2016-01-11 16:25:00

Papa do ta kremtojë të Mërkurën e Përhime në Shën Pjetër e jo në Aventin


Më 10 shkurt, në të Mërkurën e Përhime, Papa Françesku do ta kremtojë meshën në orën 17.00, jo sipas traditës në kodrën e Aventinit, por në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Kjo shihet nga agjenda e Atit të Shenjtë, bërë e njohur nga mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, imzot Guido Marini. Këtë vit, përveç ritit të zakonshëm të bekimit të hirit e të përhimjes, parashikohet që Papa të kryesojë ceremoninë e dërgimit të Misionarëve të Mëshirës, të cilët kanë për detyrë të shlyejnë mëkatet e rënda gjatë Jubileut.

Ndër veprimtaritë e ardhshme të Atit të Shenjtë, veçojmë edhe Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, me Lutjet Mbrëmësore, kryesuar nga Papa në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, të hënën, më 25 janar, në orën 17.30. Gjithashtu, spikat udhëtimi apostolik në Meksikë, nga 12 deri më 18 shkurt; mbyllja e Jubileut për Jetën e shuguruar, në program më 2 shkurt, në orën 17.30; festa e Paraqitjes së Zotit në Tempull e; mesha e së hënës, 22 shkurt, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 10.30, për Jubileun e Kuries Romake.








All the contents on this site are copyrighted ©.