2016-01-14 16:24:00

Ipeshkvijtë, të krishterëve të Tokës Shenjte: nuk do t’ju harrojmë


“Ju nuk do të harroheni”: ky është mesazhi, që ipeshkvijtë e Koordinimit të Konferencave Ipeshkvnore në mbështetje të Kishës në Tokën Shenjte (Holy Land Coordination, HLC), përbërë nga prelatët e SHBA-ve, BE-së, Kanadasë dhe Afrikës së Jugut, lanë në fund të vizitës së tyre në bashkësitë e krishtera të Gazës, Betlehemit dhe ndër refugjatët irakianë e sirianë në Jordani.

T’u jepet zë atyre, që s’kanë zë

Siç njofton agjensia kishtare Sir , në komunikatën e vizitës, që nisi më 7 janar e përfundoi sot, ipeshkvijtë shkruajnë: “Marrim me vete përvojën dhe historitë, që dëgjuam e, jemi të vendosur t’u japim zë atyre, që s’kanë zë. Dhuna në vijim e bën edhe më urgjente që të kujtohemi e t’i ndihmojmë të gjithë, sidomos të mënjanuarit, të cilët përpiqen të jetojnë në drejtësi e paqe”.

Banorët e Gazës jetojnë si në burg

Ipeshkvijtë përmendin të gjithë ata, që gjatë luftës së vitit 2014 në Gazë, kanë humbur shtëpitë e kanë pësuar trauma të thella. Pavarësisht nga shenjat e shpresës, nënvizojnë, bllokimi vijon t’ua nxijë jetën, sikur të ishin në burg. E megjithatë, aftësia e shumë të krishterëve e myslimanëve për ta mbështetur e përkrahur njëri-tjetrin, është shenjë shprese e shembull për të gjithë.

Muri i Kremizanit dhunon të drejtat ndërkombëtare

“Nuk do t’ju harrojmë” i thonë ipeshkvijtë edhe bashkësisë se Beit Jala, së cilës izraelitët i kanë konfiskuar tokat për të ndërtuar Murin ndarës të luginës së Kremizanit, duke dhunuar kështu ligjin ndërkombëtar e duke minuar shpresat për paqen izraelito-palestineze. Prelatët premtojnë se do ta ngrenë zërin në nivel kombëtar e botëror. Ata e njohin të drejtën e Izraelit për të jetuar në siguri, por nënvizojnë se pushtimi 50-vjeçar e përhapja e ngulimeve hebraike cënon shpirtrat e të dy popujve, që nuk arrijnë të jetojnë në paqe.

Në Jordani, takimi me refugjatët e krishterë, të ikur nga Isis

Çast i rëndësishëm i vizitës së sivjetme qe edhe takimi me refugjatët e krishterë, strehuar në Jordani për të ikur nga dhuna e milicëve të Isis-it. Për shumicën e tyre, nënvizojnë ipeshkvijtë, kthimi në shtëpi është i pamundur. Jordania po bën ç’është e mundur, pasi një e katërta e popullsisë së saj, përbëhet tani nga refugjatë. Por, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë. “Shpresohet – përfundon komunikata – që hyrja në fuqi, më 1 janar, e Marëveshjes globale ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, të na japë një model dialogu e bashkëpunimi ndërmjet shteteve, që respekton e mbron lirinë e fesë dhe lirinë e ndërgjegjes për të gjithë popujt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.