2016-01-13 13:42:00

“Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnia!”: dokumentari i TV2000


Nesër, 14 janar, në orën 22.30, kanali televiziv kishtar italian TV2000 do të transmetojë pjesën e parë të një dokumentari me dy pjesë mbi martirizimin fetar në Shqipëri, me regjizor Umberto Rondin. Pjesa e parë titullohet “Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnia!”, ndërsa e dyta, e cila do transmetohet javën e ardhshme, gjithnjë të enjten, më 21 janar, menjëherë pas filmit, titullohet “Nuk mund të vritet Zoti”. Regjizori, i ndihmuar nga një shoqërues shqiptar e nga dashamirë të tjerë, ka shëtitur gjerë e gjatë Shqipërinë, duke marrë intervista e duke xhiruar në vendet e persekutimit, duke mbledhur dëshmi e duke pyetur ekspertë e studiues, duke shfrytëzuar imazhe arkivash e intervista të mëparshme, për të nxjerrë në pah historinë  e dhimbshme të martirëve të fesë, të këtyre “ushtarëve të panjohur” për Perëndimin e, nganjëherë, edhe për vetë shqiptarët. “U detyrohemi shumë atyre – shkruan në një mesazh vetë regjizori – nëse Shqipëria rigjeti lirinë dhe demokracinë e nëse të gjithë ne mund të gjejmë shembuj të ndritur e të mrekullueshëm koherence dhe dinjiteti të lartë, për të cilët kemi shumë nevojë sot”.

Ndër personazhet, që duken në video, janë kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, don Ernest Troshani, atë Ernesto Santucci, don Marian Paloka, atë Flavio Cavallini, don Gjergj Simoni, don Gjergj Meta, atë Viktor Dema, atë Aurel Gjerkaj, motër Maria Kaleta, motër Pina Shestani, motër Marjeta, Willy Kamsi, Primo Shllaku, Mikel Qeka, Injac Kabashi me bashkëshorten, Simon Mirakaj, Simon Shkreli, Paulin Pali, Zef Vokrri e Lulja, bija shpirtërore e don Simon Jubanit, që i shërbeu atij me devocion deri në kalimin në amshim. Gjithashtu, nga arkivi i regjizorit, tingëllojnë sërish dëshmitë e atë Zef Pllumit, françeskan, dhe të atë Anton Lulit, jezuit. Xhirimet për dokumentarin u bënë në prill të vitit 2014. Vizita e Papës Françesku, në shtator, e pasuroi dhe i dha më shumë vlerë dokumentarit, pjesa e parë e të cilit transmetohet nesër në TV2000. 








All the contents on this site are copyrighted ©.