2016-01-17 10:40:00

Atë Gjergj Fishta: “In hoc signo vinces” - Skanderbegut


Atë Gjergj Fishta: “In hoc signo vinces” - Skanderbegut

Tue zbardhun mosha dhjetepèstë e jona
Atje prej shtojesh t’ Anadollit t’ plleshem
Hànza përgjakshem, nisë mbi Europë t’ kukzohet.
Ishte zot-madhì i Turqvet, qi në krye

5. Të ma s’ rrebtes ushtrì të jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i dahej para
Se hànzën t’ ngrifte mbi Sh’ Sofì t’ Bizantit

10. E n’ Sh’ Pjeter t’ Romës tagjì t’i vète kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Perpara tij ràn frone e ràn therore;
U rroposen mbretnì e u shkimen fise,
E as bàr mà s’ bijtì andej ka’ i shkeli kamba.

15. Greku, Bullgari humben, humbì Serbi,
- Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,
Qatje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a pshtiellte. – T’ felgruemun drojet, shuejten
Zànin mbretent e Europës. Zâmaret eshten,

20. Eshti edhè kanga e njì mjerì i shemtuem,
I ra mbarë dheut.
Kur, qé, mbi kep të Kruejes
Titanike po del nji hije burri,
Vetullat ngerthye, si dy hullì rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cila

25. Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla
Rreth njaj curri s’ thepisun. N’ krye trishtueshem
Flakë i shkelqàn tarogza brynatake,
Qi, tmerrshem ka ‘i vezullon nen rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dàn ndër sy t’ anmikut.

30. Ai àsht fatosi i ndiemun Gjergj Kastrjota,
I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,
Qì, pre’ atij kepi, si njì shqype mali
Kundron kah forca e barbarìs lindore
Shkon tue rrëmbye mbretnì e fise e popuj,

35. E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e nierit;
Sì rribë Veriu, qi rêt i fshin prej qiellit
E e lên token me u thà. Edhè tue pamun
Se anmiku i rrebtë i gjytetnìs njerzore
Po nisë per s’ afermi Shqypnìs t’ kercenohej

40. E se prej nierit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,
Çon syt kah qiella, e zèmra gjak t’u i shkue,
“O Zot! – gerthet, - O Zot i Madhi i Ushtrivet!
E po a njimend se mà s’ do t’ két Shqypnija
Nji vend kù me t’ u lutë?... e se gràt t’ ona

45. Djepat n’ Azì mbas sodit do t’ perkundin?...
E se Shqyptari token do t’ punoje
Veç për me kndellun n’ mish gocat qerkeze,
Qi nji Tirani t’ i sherbejnëma kandshem?
Ohì pse i a mbrrim ksajë dite, e s’ ka shperthye

50. Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, ti prej qiellet
Zèmer e forcë m’ dergo, qi ktij Tartari
Barbàr un t’ ia diftoj, se Shqyptarija
S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé

55. Din t’ desë Shqyptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ Fés kjo lutë u çue kah qiella
E i shkoi n’ vesh Perëndis e e preku n’ zèmer.
I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet
Xjerrëë një pelhurë të njyme “kuq e zì”,

60. Qi Engjujt vetë n’ Parriz endun e kishin:
E mbasi e puthë i Lumi e vèn në bàll,
Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’ i thànun,
“Na, e ketë Flamur Skanderbegut çoja
Atje poshtë n’ Krue, e thuej prej ane s’éme,

65. Se dersà t’ rrije tok fisi i Shqyptarit
Nen hije t’ ktij emblemi t’ ém t’ bekuem,
Zot m’ veti e i lirë gjithmonë ai ka me kènun”.
Kshtù tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet
Palosun n’ parsme Flamurin e Shqypnìs,

70. Hapë flatrat e prarueme e poshtë Empirit
Zhgjetë nper nji rreze drite dirgjet n’ Krue.
Kù Skanderbegut n’ dorë dhantìn e Zotit –
Flamurin e Shqypnìs – i a nep e kshillin
E t’ Lumit i a difton: se si Shqyptari

75. Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qìndroje.
Si ai njeri, qi trishtue një andrre s’ keqe,
Kùr gjumi i del, me vedi xèn e gzohet,
Se n’ hije e jo ì njimendtë iu tfaq rreziku:
Kshtù Skanderbegu nisë me u gzue me vedi,

80. Si Lajmi i qiellvet n’ dorë i a dha Flamùrin
E i tha se per nen hije t’ tij Shqypnija
E lirë e zojë m’ vetvedi p’herë do t’ jitte.
Edhe armatìset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Njeshë pallen n’ ijet – pallen t’ rrebtë, mizore,

85. E m’ patershanë, me pafta arenzi t’ mbathne,
Njet Flamurin kuq e zì, qi vetë i Amshuemi
E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,
Qi, fry turìjt, njuhatte erë të gjakut,
Hidhet porsi duhì e rrebtë. Prej millit

90. E zjerrë pallen mizore, e drejtë kah qiella
Heshten e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashunìs – po e zhdrivillon Flamùrin.
- Flamùrin e Atdheut t’ èm – qi tue gufue
Mallnueshem neper ajr të lirë t’ Shqypnìs

95. Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si njaj skundilli i petkut t’ Perendìs,
Qi, mirë qendisë me hàna, hyj e diella,
Prej krahve t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshem
I mvaret poshtë neper hapsi t’ Empirit,

100. Kah, pshtetë n’ stuhi e n’ flatra t’ rribës s’ Murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullìs.
E ashtù n’ atë dukë të rrebtë e t’ perfrigueshme
Me ‘i zà, si tue ulrue, prej kepit t’ Kruejes
Po u thrret Shqyptarve t’ vet e u thotë: “Ktù burra!

105. Ktù eni, o t’ bijt e Maleve! Shqyipnija
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqypnìs kreshnike,
Edhe nji çetë e vogel homeridash,
- Burrash si motit veç qi i bàte nàna -

110. Per rreth tij mblìdhen, e nen hije t’ Flàmurit
Nji bé të madhe bàjn e lidhin besen,
Se i pllâmë toke t’ Atdheut s’ ia lshojn Tartarit,
Po s’ e lán para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shèjtni tagresh

115. E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e m’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmorevet t’ malevet t’ thepisuna
Si rreshme bore prej ndo ’i kulmi t’ rryeshem,
Rrâjn fulikare permbi rradhe t’ Turqvet;

120. Të cillt, prej s’ largut tue u a pamun hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnerrshem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,

125. E bubullojn henikë edhe gopedra,
E vrrasin keqas të varruemt per dhé.
Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuemun pluhnìt,
Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Balkani.

130. Shkon gjaku rrkajë. T’ tànë fusha e gjànë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh àsht mblue. Hidhet,
Hingllon, trumhaset kali i Skanderbegut,
Kah thundra e mbathne kthelltë i humbë në dhé
Të rìjtun n’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzen,

136. Atëherë zot-madhi i Turqve pendohet Qi i rà kurr n’mend t’i mësyjë Shqypnìn mizore.

E sheh, po, vetë gjakbàsi, se rob s’ bàhet
Ai dhé, kù Flamuri kuq e zi valvitet.

(Nga vepra ‘Mrizi i Zànavet’, shtypshkroja “A. Gj. Fishta” Shkoder 1941)








All the contents on this site are copyrighted ©.