2016-01-15 18:06:00

Vizitë e palajmëruar e Papës Françesku në një shtëpi të moshuarish


Pa lajmëruar e pa bujë, Papa Françesku shkoi sot për vizitë në një shtëpi të moshuarish në Romë. I shoqëruar nga kreu i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, organizator i Jubileut të Mëshirës, imzot Rino Fisichella, Ati i Shenjtë u takua me 33 të moshuarit, që po e kalojnë pleqërinë në Shtëpinë “Bruno Buozzi” në periferi të kryeqytetit italian. Nuk mund të përshkruhet gëzimi i madh i të moshuarve, të cilët nuk e prisnin fare Papën, që i përshëndeti një e nga një.

         Para se të kthehej në Vatikan, vizitoi edhe Shtëpinë Iride, ku banojnë 6 të sëmurë në gjendje vegjetative. Shtëpia Iride nuk është e organizuar si spital, por si shtëpi-familje, ku të sëmurët mund të asistohen vazhdimisht nga familjarët.

         Papa u kthye në Vatikan rreth orës 17.15. Këto vizita bëjnë pjesë në nismën “të premtet e mëshirës”, gjatë të cilave, Ati i Shenjtë dëshiron të kryejë një vepër shembullore mëshire. Bergoglio e nënvizon gjithnjë rëndësinë e të moshuarve, sidomos të gjyshërve dhe, i jep vlerë vazhdimisht dinjitetit të jetës në çdo situatë.








All the contents on this site are copyrighted ©.