Sot më 15 janar kalendari Kishtar përkujton shën Palin, vetmitar i parë.
Shën Pali, themelues i vetmitarëve, lindi në Tebaidën e poshtër rreth vitit 234.
Në moshën 15 vjeçare iku në shkretëtirë, si Jezu Krishti, për të jetuar në varfëri
të plotë, larg çdo pasurie e lakmie njerëzore. Zgjodhi një shpellë për banesë; një
palmë për ushqim e veshmbathje; një gurrë uji për të shuar etjen; një copë bukë, që
ia sillte një korb çdo ditë nga qielli, për të zgjatur jetën e tij të mrekullueshme.
E kështu Shën Pali vetmitar i shërbeu për shumë vjet, krejtësisht larg botës e i panjohur
për të, Zotit, Atij që s’gjeti vend ndërmjet njerëzve e u detyrua të shkonte për të
lindur në një shpellë.
Po Pali nuk ishte vetëm: në shpellën e tij banonte edhe Zoti. Kështu me të filloi
jeta e eremitëve apo vetmitarëve të cilët, për folur me Zotin, hoqën dorë nga shoqëria,
madje edhe nga çdo lloj takimi me njerëzit. Ishin engjëj tokësorë, ndër të cilët u
duk, për t’u dhënë mësim shekujve të ardhshëm, pushteti e pasuria e Zotit, që i mjafton,
edhe e vetme, çdo krijese.
Mrekullohemi para figurave si ajo e Shën Palit vetmitar, përmes të cilave shikojmë
sesi misteri i Zotit të mishëruar mundi ta lartojë natyrën njerëzore të rënë nën skllavërinë
e ndjenjave, të dehur nga etja e pashuar për të mira tokësore.
E megjithë jetën thellësisht të vetmuar, megjithë kundrimin mbinjerëzor, njerëzit
si Shën Pali nuk u shkëputën kurrë nga Kisha dhe nga betejat e saj të lavdishme. Nga
thellësia e shpellës së tij, i ndriçuar nga një dritë e mbinatyrshme ndiqte luftërat
e Kishës kundër arianizmit, bashkohej me mbrojtësit e Fjalës së Mishëruar të Hyjit,
i kundërvihej çdo sulmi të pabesë kundër Zotit.
Emri i Palit, atë i vetmitarëve, lidhet ngushtë me atë të Shën Andout Abat, atit të
Çenobitëve apo të njerëzve që mbylleshin gjithë jetën në kuvende. Që të dy mënyrat
e jetesës burojnë nga e njëjta gurrë, nga Grazhdi i Betlehemit.
Shën Pali vetmitar jetoi në shkretëtirë 113 vjet. Trupi i tij i vdekur u mbart në
Kostandinopojë nën perandorinë e Manuel Komnenit, më pas në Venedik e në bashkësinë
e vetmitarëve të Budës, në Hungari. Jetën e tij e shkroi Shën Jeronimi në vitin 376.
All the contents on this site are copyrighted ©. |