2016-01-18 16:38:00

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Koch: përpara me dialogun ekumenik


Fillon sot Java e lutjes për Bashkimin e të Krishterëve mbi temën: “Të thirrur për t’u kumtuar të gjithëve veprat e madhërishme të Zotit” (khr 1 Pj 2,9). Teksti ndihmës për lutjet e këtij viti vjen nga Letonia.  Mbi temën e kësaj jave ta dëgjojmë presidentin e Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, kardinalin Kurt Koch në mikrofonin tonë:

“Motoja jonë është shprehja e bukur, sipas së cilës, jemi të thirrur t’i kumtojmë veprat e mëdha të Zotit. Teksti biblik thotë se për një farë kohe kemi qenë të përjashtuar nga mëshira e Zotit, ndërsa tani na është mundësuar ta jetojmë e shijojmë mëshirën e tij hyjnore. Sivjet kemi një përkim të bukur me Jubileun e Mëshirës së Hyjit, e ky Jubile, është rast i volitshëm për të reflektuar, të gjithë së bashku, mbi thelbin e fesë së krishterë. Ekumenizëm nuk do të thotë vetëm arsyetim e shqyrtim i çështjeve impenjuese që akoma na ndajnë si të krishterë, por do të thotë të thellohemi së bashku në thelbin, në zemrën e fesë së krishterë: për ta bërë këtë, Jubileu i Mëshirës dhe Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve janë një rast i mirë dhe i volitshëm”.

Viti që posa kemi filluar paraqitet si një vit i rëndësishëm për marrëdhëniet ekumenike, duke u nisur nga 500 vjetori i fillimit të Reformës; e lidhur me këtë, ju keni botuar një udhërrëfyes në fushën liturgjike...

“Po, kemi botuar një dokument i cili quhet “Nga konflikti deri në bashkim”, në të cilin duam të tregojmë në ç'mënyrë mund ta kremtojmë së bashku përvjetorin e Reformës. Mbi bazën e këtij dokumenti, një grup pune ka përpiluar elementet liturgjike, të cilat na mundësojnë ta kremtojmë së bashku,përkujtimin e fillimit të Reformës. Ky dokument do të dërgohet nga Federata luterane botërore dhe nga ne. Pastaj jemi duke punuar për përgatitjen e takimit liturgjik ndërmjet luteranëve e katolikëve në nivelin botëror, që është në program në fund të tetorit në Lund, në Suedi. Lund është vendi ku është themeluar Federata luterane botërore. Ideja e bukur që patën luteranët ishte pohimi tyre, qysh në fillim, se nuk janë luteranët ata që na ftojnë ne katolikëve, por do të jenë luteranët dhe katolikët, të cilët së bashku do t’i ftojnë të tjerët. Shpresoj që kjo ngjarje e cila do të kremtohet në Lund të mund ta thellojë e çojë më tej bashkimin ndërmjet luteranëve e katolikëve e të mund të përfaqësojë një hap të madh të mëtejshëm në udhën drejt bashkimit të plotë”.

Për shumëkënd periudha e Reformës përfaqëson një periudhë konflikti....

“Mendoj se është e nevojshme ta marrim shumë seriozisht këtë gjë, sepse Reforma nuk ka sjellë vetëm rizbulimin e Biblës e të Doktrinës së Shfajësimit – për shembull – por ka sjellë edhe ndarjen dhe ka provokuar luftëra të tmerrshme fetare në shekujt XVI e XVII. Edhe kohëve të fundit, Papa Françesku ka thënë: “Nëse i shikojmë luftimet e përgjakshme ndërmjet sunitëve e shiitëve, duhet të kujtojmë se kemi bërë të njëjtën gjë ndërmjet luteranëve e katolikëve”. Në këtë aspekt, duhet të kërkojmë falje. Mirëpo, ky është vetëm një aspekt. Ne nuk kremtojmë vetëm 500 vjetorin e fillimit të Reformës, ne kremtojmë edhe 50 vjetorin e dialogut ndërmjet katolikëve e luteranëve: duhet të jemi mirënjohës e të pranojmë se gjatë këtij gjysmë shekulli kemi zbuluar e njohur shumë gjëra që i kemi të përbashkëta. Aspekti i tretë është shpresa. Shpresa se ky kremtim i përbashkët i përkujtimit të Reformës na ndihmon të gjejmë një besim të ri për të ardhmen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.