2016-01-16 14:35:00

Terror në Burkina Faso: Al Kaeda sulmon kryeqytetin


Terrorizmi me vulë xhihadiste vijon të godasë. Pas atentateve të përgjakshme në Indonezi e Somali, dje vuri në shënjestër shtetin afrikan të Burkina Fasos. Një grup njerëzish të armatosur sulmoi një hotel dhe një bar në zonën qendrore të kryeqytetit, Ouagadougu. Sulmi i armatosur, vepër e Al Kaedës së Maghreb-it, shkaktoi vdekjen e më se 20 vetëve. E menjëhershme, përgjigjja e forcave të sigurimit.

Strukturat e sulmuara mbrëmë frekuentohen nga perëndimorët dhe nga personeli i OKB-së. Prej këndej, ky ishte një objektiv interesant për terroristët, që e sulmuan me dy autobomba dhe me armë zjarri. Në hotelin Splendid ishte në vijim edhe një takim i nivelit të lartë. Milicët hynë  me vrull duke shtënë: vranë disa njerëz e disa të tjerë i rrëmbyen. Pastaj sulmuan me të njëjtën egërsi barin aty pranë. Dëshmitarët, që e panë me sytë e tyre ngjarjen, folën për një mori trupash, shtrirë përdhe, pa jetë. Në orët e para të natës nisi sulmi i rrufeshëm i forcave të sigurimit, që arriti t’i lirojë 63 pengjet, 33 nga të cilët, të plagosur. Ndërmjet tyre, edhe ministri i punës i Burkina Faso-s, Sawadogo. Sipas dëshmive të para, sulmuesit e armatosur duhet të ishin së paku tre. Të gjitha fluturimet e drejtpërdrejta nga Ouagadougu, devijuan kursin në drejtim të Nigerit fqinj. Gjendje alarmi edhe për forcat franceze dhe ato amerikane me qëndrim në vendin, ku pak kohë më parë u zgjodh presidenti i ri, Christian Kaboré. Duke folur për këtë ngjarje të rëndë, presidenti francez, Hollande, e quajti sulm të urryer e të ulët, që goditi Ouagadougu. Forcat franceze, përfundoi, janë angazhuar ta mbështesin Burkina Fason.








All the contents on this site are copyrighted ©.