Sot me 18 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Priskën, Martire. Kur
flasim për figurën e Shën Priskën duhet thënë se nuk është e lehtë të përshkruhet
jeta e kësaj martire romake, ndonëse për të kemi një mori dokumentesh të lashta. E
kjo, sepse ka shumë mundësi që njoftimet, të cilat duken sikur flasin për të, i përkasin
tri martireve të ndryshme: asaj vetë, Priskës gruas së Akuilës, të cilën e kujton
Shën Pali Apostull dhe një shenjtoreje tjetër me të njëjtin emër, që nuk përmendet
më në kalendarët kishtare.
Nga Aktet e martirizimit të Shën Prsikës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun
për Krishtin nën perandorin Klaudio (268-270) e se duhet të jetë varrosur në Rrugën
Ostiense. Më pas reliket e saj u mbartën në Aventin.
Sipas gojëdhënës ajo qe nxënësja e parë e Shën Pjetrit apostull që e dëshmoi fenë
e vet me martirizim. Sidoqoftë sot Kisha e nderon Priskën martire si ‘fryt i parë
i apostullimit të Peshkatarit të Galilesë’ dhe si themeluesen e Kishës romake me të
njëjtin emër, për të cilën na flet epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit
V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës.
Kisha e lashtë e Shën Priskës në Aventin, një stoli e vërtetë ndërmjet antikiteteve
të shumta romake, lartohet mbi themelet e një shtëpie të madhe të shekullit II, gjë
që është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike. Duhet të ketë qenë shtëpia e vashës
romake, që dha jetën në lule të moshës për Krishtin.
All the contents on this site are copyrighted ©. |