2016-01-14 00:00:00

Jubileu: Viti Shenjt i Mëshirës: Ndjesa


Ndjesa është në qendër të vëmendjes së Jubileut, e edhe të emisionit të 22-të të rubrikës sonë radiofonike, që i kushtohet Vitit të Shenjtë të Mëshirës Hyjnore.

Ç’kuptim ka fjala “ndjesë”

Ndjesa është shprehje e veçantë e mëshirës së Zotit, të cilën Kisha ia lyp Atit të gjithëpushtetshëm e ua jep besimtarëve në rrethana të ndryshme e në kushte të caktuara. Megjithatë praktika e ndjesës nuk i ka shpëtuar keqkuptimeve në rrjedhë shekujsh. Pse?

Keqkuptime e interpretime të ndryshme

Në vitet e para jubilare dëgjohej shpesh shprehja “fiton ndjesën”, që Papa Françesku nuk e përdor më. Pikërisht një shprehje e tillë rrezikon të krijojë bindjen e  gabuar se ndjesa mund të fitohet me rrugë të ndryshme, ndoshta jo edhe aq shpirtërore. Me pak fjalë, falja e  Zotit mund edhe “të blihet”. E me që ndjesa nuk shitet, nuk blihet e as nuk merret, shprehja më e përshtatshme për këtë rast do të ishte “ta nxjerrësh” nga Zoti këtë hir, me fe e me vepra dashurie të krishterë.

Zakoni i lashtë e ai i ri

Pali VI ishte Papa i parë që e shmangu zakonin për ta llogaritur ndjesën me ditë, muaj e vite, lidhur me zgjatjen në kohë të pendesave publike. Ishte fjala për faljen në qiell të pendesës për mëkatet e kryera, në përkim me pendesën e bërë gjatë një numri të caktuar ditësh, muajsh ose vitesh mbi këtë tokë; periudhë pendese, kjo, që në mesjetë u imponohej kryesisht fajtorëve për mëkate të rënda.

Ndjesa mund të jetë e plotë ose e pjesshme

Duke pasur parasysh vërtetësinë dhe sinqeritetin e pendimit, Papa Françesku shkruan se ndjesa  plenare është  mëshirë e plotë hyjnore. Përmes Kishës, arrin në shpirtin e mëkatarit të falur dhe e pastron nga çdo gjurmë, pasojë e mëkatit. E bën, kështu, të aftë të veprojë me frymën e bamirësisë, të rritet në dashuri e të ruhet nga rreziku i rënies përsëri në mëkat.

Gjurma e mëkatit

Mëkati nuk shlyhet pa lënë asnjë shenjë: një gjurmë, sado të zbehtë, negative e lë në  shpirtin tonë, në jetën tonë, në sjelljen tonë. E kjo gjurmë na pengon të ecim me besnikëri të plotë në rrugën e Ungjillit.

Kisha

Tani Kisha, si familje e vërtetë, vë në dispozicion të bijve të vet të gjitha pasuritë e mundshme, domethënë, meritat e të drejtëve, për t’i përballuar papërsosuritë e kthesës sonë. Pjesëmarrja në këtë begati shenjtërie,  shprehet me gjeste të cilat, duke shtuar Sakramentin e Rrëfimit e të Kungimit, tregojnë lidhjen tonë të ngushtë me Kishën. Kujtojmë këtu  shtegtimet, bamirësinë e uratën në bashkim me ndjetet e Papës.

Pasuri shenjtërie, që ndihmon të gjallë e të vdekur

Në këtë pasuri shenjtërie, përmes bashkimit me Krishtin, që vijon edhe pas vdekjes, mund të marrin pjesë edhe të shuarit tanë të dashur, që paraqiten para Zotit të papastruar plotësisht nga gjurmët e mëkatit. Prej këndej, vlera e lutjes sonë për të nxjerrë hirin e Mëshirës hyjnore për ata që, duke e lënë trupin e vdekshëm mbi tokë, vijojnë të jetojnë në një përmasë krejt tjetër.

Kjo është ndjesa e Jubileut, për të cilën folëm sot, ndërsa në emisionin e ardhshëm do të flasim për vlerën e Sakramentit të Rrëfimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.