnë me një jetë përgjysëm, të arnuar, pa kuptim”. E mbajnë zemrën të mbyllur, nuk e dëgjojnë zërin e Zotit e nuk i shikojnë risitë e Hyjit, që na befason gjithmonë. Rebelimi, thotë Samueli profet, tregon se njerëzit duan të bëhen si Hyji, ndërsa kokëfortësia është idhujtari:

“Të krishterët, që ngulin këmbë me ‘gjithmonë kështu është bërë’, prandaj ‘kjo është rruga’, mëkatojnë: duan të bëhen si Hyji. Është njëlloj sikur të shkonin te fallxhorja: ‘Është më e rëndësishme ç’është thënë më parë, që nuk ndryshon; është më e rëndësishmë ç’ndjej unë në zemrën time të mbyllur, më shumë se sa Fjala e Zotit’. Kokëfortësia është edhe idhujtari: i krishteri kokëfortë mëkaton! Mëkaton për idhujtari. ‘E cila është rruga o atë?’: t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, të shoshisim cili është vullneti i Zotit”.

Zakone, që duhen rinovuar

Ishte zakon, në kohën e Jezusit, shpjegoi Papa, që izraelitët të agjëronin. Por ka edhe një realitet tjetër: është Shpirti Shenjt, që na udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Për këtë, Ai ka nevojë për zemra të hapura, për njerëz, që mendojnë se ç’dikon Shpirti është më e rëndësishme nga ç’mendojnë vetë:

“Ky është mesazhi, që na jep sot Kisha. Këtë na thotë Jezusi me forcë: ‘Verë e re në rrëshiqa të rinj’. Edhe zakonet duhen ndryshuar para risive të Shpirtit, para të papriturave të Zotit. Hyji na dhashtë hirin e një zemre të hapur, të hapur ndaj zërit të Shpirtit Shenjt, një zemër që di të dallojë atë, që nuk duhet ndryshuar më, sepse themel, nga ajo që duhet ndryshuar për të përvetësuar risitë e Shpirtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.