2016-01-15 14:30:00

Të tregosh mëshirën e Zotit (Pjesa II)


Javën e kaluar prekëm temën aspak të lehtë: “Të  tregosh mëshirën e Zotit”. Në pjesën e parë të tregimit tonë u ndaluam tek mëshira, si epiqendër e botës, prej nga Zoti shikon e vepron, pa kurrfarë kufiri për mëshirën:

Pjesa e dytë  i kushtohet teologjisë të mëshirës së Atit, historisë së shëlbimit, takimit të Zotit me njeriun, në këndvështrimin e përhershëm të faljes, paqes, pajtimit. Gjithnjë në kuadrin e Vitit Jubilar të Mëshirës.

Mbetëm, në pjesën e parë, tek fjalët e Palit: “Them se Krishti u shërbeu rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Zotit të vërtetë, për t’i përmbushur premtimet dhënë etërve e që paganët ta lumnojnë Zotin për mëshirën e Tij” (Rom 15,8-9).

 Paganë e judenj, të gjithë janë të barabartë para syve të Zotit, sepse të gjithë mëkatuan e të gjithë kanë nevojë absolute për mëshirën e Tij. E kjo është edhe teologjia e Letrës drejtuar Romakëve, përmbledhur më pas, me mprehtësi e forcë të veçantë, në Letrën drejtuar Efezianëve (2, 4-7):  “Porse Hyji, i pasur me mëshirë, falë dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, ne, që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin; me të na shëlboi përmes hirit që, me mirësinë e Tij ndaj nesh në Jezu Krishtin, ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e vet të parrëfyeshme”.

Zoti na shëlbon për shkak të mëshirës së Tij. Fjala kyçe e gjithë historisë njerëzore në marrëdhënie me Zotin, është mëshira. E një nga aspektet themelore të mëshirës së Zotit, është dashuria pa asnjë shpërblim për ne, mëkatarët. Dashuria e mëshira e tij janë falas. Që nga çasti kur Zoti vendosi të zbriste pranë njeriut për ta njohur nga afër, mori vendim ta  falte. Kur Zoti takohet me njeriun, do të thotë se dëshiron ta njohë, të pajtohet me të,  ta falë.

Historia e shëlbimit nuk është tjetër, veçse histori e takimit, që bëhet i plotë e vendimtar në Krishtin: “Kur u dëftua mirësia e Hyjit, shëlbuesit tonë dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, ai na shëlboi jo në sajë të veprave tona të drejta, por në sajë të mëshirës së vet, përmes pastrimit të rilindjes  dhe të ripërtritjes, që na e jep Shpirti Shenjt, i dikuar begatisht mbi ne, nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë që, të shfajsuar me anë të hirit të Tij, të jemi, falë shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur (Tt 3,4-7). Pikërisht sepse jepet krejtësish falas, pa asnjë detyrim për mëkatarin, mëshira kërkon që njeriu  ta pranojë e t’i besojë. E edhe ta ndjejë se Zoti është gjithnjë pranë, gati për t’i dhuruar mëshirën e tij. Kur thua mëshirë, ke thënë diçka të padëgjuar mbi jetën intime të Zotit. Kur thua mëshirë, nuk ke thënë vetëm se Zoti pajtohet me njeriun, por edhe se ka dhembshuri për të.  E pikërisht këtë mister mendja njerëzore nuk arrin ta kuptojë. Nuk mund ta kuptojë plotësisht Zotin, në realitetin e Tij. Kjo i kapërcen të gjitha aftësitë e mendimit njerëzor. Është mister i begatisë së pafundme të dhuratës së Zotit, të përdëllimit të Tij, deri në atë masë, sa ta nxisë Palin të brohorasë: “Zoti i ngujoi të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë. O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe dijes së Hyjit! Sa të papërshkueshme janë gjykimet e Tij, sa të pashqyrtueshme, udhët e Tij. E njëmend, kush mund ta njohë mendimin e Zotit? O kush i dha më parë diçka, që të presë prej Tij shpërblim? Sepse gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të e në Të” (Rom 11,32.36).

Kur themi se Zoti është i mëshirëshëm, ky nuk është epitet i dorës së dytë: është vetë fytyra e dashurisë së Zotit për ne. Prandaj Zoti nuk pendohet kurrë për mëshirën e tij të pambaruar. Mëshira buron nga dashuria e pafundme dhe e amshuar e Zotit.

“Zoti është dashuri” - shkruan Shën Gjoni Ungjilltar. Është mëshirë, që e shlyen plotësisht mëkatin. E mëshira, që dëftohet përmes Vetjes së Krishtit nuk është kurrë arrogante. Është mëshirë e shërbëtorit zemërbutë e të përvujtë.  Nuk bie nga lart, nuk rri larg, afrohet me thjeshtësi çarmatosëse. E ky nuk është sentimentalizëm. Është vetë zemra e Zotit, që ta shlyen me të vërtetë mëkatin. E të shtyn të falësh, të ngrihesh përsëri në këmbë, pas rrëzimit, të ecësh e të prijsh në rrugë të drejtë. Nganjëherë thuhet se ngulmimi i krishterimit mbi mëkatin është shndërruar në një sëmundje të vërtetë, duke e mbushur me ankth njerëzimin. E ky interpretim ka shumë mundësi ta ketë burimin edhe nga mënyra e paraqitjes së të vërtetave të krishtera nga ana e ndonjë rrëfyesi. E ndokujt, që harroi se mëkati nuk mund të shikohet kurrë i shkëputur nga falja e nga mëshira e Zotit.

Mëshira ka aftësinë ta zgjojë mëkatarin: “Po u rrëzova, do të çohem përsëri; nëse rri në errësirë, Zoti është drita ime” (Mikea 7,7-9). Së fundi mëshira është fjala e parë dhe e fundit e fesë. Barra e rëndë e jetës, plot vështirësi, mundim e ashpërsi, merr një pamje të re, një kuptim të ri, një ngjyrim të ri, plot dritë e shpresë. Bota, me të mirat e të këqijat e saj, bëhet shumë më e pranueshme. Njeriu, ndërmjet pengesash e vuajtjesh, e ndjen se nuk është vetëm. Se e ka gjithnjë pranë një dorë, e cila shtrihet drejt tij, kur rrëzohet, e ngre përsëri, e ndihmon të ecë përpara. Gjithnjë drejt dritës. Njeriu  ndjen ngrohtësinë atërore e amtare të Zotit. Vetëm parë me këtë sy, mund  ta kuptojmë domethënien e ngjarjeve të jetës sonë e të historisë sonë mbi këtë tokë. Kjo është zbulesa tronditëse, përballë tragjedive njerëzore: “Ju jeni dëshmitarët e mi. Ju zgjodha, që të më njihni, e të besoni në mua e ta kuptoni kush jam unë”. Kush beson, merr guximin t’i lexojë ngjarjet në gjuhën e mëshirës, të dashurisë e të mirësisë së Zotit për ne. Fiton, kështu, aftësinë ta  mbushë me dritë dramën e vet e të historisë njerëzore. Na e kujton Psalmi 103/102,8: “I mirë e i mëshirshëm është Zoti! I ngadalshëm në zemërim e i madh në mëshirë”.

E këtë frazë, Mateu Ungjilltar na fton ta shikojmë si njërën nga Lumturitë: “ Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7).   

 








All the contents on this site are copyrighted ©.