2016-01-13 12:24:00

Papa: mëshira, kartë identiteti e Zotit. Libri–intervistë me Torniellin


“Mëshira, kartë identiteti e Zotit”: kështu shkruan Papa  në librin –intervistë me vatikanistin Andrea Tornielli, titulluar “Emri i Zotit është mëshirë” qysh dje në librari. Vëllimi përmban një bisedë të Papës me Andrea Torniellin, vatikanist i gazetës italiane “La Stampa” dhe koordinator i kanalit të internetit “Vatican Insider”. I shtypur nga Pieme, ndahet në nëntë kapituj e 40 pyetje. Kapaku është shkruar me dorë nga vetë Papa Françesku. Kopja e parë e vëllimit, në gjuhën italiane, iu dorëzua Atit të Shenjtë të hënën pasdite, në Shtëpinë së Shën Martës.

 

Intervista u regjistrua korrikun e kaluar

Korrik 2015. Shtëpia e Shën Martës. Papa Françesku sapo është kthyer  nga shtegtimi i tij në Ekuador, Bolivi e Paraguai. Është një pasdite me vapë mbytëse, kur pret gazetarin Andrea Tornielli, pajisur me tre regjistratorë. Mbi një  shkritore aty pranë, Papa ka në Konkordancë të Biblës, domethënë, një tregues analitik dhe analogjik të zërave dhe temave me interes baritor, të pranishme në Biblën italiane, si dhe citimet e Etërve të Kishës. Mëshira është tema e bisedës ndërmjet dy burrave, në këndvështrimin e Jubileut të jashtëzakonshëm, që do të hapej pesë muaj më pas. Tani frytet e këtij dialogu u mblodhën në një libër, me titull: “Emri i Zotit është mëshirë”.

Po ju njohim sot me sintezën e Kapitullit I, për të vijuar, ditë pas dite, me 39 të tjerët.

Titullohet: Është koha e mëshirës.

Kapitulli I: Është koha e mëshirës

Lutja, reflektimi për Papët e mëparshëm dhe një figurë e Kishës si “spital fushor”, që ngroh zemrat e njerëzve me afërsinë e saj, janë tre faktorët, shpjegon Papa, që e shtynë ta shpallë Jubileun e Mëshirës: “ Epoka jonë është kohë e përshtatshme për këtë, pohon, sepse sot jetohet një dramë e dyfishtë: ka humbur kuptimi i mëkatit, ndërsa konsiderohet edhe i pamjekueshëm, i pashërueshëm e i pafalshëm. Prandaj njerëzimi i plagosur nga shumë e shumë sëmundje shoqërore: nga varfëria, përjashtimi, skllavëria e mijëvjeçarit të tretë, relativizmi - ka nevojë për mëshirë, për këtë “letërnjoftim të Zotit”, Atij, që mbetet gjithnjë besnik, edhe pse mëkatari e mohon!

Kjo, pjesa I e Kapitullit I.  Nesër, vijimi, titulluar “Hiri i turpit e bën mëkatarin të vetëdijshëm për mëkatin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.