2016-01-13 14:45:00

Françesku: Zoti do si të ishte nënë, gjithnjë e besnikërisht


“Zoti preket në shpirt e përmallohet për ne, si nëna kur e merr foshnjën e vet në krahë”. Është një nga figurat, që Papa përdori në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. E, në të mërkurën e parë të vitit të ri 2016, nisi një cikël të ri katekizmi, kushtuar “mëshirës, shikuar me syrin e Biblës”, për ta mësuar mëshirën, theksoi, duke dëgjuar çka na mëson vetë Zoti, me Fjalën e Tij.

 

As rrufetë, as vetëtimat e as bubullimat e një Zoti zemrak dhe indiferent, nuk shkrepin mbi punët e njerëzve, sepse duket tepër lart e edhe tepër larg për t’u marrë me ta.  Kush e përdor këtë shprehje të stërpërsëritur, për të pohuar largësinë e Zotit, e bën këtë vetëm e vetëm sepse nuk e ka provuar kurrë afërsinë mahnitëse të Atit të mirë e të vëmendshëm. Ndërsa Zoti, kujtoi Papa në fillim të katekizmit, është pikërisht ashtu si thotë vetë për vetveten, në dialog me Moisiun, kur vetëquhet “i mëshirshëm e përdëllyes, i ngadalshëm në zemërim e i pasur me dashuri e besnikëri”.

Mirësi deri në  palcë

E kështu është Zoti që në krye e deri në fund të Biblës, shpjegoi Françesku, duke e nisur, me një vështrim mbi Besëlidhjen e Vjetër, ciklin e katekizmit të tij jubilar. Që në fillim, mëshira duket si emër i Zotit - pohoi Papa - shprehje kjo, që e përdori edhe si titull të librit të tij intervistë të sapo botuar. Françesku i shqyrtoi një nga një katër epitetet biblike të Zotit, duke nisur nga i pari: “Zoti është i mëshirshëm”:

“Figura, që kujton Bibla, është ajo e një Zoti që preket, përmallohet për ne, si nëna kur e merr foshnjën e vet në krahë, me një dëshirë të vetme: dëshirën për ta dashur, për ta mbrojtur, për ta ndihmuar, gati të japë për të gjithçka, edhe vetveten. Këtë figurë na kujton termi ‘i mëshirshëm’. Na kujton një dashuri, që depërton në të gjitha përmbrendcat, deri në palcë”.

Përqafimi i Atit

Epiteti i dytë, të cilin e gjejmë në  Librin e Daljes, është “i dhembshur”, në kuptimin, pohon Papa, plot me hir, plot me dhembshuri. E, në madhështinë e Tij, përkulet mbi të ligshtin e të varfërin, gati gjithnjë për ta pranuar, për ta kuptuar, për ta falur:

“Është ashtu, si ati i shëmëbëlltyrës që e takojmë në Ungjillin e Shën Lukës; atë, i cili nuk grihet nga mllefi e mëria, pas braktisjes së djalit të vogël, por përkundrazi, vijon ta presë, sepse është gjak nga gjaku i tij. E pastaj, sa e sheh, ngarend ta marrë në krahë, nuk e lë as ta mbarojë rrëfimin, aq i madh është gëzimi, kur shikon se iu kthye përsëri, se e gjeti prap djalin e humbur”.

Dashuri durimtare, pa interes, nxitëse

Përveç kësaj, vijoi Françesku, Zoti është i ngadalshëm në zemërim, sepse Ai është “frymëmarrja e pafundme e shpirtmadhësisë dhe e aftësisë për të mbartur, për të duruar”; aftësi, që njeriu nuk e ka e, posaçërisht, i kartërti epitet ky, është i madh në dashuri e besnikëri:

“Sa i bukur është ky përkufizim i Zotit(…). Fjala ‘dashuri’ e përdorur këtu, tregon dhembshurinë, hirin, mirësinë. Nuk është dashuri telenovele… Është dashuri, që bën hapin e parë, që nuk varet nga meritat njerëzore, por nga aftësia për të dhuruar pa fund e pa asnjë shpërblim. Është nxitje hyjnore, të cilën s’ka gjë që e ndal, as vetë mëkati, sepse mund e di të shkojë përtej mëkatit, të ngadhënjejë mbi të keqen e edhe ta falë”.

“Besnik përgjithmonë"

Për të përfunduar Françesku citoi një fragment nga Psalmi 121, që kremton Zotin si “Rojtar”, Zotin, që rri gjithnjë syhapur mbi njerëzimin; e më pas,  kujtoi një frazë, shkëputur nga Letra e Shën Palit, drejtuar Timoteut, kushtuar Zotit, i cili mbetet gjithnjë besnik, edhe përballë pabesisë njerëzore:

“Besnikëria në mëshirë është pikërisht qenia e Zotit. Prej këndej, Zoti është plotësisht i besueshëm. Është prani e fuqishme, e përhershme. E kjo, edhe siguria e fesë sonë. Atëherë, në këtë Jubile të Mëshirës,  t’ia besojmë plotësisht veten Atij, për të provuar gëzimin se duhemi nga ky Zot mëshirëmadh e përdëllimplotë, i ngadalshëm në zemërim e i madh në dashuri e në besnikëri”.

E, gjithnjë në frymën e Vitit Jubilar, Papa Françesku uroi, në përfundim të audiencës, që kapërcimi i Portës Shenjte t’u japë zemër të gjithëve për  t’iu kushtuar veprave të mëshirës trupore e shpirtërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.