2016-01-11 12:30:00

Fjala e Papës Françesku para Trupit Diplomatik. Në qendër, emigrantët


Fjalimi i sotëm i Papës Françesku para Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë vuri në qendër të agjendës botërore zgjidhjen e emergjencës së emigracionit. Ja teksti i plotë i pjesës qendrore të fjalimit, i cili i referohet kësaj çështjeje nevralgjike:

         Të dashur ambasadorë,

         Shpirti individualist është terren pjellor për ndjenjën e indiferencës ndaj të afërmit, të cilin na bën ta trajtojmë si objekt të thjeshtë shitblerjeje, që na nxit të mos interesohemi për humanitetin e të tjerëve e përfundon të na bëjë njerëz të ndrojtur e cinikë. A s’janë këto ndjenjat, që kemi shpesh para të varfërve, para të mënjanuarve, para të fundmëve të shoqërisë? E sa të fundëm kemi në shoqëritë tona! Ndër ta, mendoj sidomos për emigrantët, me peshën e tyre të vështirësive e të vuajtjeve, të cilat i përballojnë çdo ditë në kërkimin, nganjëherë të dëshpëruar, të një vendi, ku të jetojnë në paqe e me dinjitet.

         Prandaj, sot, dua të ndalem e të reflektoj me ju për emrgjencën e rëndë të emigracionit, që po përballojmë, për të shoshitur arsyet, përvijuar zgjidhjet, për të kapërcyer frikën e pashmangshme, që shoqëron një fenomen kaq masiv e imponues, i cili, gjatë vitit 2015, preku sidomos Evropën, por edhe rajone të ndryshme të Azisë veriore e të Amerikës qendrore.

         “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Hyji yt, është me ty kudo të shkosh” (Jz 1,9). Është premtimi që Zoti i bën Jozuehut e që tregon sa e shoqëron Zoti çdo njeri, sidomos atë, që ndodhet në gjendje brishtësie, si ajo e kujt është për rrugë drejt një vendi të huaj. Vërtet, e gjithë Bibla na tregon historinë e njerëzimit në ecje, sepse lëvizja është e natyrshme për njeriun. Historia e tij përbëhet nga shumë emigracione, nganjëherë të menduara me vetëdijen e së drejtës për të zgjedhur lirisht, shpesh të diktuara nga rrethanat e jashtme. Që nga përzënia nga Parajsa tokësore deri tek Abrahami, në ecje drejt tokës së premtuar; nga tregimi i Eksodit në dëbimin në Babiloni, Shkrimi Shenjt tregon për lodhje e dhimbje, për dëshira e shpresa, të përbashkëta me ato të qindra e mijëra njerëzve, në ecje në ditët tona, me të njëjtën vendosmëri të Moisiut për të mbërritur në një tokë ku rrjedh “qumësht e mjaltë” (shih Dal 3,17), ku të jetojnë të lirë e në paqe.

         E kështu, sot si atëherë, dëgjojmë britmën e Rakelës, që vajton bijtë e vet, sepse nuk janë më (shih Jer 31,15; Mt 2,18). Është zëri i mijëra njerëzve, që derdhin lot, në ikje nga luftra të tmerrshme, nga persekutime e dhunime të të drejtave të njeriut, ose nga paqëndrueshmëria politike apo shoqërore, të cilat e bëjnë shpesh të pamundur jetën në atdhe. Është britma e atyre, që detyrohen të ikin për të shmangur barbaritë e patregueshme kundër njerëzve të pambrojtur, si fëmijët apo invalidët, për t’iu shmangur martirizimit vetëm për shkak të përkatësisë fetare.

         Si atëherë, dëgjojmë zërin e Jakobit, që u thotë bijve të vet “shkoni atje poshtë për të blerë grurë për ne, që të mundim të jetojmë dhe të mos vdesim” (Zan 42,2). Është zëri i atyre, që ikin nga mjerimi i skajshëm, për shkak se nuk mundin t’ia shuajnë urinë familjes apo të kenë kura mjekësore e arsimim, që ikin nga degradimi pa perspektivë e pa asnjë progres, ose edhe për shkak të ndryshimeve të klimës e të kushteve të skajshme klimaterike. Fatkeqësisht, dihet se uria është një nga plagët më të rënda të botë sonë, me miliona fëmijë që çdo vit vdesin për këtë. Megjithatë, të dhemb shpirti kur sheh se shpesh, këta emigrantë nuk hyjnë në sistemet ndërkombëtare të mbrojtjes, mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare.

         Si të mos shohim këtu frytin e asaj ‘kulture të hedhurinave’, që vë në rrezik njeriun, duke flijuar burra e gra për idhujt e fitimit e të konsumit? Është e rëndë kur ngopemi me këto situata të varfërisë e të nevojës, me dramat e sa e sa njerëzve, duke i kthyer në “normalitet”. Njerëzit nuk ndihen më si vlerë parësore për t’u respektuar e mbrojtur, sidomos nëse janë të varfër apo invalidë, nëse ‘nuk na duhen më shumë’ – si të palindurit, në bark të nënës – ose, ‘nuk duhen më’ – si të moshuarit. Jemi bërë të pandjeshëm ndaj çdo forme shpërdorimi, duke filluar nga ai ushqimor, që është ndër më të neveritshmit, ndërsa ka kaq shumë njerëz e familje, që vuajnë nga uria dhe ushqimi i keq (shih audiencën e përgjithshme, 5 qershor 2013).

         Selia e Shenjtë uron që Takimi i parë Humanitar Botëror, që do të mblidhet majin e ardhshëm nga Kombet e Bashkuara, të arrijë, në kuadrin e trishtë të konflikteve e të fatkeqësive të sotme, qëllimin e tij për ta vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në zemër të çdo përgjigjeje humanitare. Nevojitet impenjim i përbashkët, që ta përmbysë me vendosmëri kulturën e hedhurinave e të fyerjes së jetës njerëzore, në mënyrë që askush të mos ndjehet i lënë pas dore apo i harruar e që të mos flijohen jetë të tjera, për shkak të mungesës së fondeve e, sidomos, të vullnetit politik.

         Fatkeqësisht, sot si atëherë, dëgjojmë zërin e Judës, që na sugjeron ta shesim vëllain (Zan 37, 26-27). Është arroganca e të pushtetshmëve, që instrumentalizojnë më të dobtit, duke i kthyer në objekte për qëllime egoiste apo për llogari strategjike e politike. Aty ku emigracioni i rregullt është i pamundur, emigrantët detyrohen shpesh t’u drejtohen trafikantëve, ose kontrabandistëve të qenieve njerëzore, megjithëse shumica janë të vetëdijshëm për rrezikun se mund të humbasin rrugës pasuritë, dinjitetin e deri jetën. Në këtë perspektivë, bëj edhe një herë thirrje të ndalet trafiku i njerëzve, që i kthen ata në mall, sidomos më të brishtët e më të pambrojturit. E do të mbeten përherë të pashlyera në mendjet e në zemrat tona, imazhet e fëmijëve të vdekur në det, viktima të njerëzve të paskrupullt e të ashpërsisë së natyrës. Pastaj, kush mbijeton dhe mbërrin në një vend, që e mirëpret, mbart plagët e pashlyeshme e të thella të kësaj përvoje, përveç atyre të tmerreve, që gjithnjë i shoqërojnë luftrat dhe dhunën.

         Ashtu si atëherë, edhe sot, dëgjohet Engjëlli, që përsërit: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj” (Mt 2,13). Është zëri, që dëgjojnë shumë emigrantë, të cilët nuk do ta linin kurrë atdheun e tyre, nëse nuk do të ishin të detyruar. Ndër ta, ka shumë të krishterë, që gjithnjë e më masivisht, kanë braktisur gjatë viteve të fundit, tokat e tyre, në të cilat kanë banuar që nga zanafilla e krishterimit.

         Së fundi, edhe sot dëgjojmë zërin e psalmistit, që përsërit: “Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin” (ps 136[137], 1). Është vaji i atyre, që do të ktheheshin me shumë dëshirë në vendet e tyre, nëse do të gjenin kushte të përshtatshme sigurie dhe jetese. Edhe këtu, mendimi im shkon tek të krishterët e Lindjes së Mesme, plot dëshirë për të kontribuar, si qytetarë me të drejta të plota, në mirëqënien shpirtërore dhe materiale të kombeve të tyre.

         Shumica e shkaqeve të emigracionit mund të përballohej prej kohësh. Do të ishin parandaluar kështu shumë fatkeqësi, ose, së paku, do të ishin zbutur pasojat më mizore. Edhe sot e, para se të jetë tepër vonë, shumë mund të bëhet për të ndalur tragjeditë e për të arritur paqen. Por, kjo do të thotë të vihen në diskutim zakone e praktika të konsoliduara, duke filluar nga problematikat e lidhura me tregtinë e armëve, me problemin e furnizimit me lëndë të para e me energji, me investimet, me politikat financiare e ato të përkrahajes së zhvillimit, deri tek plaga e rëndë e korrupsionit. Jemi të vetëdijshëm pastaj, se përsa i përket temës së emigracionit, duhet të hartohen projekte me afat të mesëm e të gjatë, që shkojnë përtej përgjigjes për emergjencën. Nga njëra anë, ato duhet të ndihmojnë efektivisht integrimin e emigrantëve në vendet mikpritëse e, njëkohësisht, të favorizojnë zhvillimin e vendeve të prejardhjes me politika solidare, që nuk duhet t’ua nënshtrojnë ndihmat strategjive dhe praktikave ideologjike të huaja, ose të kundërta me kulturat e popujve, të cilëve u drejtohen.

         Pa harruar gjendje të tjera dramatike, ndër të cilat, mendoj veçanërisht për kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-ve, që do ta cek, duke shkuar në Ciudad Juàrez, muajin e ardhshëm, dua t’i kushtoj një mendim të veçantë Evropës. Vërtet, gjatë vitit të fundit, në të u derdh një fluks imponues refugjatësh – shumë prej të cilëve gjetën vdekjen në përpjekjen për të arritur në brigjet evropiane – i cili nuk ka precedent në historinë e afërt, as në përfundim të Luftës II Botërore. Shumë emigrantë, të ardhur nga Azia e nga Afrika, shohin në Evropë një pikë referimi për parime si barazia para ligjit dhe për vlerat e vulosura në vetë natyrën e çdo njeriu, si pacënueshmëria e dinjitetit dhe barazia e çdo njeriu, dashuria për të afërmin pa dallime për shkak të prejardhjes e të përkatësisë, liria e ndërgjegjes dhe solidariteti për të tjerët.

         Megjithatë, zbarkimet masive në brigjet e Kontinentit të Vjetër duket se po e lëkundin sistemin e mikpritjes, ndërtuar me mundime mbi hirin e konfliktit të dytë botëror, sistem, që përbën akoma një fener humaniteti, për t’iu referuar. Para imponimit të flukseve dhe problemeve të pashmangshme, që rrjedhin prej tyre, janë ngritur jo pak pyetje për mundësitë e vërteta të pranimit dhe të përshtatjes së njerëzve, për ndryshimin e indit kulturor e shoqëror në vendet e pritjes, si edhe për ripërcaktimin e disa ekuilibrave gjeopolitike rajonale. Po aq e rëndësishme është edhe frika për sigurinë, rritur jashtë mase nga kërcënimet e shfrenuara të terrorizmit ndërkombëtar. Vala aktuale e emigracionit duket sikur minon bazat e asaj “fryme humaniste”, që Evropa e do dhe e mbron prej kohësh (Fjalimi në Parlamentin Evropian, Strasburg, 25 nëntor 2014). Megjithatë, nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë vlerat dhe parimet e humanizmit, të respektit për dinjitetin e çdo njeriu, të susidiaritetit dhe të solidaritetit të ndërsjelltë, pavarësisht se në disa çaste të historisë, ato mund të përbëjnë një barrë të rëndë për t’u mbajtur. Prandaj, dëshiroj të ritheksoj bindjen time se Evropa, e ndihmuar nga trashëgimia e saj e madhe kulturore dhe fetare, i ka mjetet për të mbrojtur centralitetin e njeriut e për të gjetur ekuilibrin e drejtë para detyrës së dyfishtë morale për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të vet dhe për të garantuar asistencën dhe mikpritjen e emigrantëve (Ibid.).

         Njëkohësisht, ndjej nevojën për të shprehur mirënjohje për të gjitha nismat e ndërmarra për të favorizuar mikpritjen dinjitoze të njerëzve, ndër të cilat, ato të Fondit të Emigrantëve dhe të Refugjatëve në Bankën e Zhvillimit të Këshillit Evropian, si edhe për impenjimin e atyre vendeve, që kanë treguar bujari në ndarjen e përbashkët të problemit. U referohem së pari, kombeve fqinjë me Sirinë, të cilat dhanë përgjigje të menjëhershme për asistencën dhe mikpritjen, sidomos Libani, ku refugjatët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së përgjithshme, si edhe Jordania, e cila nuk i mbylli kufijtë, pavarësisht se kishte në territor qindra mijëra refugjatë të tjerë. Njëlloj, nuk duhen harruar përpjekjet e vendeve të tjera, të impenjuara në linjën e parë të frontit, ndër të cilat, veçanërisht, Turqia dhe Greqia. Mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh edhe Italisë, impenjimi i vendosur i së cilës shpëtoi shumë jetë në Mesdhe, por edhe tani ajo kujdeset për një numër të rëndësishëm refugjatësh në terrotorin e saj. Uroj që ndjenja tradicionale e mikpritjes dhe e solidaritetit, që e dallon popullin italian, të mos dobësohet nga vështirësitë e pashmangshme të çastit, por në dritën e traditës së tij mijëra vjeçare, të jetë i aftë të mirëpresë dhe të integrojë kontributin shoqëror, ekonomik dhe kulturor, që mund të ofrojnë emigrantët.

         Është e rëndësishme që vendet në linjën e parë të frontit në përballimin e emergjencës aktuale të mos lihen vetëm dhe, është po aq e domosdoshme të fillohet një dialog i lirë dhe plot respekt ndërmjet vendeve të përfshira në këtë problem – ato të prejardhjes, të tranzitit e të destinacionit – në mënyrë që, me guxim më të madh krijues, të kërkohen zgjidhje të reja e të qëndrueshme. Dihet se emigracioni përbën një element themeltar për të ardhmen e botës, shumë më tepër se deri tani, e se përgjigjet mund të jenë vetëm fryt i një pune të përbashkët, që respekton dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e njerëzve. Agjenda e Zhvillimit, miratuar në shtatorin e kaluar nga Kombet e Bashkuara për 15 vjetët e ardhshme, që flet për shumë probleme, të cilat çojnë drejt emigracionit, si edhe dokumente të tjera të Bashkësisë Ndërkombëtare për t’i bërë ballë çështjes së emigracionit, mund të gjejnë zbatime koherente me pritshmëritë, nëse do të dinë ta vendosin njeriun në qendër të vendimeve politike në të gjitha nivelet, duke e parë njerëzimin si një familje e vetme e njerëzit si vëllezër, në respektimin e ndryshimeve të ndërsjellta dhe të bindjeve sipas ndërgjegjes.

         Vërtet, në përballimin e çështjes së emigracionit, nuk mund të lihen mënjanë ndikimet kulturore, që lidhen me të, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me përkatësinë fetare. Ekstremizmi dhe fundamentalizmi gjejnë terren pjellor jo vetëm në instrumentalizimin e fesë për qëllime pushteti, por edhe në zbrazëtinë nga idealet dhe në humbjen e identitetit – edhe fetar – që dramatikisht karakterizon të ashtuquajturin Perëndim. Nga kjo zbrazëti lind frika, që na nxit ta shohim tjetrin si rrezik dhe si armik, na shtyn të mbyllemi në vetvete, të ngulim këmbë në qëndrime paragjykuese. Prandaj, fenomeni i emigracioni ngre pyetje serioze kulturore, të cilave nuk mund të mos u përgjigjemi. Mikpritja mund të jetë pra, rast i volitshëm për të kuptuar sërish e për ta hapur horizontin, si për atë që pritet, i cili e ka për detyrë të respektojë vlerat, traditat dhe ligjet e bashkësisë që e mirëpret, ashtu edhe për këtë të fundit, e thirrur të vlerësojë çdo gjë që mund të ofrojë çdo emigrant në favor të krejt bashkësisë. Në këtë kuadër, Selia e Shenjtë rinovon impenjimin e vet në fushën ekumenike dhe ndërfetare për të arritur në një dialog të sinqertë e besnik, i cili, duke vlerësuar veçoritë dhe identitetin e secilit, të favorizojë bashkëjetesën e harmonishme ndërmjet të gjitha grupeve shoqërore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.