2016-01-14 15:19:00

Kuvendi i Arbërit dhe mbrojta identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve


Kuvendi kishtar i Abërit mbrojti identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve. Si sot, më 14 e 15 janar të vitit 1703, në Mërqi, afër Lezhës, u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit XI Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.

Është thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare, u mbledh në një situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare, e jo vetëm, në fenë islame.

Të joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë, do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, derisa në jetën publike paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’ apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona shqiptare, si në Kosovës në pjesën e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë, në zonë të Istogut e të Mallishevës. Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi kishtar i Arbërit.

Ndërsa, përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e kufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kisha e kuvendeve rregulltare - manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga turqit ishte edhe luftim kundër orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore evropiane.

Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë.

Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen e rritjen e klerit si dhe për lirinë e kultit e të popullit.

Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati katolikë shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve e kremtimin e riteve liturgjike, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror, nën sundimin otoman, me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë, e sidomos me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar e të gjuhës shqipe.

E vendimet e Kuvendit kishtar të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar.

Në përfundim, dekretet, pra vendimet e Koncilit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin "Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin".

Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me letrën që vijon, përmes së cilës shihet qartë se kleri shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar pothuajse mbi treqind vjet që kur u shkrua, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin:

“Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, - uh, ç'dhimbje, - vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.
Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m'u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s'pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.
Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t'iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.
Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate.
Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n'e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t'u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t'ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe…
Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre”.

Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI

Po radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:
Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni.
Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.
Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.
Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.
Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.
Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.
Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t'Arbënisë.
Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.
Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.

Materialet e punimeve të Kuvendit të Abërit u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.

Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.
Teksti shqip i Kuvendit kishtar të Arbenit, përveç se në aspektin kishtar e teologjik, është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es edhe për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.