2016-01-11 13:09:00

Nesër, në Romë, Benigni paraqet librin-intervistë të Tornielli-t me Papën


Vëllimi “Emri i Zotit është Mëshirë”, do të paraqitet nga artisti i mirënjohur italian, Roberto Benigni, së bashku me  kardinalin Parolin dhe me Zhang Agostin Jiangqing, nga burgu i Padovës. Paraqitja do të trensmetohet  drejtpërdrejt nga Tv2000 (kanali 28 dixhital tokësor), duke nisur nga ora 10.45 e do të mund të ndiqet edhe nga kanali i internetit lastampa.it.

Më 31 dhjetor 2014, në homelinë e mbajtur gjatë kremtimit të Lutjeve mbrëmësore në Te Deum-in e fundvitit, Françesku pati kujtuar një nga shprehjet e Benigni-t. Atë që fliste për mëkatin, i cili të bën skllav e  të largon nga Zoti. Frika se mund ta humbasë lirinë, kujtoi Françesku, e bën njeriun edhe më skllav se ishte.

“Thoshte pak ditë më parë një artist i madh italian,  kujtoi në atë kremtim Bergoglio, se Zoti e pati më lehtë t’i  hiqte  izraelitët nga Egjipti sesa ta hiqte Egjiptin nga zemra e izraelitëve”. U çliruan, po, “materialisht”, nga skllavëria, por gjatë marshimit nëpër shkretëtirë, mes vështirësish nga më të ndryshmet, ndërmjet të cilave, etja e uria, nisën ta kujtojnë me mall Egjiptin, ku hanin… qepë e hudhra!(Libri i Numrave 11,5).  Patën mall për qepët e hudhrat, që i hanin në sofrën e skllavërisë, nësa shtegtonin drejt Dheut të Premtuar! Kujtuan qepët, e harruan lirinë!

Artisti i madh italian, aktor e regjisor toskan, pak ditë më parë ishte protagonist i dy serive të RaiUno, kushtuar “Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot”  e, në serinë e  parë të programit të tij, pati përdorur pikërisht këtë figurë, shkëputur nga Shkrimi Shenjt, që vinte ballë për ballë qepë e hudhra, me lirinë, si shprehje e përjetshme, që tregon se deri në ç’pikë mund ta çojë njeriun ligështia. E këto fjalë e prekën fort edhe Françeskun, i cili e ndoqi serinë e parë e, më pas, i telefonoi Benigni-t. Rileximi i Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot u përsërit më 25 dhjetorin e kaluar e, atë natë, ishte programi më i ndjekur nga teleshikuesit.

Libri-intervistë, qysh sot në Librari për botimet Piemme, del njëkohësisht në 86 vende: ndërmjet botuesve, po kujtojmë Penguin Random House US, Commonwealth Bluebird, Kösel-Verlag e Planeta.   








All the contents on this site are copyrighted ©.