2016-01-17 17:00:00

Papa në Sinagogën e Romës: kurrë të mos harrohet Shoahu, mësim i përhershëm


Sot pasdite, 17 janar 2016, Papa Françesku shkoi për vizitë në Tempullin e Madh hebraik të Romës, ku u takua me bashkësinë më të lashtë të diasporës izraelite në botë, i ftuar nga kryerabini, Riccardo Di Segni. Është hera e tretë që një Papë viziton Sinagogën e Romës. I pari qe shën Gjon Pali II e pas tij, edhe Benedikti XVI. Ati i Shenjtë u takua me ata, që pikërisht Papa polak i quante “vëllezërit e mëdhenj”, në Ditën e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, që kremtohet çdo vit. Tema e 2016-ës ka në qendër njërin nga Urdhërimet e Tënzot, marrë nga kapitulli i 20-të i Librit të Daljes: “Atëherë Hyji shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd”.

Në një intervistë të kohëve të fundit me gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, kardinali Kurt Koch, vë në dukje traditën e vizitave të Papëve në Tempullin e Madh të hebrenjve. Shën Gjon Pali II pat shkuar më 13 prill 1986 e më pas, Benedikti XVI, më 17 janar 2010. Papa Françesku shkoi në ditën, që i paraprin Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila fillon nesër. E fakti që Dita kushtuar hebraizmit, e cila kremtohet nga disa Konferenca Ipeshkvnore në botë, është caktuar pikërisht para kësaj Jave do të thotë se hebraizmi është shumë afër krishterimit. Kardinali Koch kujton edhe marrëdhëniet e mira të Papës Françesku me botën hebraike, që në kohën kur ishte kryeipeshkëv në Arrgjentinë. Vërtet, ai është mik me rabinin Abraham Skorka, i cili e shoqëroi edhe në udhëtimin në Tokën Shenjte.

“Vizita e Papës Françesku në sinagogën e Romës – thekson kardinali Koch në gazetën “L’Osservatore Romano” – përmban një mesazh që Ati i Shenjtë e konsideron shumë të rëndësishëm e nuk lodhet kurrë së thëni qartë: është absolutisht e pamundur të jesh i krishterë e, njëkohësisht, edhe antisemit”. Pas botimit të një dokumenti katolik për dialogun me hebrenjtë, edhe bota hebraike publikoi një tekst për dialogun me të krishterët, duke vendosur kështu një gur kilometrik të ri në marrëdhëniet dypalëshe.Për mënyrën si u zhvillua vizita e sotme, kryerabinin e Romës, Riccardo Di Segni, në mikrofonin e Radio Vatikanit shprehet kështu:

Në thelb, u bënë homazhe dhe u kujtua dëbimi i hebrenjve dhe atentati kundër sinagogës. Pastaj, ceremonia u zhvillua brenda, me Papën që hyri dalëngadalë, siç dëshiroi ai vetë, për të përshëndetur e për t’u shtrënguar dorën njerëzve të pranishëm. Pastaj, fjalimet zyrtare, në praninë e përfaqësuesve të organizatave dhe të enteve të bashkësisë, të hebraizimit botëror, që erdhën enkas për këtë rast, të shumë rabinëve si italianë, ashtu edhe izraelitë, si edhe të presidentit të rabinëve evropianë. Aty, edhe ish-të internuarit.

Në këtë çast të veçantë historik, cili është mesazhi i këtij takimi?

Mendoj se duhet t’u japim të gjithëve mesazhin themelor se ndryshimet fetare janë pasuri për shoqërinë, sjellin paqe, sjellin përparim, pra, shkojnë në kah krejtësisht të kundërt me atë, ku çojnë sinjalet alarmuese, që vijnë nga botë të tjera fetare.

Si kryerabin, çfarë mendoni për problemin e emigracionit në Evropë?

Për këtë argument, së pari, mesazhi kryesor është solidariteti njerëzor për të persekutuarit, për të ikurit, për ata, që kanë nevojë ta rindërtojnë jetën nga fillimi, me qetësi e me mundësi të përshtatshme ekonomike. Nga ana tjetër, shqetësohemi para atyre, që nuk duan të pranojnë as rregullat më elementare të bashkëjetesës e dëshiron të imponojnë, pa u integruar, modele të ndryshme, të dhunshme. Duhet të gjejmë një zgjidhje për të dyja këto aspekte. Ne, si hebrenj, për shkak të historisë sonë, e kuptojmë shumë mirë nevojën për t’i ardhur në ndihmë atyre, që detyrohen të lëvizin. Por ne përbëjmë edhe një shembull jashtëzakonisht të rëndësishëm për integrimin në shoqëri, në përparimin e të cilave kemi kontribuar gjithmonë, nëse na është dhënë mundësia për këtë.

Ç’mendoni për dokumentin e fundit vatikanas për dialogun e krishterimit me hebraizmin?

Ky dokument është shumë i rëndësishëm, sepse 50 vjet pas Deklaratës konciliare “Nostra Aetate”, ishte e nevojshme të reflektonim mbi gjendjen, mbi pikëmbërritjen aktuale. Është reflektim brenda botës së krishterë, në të cilin ne nuk mund të ndërhyjmë, por, natyrisht, mund të marrim parasysh pasojat praktike të tij. Janë pasoja, që kanë të bëjnë me respektimin e hebrenjve si Popull i Zotit të gjallë, me refuzimin e formave të organizuara të kthimit në krishterim e të ungjillëzimit. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme. Pastaj, për shumë çështje mund e duhet të vazhdojmë konfrontimin. Por, dokumenti është baza për të kuptuar në ç’pikë jemi.








All the contents on this site are copyrighted ©.