2016-01-11 13:52:00

Papa: të dëgjohet britma e emigrantëve, të përmbyset kultura e hedhurinave


Thirrje e fuqishme në mbrojtje të dinjitetit të njeriut e në veçanti, të emigrantëve, që ikin nga lufta e nga mjerimi, në kërkim të shpresës për të ardhmen. Ky është thelbi i fjalimit të gjatë e të apasionuar, që Papa Françesku shqiptoi sot, në Sallën Regia të Pallatit Apostolik, para Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, gjatë shkëmbimit tradicional të urimeve për Vitin e Ri 2016. Papa inkurajoi kombet dhe organizatat ndërkombëtare të gjejnë zgjidhje për situatat e krizës e të konfliktit dhe theksoi se për të arritur paqen, i duhet dhënë fund mjerimit, duhet mbrojtur ambienti, duhet mundur indiferenca e “përmbysur kultura e hedhurinave”. Selia e Shenjë ka marrëdhënie diplomatike me 180 vende, ndër të cilat edhe Shqipëria.

         Akoma tingëllon në vesh refreni, që Ati i Shenjtë e përdori gjatë gjithë fjalimit: “Sot, si atëherë”. Edhe sot, ashtu si dymijë vjet më parë, theksoi Papa duke cituar Shkrimin Shenjt, “dëgjojmë britmën e Rakelës, që qan bijtë e vet, sepse nuk janë më”. Para ambasadorëve të gjithë botës, Bergoljo bën të jehojë brenda njërës prej sallave më të bukura të Vatikanit, vajtimin e një nëne për vdekjen e të bijve:

         “Është zëri i mijëra njerëzve, që derdhin lot, në ikje nga luftra të tmerrshme, nga persekutime e dhunime të të drejtave të njeriut, ose nga paqëndrueshmëria politike apo shoqërore, të cilat e bëjnë shpesh të pamundur jetën në atdhe. Është britma e atyre, që detyrohen të ikin për të shmangur barbaritë e patregueshme kundër njerëzve të pambrojtur, si fëmijët apo invalidët, për t’iu shmangur martirizimit vetëm për shkak të përkatësisë fetare”.

         Ashtu si atëherë, u kthye sërish refreni, “dëgjojmë zërin e Jakobit, që u thotë bijve të vet, të ikin nga toka e tyre për të mos vdekur. “Është zëri - nënvizoi Papa - i atyre, që ikin nga mjerimi i skajshëm, për shkak se nuk mundin t’ia shuajnë urinë familjes apo të kenë kura mjekësore e arsimim, që ikin nga degradimi pa perspektivë e pa asnjë progres, ose edhe për shkak të ndryshimeve të klimës e të kushteve të skajshme klimaterike”.

Mos e ktheni në “normale” vdekjen e emigrantëve

“Fatkeqësisht - vijoi më tej Françesku - dihet se uria është një nga plagët më të rënda të botës sonë, me miliona fëmijë që çdo vit vdesin për këtë”. Të dhemb shpirti, ngriti zërin Ati i Shenjtë, kur këta emigrantë nuk hyjnë në sistemet botërore të mbrojtjes, mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare:

“Si të mos shohim këtu frytin e asaj ‘kulture të hedhurinave’, që vë në rrezik njeriun, duke flijuar burra e gra për idhujt e fitimit e të konsumit? Është e rëndë kur ngopemi me këto situata të varfërisë e të nevojës, me dramat e sa e sa njerëzve, duke i kthyer në “normalitet”. Njerëzit nuk ndihen më si vlerë parësore për t’u respektuar e mbrojtur, sidomos nëse janë të varfër apo invalidë, nëse ‘nuk na duhen më shumë’ – si të palindurit, në bark të nënës – ose, ‘nuk duhen më’ – si të moshuarit”.

Ta përmbysim kulturën e hedhurinave, askush të mos harrohet

Jemi bërë të pandjeshëm ndaj çdo forme shpërdorimi, vijoi Ati i Shenjtë, “duke filluar nga ai ushqimor, që është ndër më të neveritshmit, ndërsa ka kaq shumë njerëz e familje, që vuajnë nga uria dhe ushqimi i keq”. E këtu Papa kujtoi se në maj të këtij viti do të mblidhet Takimi i parë Humanitar Botëror, organizuar nga OKB-ja, e uroi të ketë sukses:

“Nevojitet impenjim i përbashkët, që ta përmbysë me vendosmëri kulturën e hedhurinave e të fyerjes së jetës njerëzore, në mënyrë që askush të mos ndjehet i lënë pas dore apo i harruar e që të mos flijohen jetë të tjera, për shkak të mungesës së fondeve e, sidomos, të vullnetit politik. Fatkeqësisht, sot si atëherë, dëgjojmë zërin e Judës, që na sugjeron ta shesim vëllain (Zan 37, 26-27). Është arroganca e të pushtetshmëve, që instrumentalizojnë më të dobtit, duke i kthyer në objekte për qëllime egoiste apo për llogari strategjike e politike”.

Të ndalet trafiku i njerëzve, mjaft me fëmijë të mbytur në det

“Aty ku emigracioni i rregullt është i pamundur, emigrantët detyrohen shpesh t’u drejtohen trafikantëve, ose kontrabandistëve të qenieve njerëzore, - nënvizoi sërish Ati i Shenjtë - megjithëse shumica janë të vetëdijshëm për rrezikun se mund të humbasin rrugës pasuritë, dinjitetin e deri jetën”:

“Në këtë perspektivë, bëj edhe një herë thirrje të ndalet trafiku i njerëzve, që i kthen ata në mall, sidomos më të brishtët e më të pambrojturit. E do të mbeten përherë të pashlyera në mendjet e në zemrat tona, imazhet e fëmijëve të vdekur në det, viktima të njerëzve të paskrupullt e të ashpërsisë së natyrës”.

“Pastaj, kush mbijeton dhe mbërrin në një vend, që e mirëpret, - theksoi Papa Françesku - mbart mbi vete plagët e pashlyeshme e të thella të kësaj përvoje, përveç atyre të tmerreve, që gjithnjë i shoqërojnë luftrat dhe dhunën”. Ati i Shenjtë vuri në dukje se shumë emigrantë do të ktheheshin me dëshirë në vendet e tyre, nëse do të gjenin kushte të përshtatshme sigurie dhe jetese. E këtu, nuk mund të mos përmendte të krishterët e Lindjes së Mesme, që janë larguar gjithnjë e më shumë nga tokat e tyre, në të cilat banojnë që nga fillimet e krishterimit.

T’i jepet fund tregtisë së armëve

         Shumica e shkaqeve të emigracionit, vijoi më tej Papa, mund të përballohej prej kohësh. Do të ishin parandaluar kështu shumë fatkeqësi, ose, së paku, do të ishin zbutur pasojat më mizore. E pastaj thirrja e fuqishme:

“Edhe sot e, para se të jetë tepër vonë, shumë mund të bëhet për të ndalur tragjeditë e për të arritur paqen. Por, kjo do të thotë të vihen në diskutim zakone e praktika të konsoliduara, duke filluar nga problematikat e lidhura me tregtinë e armëve, me problemin e furnizimit me lëndë të para e me energji, me investimet, me politikat financiare e ato të përkrahjes së zhvillimit, deri tek plaga e rëndë e korrupsionit”.

Papa kërkoi projekte me afat të mesëm e të gjatë për emigracionin, të tilla, që shkojnë përtej emergjencës. “Nga njëra anë, - nënvizoi Ati i Shenjtë - ato duhet të ndihmojnë efektivisht integrimin e emigrantëve në vendet mikpritëse e, njëkohësisht, të favorizojnë zhvillimin e vendeve të prejardhjes me politika solidare, që nuk duhet t’ua nënshtrojnë ndihmat, strategjive dhe praktikave ideologjike të huaja, ose të kundërta me kulturat e popujve, të cilëve u drejtohen”. Papa iu referua gjendjes dramatike në kufirin ndërmjet Meksikës e SHBA-ve, por u ndal veçanërisht në situatën e Evropës, e cila po përballon një nga flukset më të mëdha të emigracionit gjatë kohëve moderne, më të madh edhe se ai pas Luftës II Botërore.

Evropa të mos e braktisë frymën e vet solidare

         Emigrantët që vijnë nga Azia dhe Afrika, nënvizoi Papa, “shohin në Evropë një pikë referimi për parime si barazia para ligjit dhe pacënueshmëria e dinjitetit”. Megjithatë, zbarkimet masive në brigjet e Kontinentit të Vjetër duket se po e lëkundin sistemin e mikpritjes, “janë ngritur jo pak pyetje për mundësitë e vërteta të pranimit dhe të përshtatjes së njerëzve”. “Po aq e rëndësishme – vuri në dukje Ati i Shenjtë - është edhe frika për sigurinë, rritur jashtë mase nga kërcënimet e shfrenuara të terrorizmit ndërkombëtar”:

“Vala aktuale e emigracionit duket sikur minon bazat e asaj “fryme humaniste”, që Evropa e do dhe e mbron prej kohësh. Megjithatë, nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë vlerat dhe parimet e humanizmit, të respektit për dinjitetin e çdo njeriu, të susidiaritetit dhe të solidaritetit të ndërsjelltë, pavarësisht se në disa çaste të historisë, ato mund të përbëjnë një barrë të rëndë për t’u mbajtur. Prandaj, dëshiroj të ritheksoj bindjen time se Evropa, e ndihmuar nga trashëgimia e saj e madhe kulturore dhe fetare, i ka mjetet për të mbrojtur centralitetin e njeriut e për të gjetur ekuilibrin e drejtë para detyrës së dyfishtë morale për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të vet dhe për të garantuar asistencën dhe mikpritjen e emigrantëve”.

Italia të mos e dobësojë ndjenjën e mikpritjes

         Papa shprehu mirënjohje për shumë shtete e organizata botërore, që kanë favorizuar mikpritjen dinjitoze të emigrantëve. Përmendi veçanërisht Libanin e Jordaninë, Turiqnë e Greqinë e pastaj u ndal tek Italia, e cila, edhe aktualisht, mban në territor një numër të konsiderueshëm refugjatësh:

         “Mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh Italisë, impenjimi i vendosur i së cilës shpëtoi shumë jetë në Mesdhe… . Uroj që ndjenja tradicionale e mikpritjes dhe e solidaritetit, që e dallon popullin italian, të mos dobësohet nga vështirësitë e pashmangshme të çastit, por në dritën e traditës së tij mijëra vjeçare, të jetë i aftë të mirëpresë dhe të integrojë kontributin shoqëror, ekonomik dhe kulturor, që mund të ofrojnë emigrantët”.

Ekstremizmi gjend vend në zbrazëtirën e vlerave

Është e rëndësishme, nënvizoi më tej Papa Françesku, që vendet në linjën e parë të frontit në përballimin e emergjencës aktuale të mos lihen vetëm. Vendimet e marra nga një vend i vetëm ndikojnë mbi gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Gjithashtu, vijoi Ati i Shenjtë, “në përballimin e çështjes së emigracionit, nuk mund të lihen mënjanë ndikimet kulturore, që lidhen me të, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me përkatësinë fetare. Ekstremizmi dhe fundamentalizmi gjejnë terren pjellor jo vetëm në instrumentalizimin e fesë për qëllime pushteti, por edhe në zbrazëtinë nga idealet dhe në humbjen e identitetit – edhe fetar – që dramatikisht karakterizon të ashtuquajturin Perëndim. Nga kjo zbrazëti – pranoi Papa - lind frika, që na nxit ta shohim tjetrin si rrezik dhe si armik, na shtyn të mbyllemi në vetvete, të ngulim këmbë në qëndrime paragjykuese. Prandaj, fenomeni i emigracionit ngre pyetje serioze kulturore, të cilave nuk mund të mos u përgjigjemi”:

“Mikpritja mund të jetë pra, rast i volitshëm për të kuptuar sërish e për ta hapur horizontin, si për atë që pritet, i cili e ka për detyrë të respektojë vlerat, traditat dhe ligjet e bashkësisë që e mirëpret, ashtu edhe për këtë të fundit, e thirrur të vlerësojë çdo gjë që mund të ofrojë çdo emigrant në favor të krejt bashkësisë. Në këtë kuadër, Selia e Shenjtë rinovon impenjimin e vet në fushën ekumenike dhe ndërfetare për të arritur në një dialog të sinqertë e besnik, i cili, duke vlerësuar veçoritë dhe identitetin e secilit, të favorizojë bashkëjetesën e harmonishme ndërmjet të gjitha grupeve shoqërore”.

Nuk mund të vrasim në emër të Zotit

         Papa Françesku theksoi më pas se bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve të ndryshme është e mundur aty ku njihet liria fetare. Vetë feja, e jetuar me vërtetësi, nuk mund të bëjë tjetër, veçse të nxisë hapat në udhën e paqes. Ati i Shenjtë kujtoi udhëtimet e tij apostolike, që kanë si bazë të përbashkët ndërtimin e urave të paqes ndërmjet popujve. Kujtoi veçanërisht Takimin e familjeve në Filadelfia, për të nënvizuar se familja, jashtëzakonisht e kërcënuar ditët e sotme, është shkolla e parë e mëshirës. Pastaj, u ndal në hapjen e Portës Shenjte në Bangui, në Republikën e Afrikës Qendrore:

         “Aty ku është abuzuar me emrin e Zotit për të bërë padrejtësi, desha të theksoj, së bashku me bashkësinë myslimane të Republikës Qendroafrikane, se ‘kush thotë se beson në Zotin, duhet të jetë edhe burrë apo grua e paqes’, pra, edhe e mëshirës, sepse nuk mund të vrasim kurrë në emër të Zotit. Vetëm ndonjë formë ideologjike dhe e devijuar e fesë mund të mendojë të vendosë drejtësinë në emër të të Gjithëpushtetshmit, duke masakruar pa skrupull njerëz të pambrojtur, siç ndodhi në atentatet e përgjakshme terroriste të muajve të kaluar në Afrikë, Evropë dhe Lindje të Mesme”.

Paqe për Sirinë dhe për popujt, që vuajnë për shkak të luftës

         Papa Françesku kujtoi me kënaqësi marrëveshjen për klimën në Konferencën e Parisit dhe kërkoi që impenjimet e marra të mos mbeten në letër. Gjithashtu, uroi të gjendet një zgjidhje politike për konfliktin aktual në Siri dhe për krizën izraelito-palestineze. Kërkoi paqe edhe për Libinë e për vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Ati i Shenjtë inkurajoi ftohjen e gjakrave në rajonin e Gjirit Persik, pas marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe shprehu shqetësim për eksperimentet atomike në gadishullin korean. Në Vitin Shenjt të Mëshirës, Papa Françesku nënvizoi se sfida është “ta mposhtim indiferencën për të arritur së bashku paqen”. Selia e Shenjtë, përfundoi, “nuk do të reshtë kurrë së punuari që zëri i paqes të dëgjohet deri në kufijtë më të skajshëm të tokës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.