2016-01-15 14:51:00

Papa takohet me Jean Todt dhe lutet për Michael Schumacher


Papa Françesku priti dje në Vatikan, Jean Todt, presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilave (FIA), ish-administrator i deleguar i Ferrari-t, tani, i dërguar i veçantë i Kombeve të Bashkuara për Sigurinë Rrugore. U fol edhe për gjendjen shëndetësore të pilotit të njohur të Ferrar-it, Michael Schumacher. Të dëgjojmë vetë Jean Todt, në mikrofonin tonë:

         E pyeta Papën nëse donte të lutej për të dhe ai pranoi me dëshirë. Ishte ditë e bukur, e ngjeshur: në të vërtetë, erdhëm kryesisht për të folur mbi sigurinë rrugore e takimi qe pozitiv. E zgjerova diskutimin, duke përfshirë subjektet që më interesonin e natyrisht, Michael Schumacher-in e kam për zemër, siç e dinë të gjithë: është i familjes. Përveç Schumacher-it, i treguam Papës filmin e Luc Besson, “Save Kid’s Lives”(Shpëtoni jetën e fëmijëve), i cili i bëri shumë përshtypje. E informuam se çdo ditë, 500 fëmijë vdesin në aksidente rrugore, ndërsa 20 mijë të tjerë plagosen. Çdo vit, në rrugë e përfundojnë jetën 1,3 milion njerëz, ndërsa 50 milion të tjerë plagosen. Janë shifra, që nuk njihen edhe aq. E Papa pranoi menjëherë të nënshkruante disa “simbole” të rëndësishme, të cilat do t’i përhapim në të gjithë botën. Pastaj, na premtoi të na shoqërojë me lutje.








All the contents on this site are copyrighted ©.