2016-01-12 15:52:00

Libri i Papës: gëzim e mallëngjim me kard. Parolin e me Benigni-n


Libri-intervistë i Papës Françesku me gazetarin vatikanist Andrea Tornielli, u paraqit sot në “Augustinianum”. Për ta paraqitur para shtypit vëllimin “Emri i Zotit është Mëshirë”, përveç vatikanistit të “La Stampa”-s, qenë të pranishëm edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dhe aktori i njohur komik e regjisori italian, Roberto Benigni.

         “Ky libër – nënvizoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, moderator – është i çmuar pikërisht në kontekstin e Vitit Jubilar. Me këtë libër-bisedë, ne kuptojmë përvojën e mëshirës së Papës, në jetën e tij meshtarake, në shërbimin e tij, në përshpirtërinë e tij”.

         Është libër që hap dyer, nënvizoi kardinali Pietro Parolin. Synon t’u shpjegojë të gjithëve ç’është dhurata e madhe e Mëshirës Hyjnore, pa të cilën bota nuk do të ekzistonte. Papa Françesku është i bindur për rëndësinë e kësaj mëshire, jo vetëm për kthimin personal të secilit në udhën e Zotit, por edhe për marrëdhëniet ndërmjet shteteve e popujve.

         “Mesazhi i Papës – theksoi prelati – mesazhi i krishterë i mëshirës dhe i faljes, …ka të bëjë jo vetëm me kthimin e secilit prej nesh në udhën e Zotit, me shëlbimin e shpirtit të çdo njeriu; është diçka që ka të bëjë edhe me një popull, më një shoqëri, me një vend e, mund të na ndihmojë të lidhim marrëdhënie të reja e më vëllazërore, sepse kush e ka provuar mbi vetvete hirin e begatë të përqafimit të mëshirës, kush është falur e vazhdon të falet, mund ta kthejë së paku diçka nga çka marrë falas”.

         Mallëngjeu sallën dëshmia e të burgosurit kinez në Padova, Zhang Agostino Jianqing, i cili tregoi se pas viteve të dhunës, gjeti fenë pikërisht në burg, përmes një vullnetari, që pak nga pak e çoi drejt takimit me Zotin. Ai e falenderoi me fjalë prekëse Papën Françesku për kujdesin, që tregon gjithnjë ndaj të burgosurve, me zemrën e atit të mëshirshëm.

         E nga mallëngjimi, salla u zhyt së fundi në gëzimin shpërthyes me të cilin e mbushi aktori i njohur komik Roberto Benigni, që mes duartrokitjeve të të pranishmëve, vuri në dukje se vetëm me një Papë si Françesku mund të paraqitej në Vatikan një libër, me një kardinal venedikas, një të burgosur kinez e një aktor komik toskan. Së pari, ndjenjat që i zgjoi leximi i librit:

         “Është një libër, në të cilin – të themi – na përkëdhel, na përqafon, e na ‘dhembshuron’, që është term i shpikur nga Papa. Mëshira – kujdes! – nuk është virtyt e aq, nuk rri ulur në kolltuk… është virtyt aktiv, që lëviz: shikojeni Papën, nuk rri kurrë pa lëvizur! Lëviz jo vetëm zemrat, por edhe krahët, këmbët, këllqet, gjunjët, lëviz trupin e shpirtin, nuk ndalet kurrë! Shkon të takojë mjeranët, varfërinë, nuk rri rehat një sekondë…”.

         Benigni vazhdoi reflektimin e tij mbi Mëshirën, duke vënë në dukje se ajo, së bashku me faljen, është mesazhi më i fuqishëm, që del nga papnia e Françeskut:

         “E mëshira e Françeskut – kujdes këtu! – nuk është vizion i velët, elastik ose edhe më keq ‘i mirë me çdo kusht’ i jetës: jo! Është virtyt i rreptë, është sfidë e vërtetë, por jo vetëm fetaro-teologjike: është sfidë shoqërore, politike! Ajo, që po bën Françesku, është impresionuese. E si ia bën Françesku për ta fituar këtë sfidë, të themi, të pabesueshme? Çfarë ia jep forcën? Pikërisht ilaçi i mëshirës. E shihni vetë, ai shkon ta kërkojë atë ndër të mundurit, ndër të fundmit e të fundmëve. Ku shkoi publikisht kur filloi papninë? Në Lampeduzë, ku mbërrijnë pikërisht të fundmit e të fundmëve. E ku i hapi Portat e Shenjta të Jubileut? Në Afrikën Qendrore, në Bangui, në vendin më të varfër të varfanjakëve më të varfër të botës: pikërisht në vendin më të varfër shkon Françesku të gjejë afërsinë me dhimbjen e botës, me vuajtjen, sepse atje, në mesin e dhimbjes, lind mëshira”.

         Në një botë, që vetëm dënon, vijoi komiku toskan, Françesku kërkon mëshirën. E nuk e sheh atë në kah të kundërt me drejtësinë:

         “E atëherë, thonë, nëse falim gjithçka, ç’na duhet drejtësia vallë? Por, mëshira – na thotë Françesku – është drejtësia më e madhe. Drejtësia është minimumi i mëshirës. Mëshira nuk e fshin drejtësinë: nuk e zhduk, nuk e korrupton. Shkon përtej. Një botë, ku ka vetëm drejtësi, do të ishte një botë e ftohtë, apo jo? Ndjehet se njeriu nuk ka nevojë vetëm për drejtësi: ka nevojë edhe për diçka tjetër. E në libër, Papa Françesku na bën ta ndjejmë këtë, sepse burimi i papnisë së tij është pikërisht mëshira…”.

         Së fundi, vatikanisti Andrea Tornielli falenderoi të gjithë ata, që e ndihmuan për botimin e librit dhe e lidhi figurën e Bergoglio-s me atë të shën Gjonit XXIII, i cili i shihte me mëshirë mëkatarët, duke i përqafuar të gjithë, edhe të burgosurit, ashtu siç bën sot Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.