2016-01-15 13:25:00

Françesku: feja nuk blihet, është dhuratë, që e shndërron jetën


"Si është feja ime në Jezu Krishtin?”. Kjo, pyetja që u drejtoi besimtarëve Papa gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku e mori shtytjen nga Ungjilli, për të pohuar se kush dëshiron ta kuptojë vërtet Jezusin, nuk duhet ta mbajë zemrën të mbyllur, por ta ndjekë Zotin në udhën e faljes e të përvujtërisë. Fenë, kujtoi, askush nuk mund ta blejë, është dhuratë, që e shndërron jetën.

Njerëzit bëjnë çmos t’i afrohen Jezusit, pa menduar se mund të rrezikohen  vetëm duke e dëgjuar, ose duke e cikur në kalim. Këtë nënvizoi Papa, duke marrë shtytje nga Ungjilli i Markut, që flet për shërimin e ulokut të Kafarnaos. Të shumtë, njerëzit përballë shtëpisë, ku ndodhej Jezusi. Aq, sa u desh të zbulohej çatia e të hidhej brenda shtroja me gjithë të sëmurin. Kishin fe, komentoi Papa, fenë e asaj zonjës që, edhe në mes të turmës vigane, kur Jezusi po shkonte në Shtëpinë e Jairit, bëri si bëri e iu afrua aq, sa të mund t’ia prekte kindin e petkut, me bindjen se kjo cikje do ta shëronte. Dhe e shëroi. Fenë e centurionit, që pa t’i shërohej në çast shërbëtori i tij, në grahma të vdekjes. Kjo është fe e fortë, tha Françesku, fe guximtare, që shkon përpara, me zemër të hapur.

Po ta kemi zemrën të mbyllur, nuk mund ta kuptojmë Jezusin

Gjatë ngjarjes së paralitikut, vërejti Ati i Shenjtë, Jezusi bën një hap para. Në Nazaret, në fillim të misionit të Tij, kishte shkuar në Sinangogë e u kishte thënë të gjithëve se qe dërguar për të çliruar të shtypurit, të burgosurit, për t’u kthyer dritën e syve të verbërve, për të shpallur vitin e hirit, domethënë, vitin e faljes, të afrimit tek Zoti. Për të përuruar udhën drejt Zotit. E këtu bën një hap më shumë: jo vetëm i shëron të sëmurët, por edhe ua fal mëkatet:

“Ishin aty ata, që e kishin zemrën të mbyllur, por që e pranonin, deri në një farë pike, se Jezusi kishte aftësi shëruese. Shëron, mendonin, po, por për t’i falur mëkatet, kjo është e tepërt. Ky njeri shkon tepër larg. Nuk ka të drejtë ta thotë këtë, sepse vetëm Zoti mund t’i falë mëkatet. E Jezusi e dinte çka mendonin ata e u tha: ‘Pse i mendoni këto gjëra? I mendoni ngaqë e dini se Biri i Njeriut ka pushtetin – e ky është hapi para – edhe t’i falë mëkatet’. Çoju, merre e shëroju! Nis të flasë me këtë gjuhë, që në një farë mënyre fillon t’i çkurajojë njerëzit, madje edhe disa nga dishepujt, që e ndiqnin. E fortë, kjo gjuhë, veçanërisht kur fton për ta ngrënë Korpin e Tij, si rrugë për shëlbim”.

Të kërkojmë që feja në Jezusin ta shndërrojë jetën tonë

Duhet kuptuar, pohoi Papa Françesku, se Zoti vjen të na shpëtojë nga sëmundjet, por, mbi të gjitha, të na shpëtojë nga mëkatet tona, për të na shëlbuar e për të na çuar tek Ati. Për këtë u dërgua: të japë jetën për shëlbimin tonë. E pikërisht kjo është pika më e vështirë për t’u kuptuar, e jo vetëm nga skribët. Kur Jezusi tregon se ka një pushtet shumë më të madh se ai i njeriut, pushtet për të dhënë ndjesë, për të dhënë jetë, për të rikrijuar njerëzimin, edhe dishepujt e tij lëkunden, dyshojnë. E disa edhe nisen e shkojnë në punë të vet. E Jezusi, duke parë grupin e vogël, që vijon  ta ndjekë, i thotë, jo pa qortim: “Edhe ju doni të shkoni?”:

“Feja në Jezu Krishtin! Si është feja ime në Jezu Krishtin? Besoj se Jezusi është Zoti, është Biri i Zotit? E kjo fe, a ma shndërron jetën? A bën që në zemrën time të shpallet ky vit hiri, ky vit faljeje, ky vit afrimi tek Zoti? Feja është dhuratë. Askush ‘nuk e meriton fenë’. ‘Askush nuk mund ta blejë’. Është dhuratë. Feja ime në Jezu Krishtin a më çon në nënshtrim? Nuk them në përvujtëri, në nënshtrim, në pendim, në lutjen, që kërkon: ‘Më fal, o Zot. Ti je Hyj. Ti mund t’m’i falësh mëkatet!’”.

Prova e fesë sonë është aftësia për ta lavdëruar Zotin

Zoti, u lut Papa, na bëftë të rritemi në fe! Njerëzit, vijoi, e kërkonin Jezusin për ta dëgjuar, sepse fliste me autoritet, jo si flasin skribët. Edhe, shtoi, e ndiqte, sepse shëronte, bënte mrekulli. Por, në fund të fundit, po këto njerëz, pasi e panë gjithë këtë, shkuan e të gjithë mrekulloheshin e lavdëronin Zotin:

“Lavdërimi. Provë që tregon se unë besoj se Jezu Krishti është Zot në jetën time, se u dërgua për mua, që të më falte. Ky është lavdërimi, nëse kam aftësi ta lavdëroj Zotin. Lavdi është falas, pa asnjë shpërblim. Është ndjesi, e cila ushqehet nga Shpirti Shenjt e të shtyn të thuash: ‘Ti je i vetmi Zot, që fal. Ti na jep vitin e hirit e fenë, që na  çon tek lavdërimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.