2016-01-10 00:00:00

Të tregosh mëshirën e Zotit


 Papa Françesku ka këtë vizion për Zotin: e shikon si vendin e mëshirës. Mëshira është epiqendër e botës, prej nga Zoti shikon e vepron: “Nuk ka kurrfarë kufiri për mëshirën”, pati thënë Papa më 6 prill 2014. E akoma: “Zoti ka shumë mëshirë ndaj nesh. Të mësohemi edhe ne të kemi mëshirë ndaj të tjerëve, posaçërisht ndaj atyre, që vuajnë”.

Si Papa Françesku, edhe Papa Gjon Pali II e nënvizonte fort temën e mëshirës: “Për njerëzit, që rrinë larg mëshirës së Zotit, nuk ka kurrfarë shprese” shkruan, duke shtuar: “Në Krishtin Jezus, Zoti mori vërtet një zemër  hyjnore, të pasur me mëshirë e falje, por edhe një zemër njerëzore, të aftë për të gjitha drithmat e dashurisë”. Prej këndej mund të shpjegohet pse Gjon Pali II themeloi një ditë të veçantë, kushtuar pikërisht Mëshirës Hyjnore: të dielën pas Pashkëve, ndonëse e tërë liturgjia është, në vetvete, plot me terma, që ta kujtojnë.

Çka e karakterizon katekizmin e Papës Françesku, është epërsia e mëshirës në të gjithë veprimtarinë e tij baritore. Epërsia e mëshirës, që lidhet drejtpërdrejt me njërën nga Lumnitë (Lum të mëshirshimit, sepse do të mëshirohen! Mt 5,7) u caktua nga Papa edhe si temë e Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në vitin 2016, në Krakov të Polonisë, qytet ku Gjon Pali II qe ipeshkëv në vitet 1964-1978.

Por tema e zgjedhur nga Papa Bergoglio na kujton se janë të mëshirshëm edhe njerëzit e aftë për t’i bërë të vetat mjerimet dhe vështirësitë e të tjerëve; njerëzit, që shqetësohen për të tjerët, si për vete, që vihen në lëvizje, për t’u bërë ballë vuajtjeve të tjetrit. E ky është hir, është dhuratë e pastërt e Zotit. Kush e merr, mbetet thellësisht i lidhur me mënyrën si sillet vetë Zoti me të gjithë, me burra e gra, të çdo moshe e shtrese shoqërore. Papa Françesku flet vazhdimisht për mëshirën. E njerëzit e kanë kuptuar menjëherë, e shumë mirë, mesazhin e tij. Një nga sendet, që blejnë më tepër për kujtim shtegtarët, kur vijnë në Romë, është “misericordina”, një kutizë e ngjashme me atë, në të cilën zakonisht mbahen ilaçet. Në kutizë gjejnë Rruzaren, ilaçin më të mirë për shëndetin e korpit e të shpirtit. Papa nuk flet kështu vetëm me shtegtarët, flet edhe me intelektualët agnostikë, gjë që e shikojmë në letrën drejtuar Eugenio Scalfarit, themelues i së përjavshmes italiane “La Repubblica”: “Mëshira e Zotit është e pafund, nuk ka kufi. E vërteta e Zotit është dashuria… !”- shkruan.

Për Papën Françesku, Zoti është mëshirë, ashtu si për Shën Gjonin Ungjilltar është dashuri: në fund të fundit, që të dy thonë të njëjtën gjë, sepse dashuria, për vetë natyrën e saj, është e mëshirshme. Duke shfletuar Librin e Ozesë Profet, mund të ndalemi e të lexojmë një tekst shumë të bukur: “Kur Izraeli ishte ende djalë, unë e doja, e prej Egjiptit e thirra birin tim. Por sa më shumë i thërrisja, aq më shumë largoheshin prej meje: u flijonin fli balëve, e idhujve u digjnin kem. E unë e mësoja Efraimin të ecte. I mbartja para duarsh, por ata nuk donin ta kuptonin se për ta kujdesohesha me gjithë shpirt. I tërhiqja me lidhëset e miqësisë, lidhëset e dashurisë. Isha për ta porsi ai, që fëmijën e ngre deri tek faqja e vet. Përkulesha mbi të, për t’ia mëkuar ushqimin. E si mund të heq dorë prej teje, Efraim… Zemra ime përmallohet, nga dhembshuria shpirti më dridhet shqimit, sepse jam Zot, nuk jam njeri; jam shenjti në mesin tënd, e nuk do të vij i ngarkuar me zemërimin tim”(Os 11,1-9).

Efraimi ishte djali i dytë i Jozefit, i lindur në Egjipt, vëllai i Manasses. Profetët e përdornin këtë emër për të kujtuar gjithë mbretërinë e Izraelit. Por ç’kuptim ka ky tekst? Ç’na thotë sot? Zoti kujdeset për ne e na mëson  si të ecim, na prin si të ishte atë. Na mban në krahë aq, sa faqja jonë puqet me të Tijën. Përkulet mbi ne e nuk na lë kurrë vetëm, në mëshirën e fatit. Preket thellë e fërgëllon nga dhimbsuria. E e gjithë kjo tregon se është shenjt e nuk ngrihet kurrë kundër nesh. Jemi përballë paradoksit të pashqyrtueshëm të dashurisë së Zotit për ne. Zoti është shenjti. I mbinatyrshmi: shenjtëria e Tij, natyra e Tij misterioze, është themeli i mundshëm i mëshirës së Tij për atë, që i largohet dhe e braktis me mëkatin (Gr3,12-19;31,20).

Një tekst tjetër simbolik i Ozesë Profet vë mirë në pah mirësinë përdëllyese të Zotit: “Ajo do të vrapojë pas dashnorëve, po s’do t’i arrijë,  do t’i kërkojë, por nuk do t’i gjejë. Atëherë do të thotë: ‘Do të rikthehem tek burri i parë, sepse isha shumë më e lumtur, sesa jam tani’… Prandaj, do ta josh, do ta çoj në shkretëtirë e do t’i flas zemrës së saj… Do të të bëj fatin tim të përhershëm, do të fejohem me ty me drejtësi, mirësi, dashuri, do të fejohesh me mua në besnikëri e ti do ta njohësh Zotin” (Os 2,8-9.16.21-22).

Osea provoi një dashuri, që e tradhtoi, njohu një grua, që e la. Njohu përvojën e mëkatit. E pikërisht përmes përvojës së mëkatit, Izraeli depërtoi pak nga pak në thellësitë e mirësisë e të mëshirës së Zotit. Provoi se Zoti është gjithnjë gati për ta dashur birin mosmirënjohës, djalin plangprishës; Zoti është dhëndrri përherë besnik, gati për t’ia hapur përsëri krahët vashës së pabesë. Zoti është solidar me popullin e vet, e bën ta pranojë mëkatin e ta ndjejë thellësisht pendimin.

Po deri ku mund të angazhohet Zoti me punët e njerëzve? Deri ku arrin falja e tij e mëshira e Tij? Vetëm Krishti mund t’u japë gjegje këtyre pyetjeve. Është Ai, që ka detyrën të na e zbulojë mëshirën e Atit: ajo shtrihet nga epoka në epokë, nga beznia në brezni e duket në lindjen e Gjon Pagëzuesit; Zakaria shpall se Zoti pati mëshirë për etërit e lashtë e se tani, lindja e Gjonit, përuron veprën e Tij të mëshirës. Të gjitha veprimet e Jezusit janë në këtë vijë: “Dua mëshirë, jo fli”. “Erdha për mëkatarët, jo për të drejtët”. E programi i Tij i jetës është program i kumtimit. Është mëshira e Zotit. Prandaj Jezusi i zgjedh të varfërit, është mik i publikanëve, ulet me ta në sofër, e lë një mëkatare të mirënjohur nga të gjithë, t’i afrohet e, me delikatesë të pashoqe, e fal. Jezusi erdhi të “kërkojë e të shpëtojë, atë që ishte e humbur”(Lk19,10;cfrLk 4,18;7,22.34.39;19.5).

Shpesh herë ungjilltarët përdorin një folje shumë domethënëse, për të treguar mëshirën e Zotit për ne: “Të prekesh deri në thellësi të përmbrendcave”, të ndjesh atë forcë tërheqëse, që ndjen nëna për foshnjën, të cilën e ka ende në mitër. Mëshira i përngjan dashurisë amtare. E këtë term përdorin edhe ungjilltarët për të përshkruar veprimtaritë e Jezusit, që vënë me forcë në dukje misionin e Tij.

Ja disa shembuj: “Kur Jezusi zbriti nga barka, pa një turmë të madhe populli, iu dhimbt, sepse ishin si dhentë pa bari e nisi t’u mësonte shumë gjëra” (Mk 6,34; cfr Mt 14,14). Mateu përdor një shprehje, që përmbledh gjithë misterin e Jezusit: “Duke i parë turmat, ndjeu dhimbje për ta, sepse ishin të lodhur e të këputur, si delet pa bari” (Mt 9,36). Jezusi sillet si Zoti i mëshirës, përshkruar në Besëlidhjen e Vjetër,  “përmbrendcat e të cilit dridhen, kur shikon popullin e vet të thyer më dysh nën barrën e mëkateve e të skllavërisë së Egjiptit”.

 

Kështu Jezusi duket, pa asnjë mbrojtje, përballë mjerimit e vuajtjes së njerëzve e është mëshira e mishëruar e Zotit. Shëmbëlltyra e djalit plangprishës ose, më kuptueshëm, e Atit të mirë e të mëshirshëm, atit me përmbrendcat e nënës, e dëshmon qartë këtë. Përmes saj rikujtohet e gjithë historia e Besëlidhjes së Vjetër. Djali më i vogël (si Izraeli) largohet nga i ati (nga Zoti) e provon mëkatin, varfërinë, urinë. Kujton kohët e begatisë e, ashtu si vasha e pabesë e Ozesë, thotë.”Do të ngrihem e do të shkoj te im atë”. E ati është gjithnjë në pritje e, kur i biri është ende larg, ai e sheh, preket, vrapon t’i dalë para, e rrok e e puth. Përballë një sjelljeje të tillë, skribë e farizenj mbeten krejtësisht të hutuar. Hutohen, duke parë se mëshira e Zotit shtrihet mbi të gjithë njerëzit. Ashtu si e nënvizon në mënyrë të posaçme Pali: “Them se Krishti u shërbeu rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Zotit të vërtetë, për t’i përmbushur premtimet dhënë etërve e që paganët ta lumnojnë Zotin për mëshirën e Tij” (Rm 15,8-9).

Këtu përfundon pjesa e parë e këtij teksti prekës që, duke cituar Besëlidhjen e Vjetër e të Re, na hap para syve horizontet e pamasa të mëshirës së Zotit.

Në pjesën e dytë do të ndalemi tek teologjia e mëshirës së Atit, tek historia e shëlbimit, takimi i Zotit me njeriun, në këndvështrimin e përhershëm të faljes, paqes, pajtimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.