2016-01-10 08:30:00

Nga veprimtaritë javore të Papës Françesku e të Vatikanit


Papa Françesku kremtoi sot meshën në Kapelën Sikstine, në festën e Pagëzimit të Zotit. Gjatë saj, Ati i Shenjtë u dha Sakramentin e Pagëzimit 26 fëmijëve, ndër të cilët edhe dy, nga prindër, që punojnë në Radio Vatikan. Është fjala për një djalë, Alviti, i ati i të cilit shërben në programin biellorus, si edhe për një vajzë, Marielle, e ëma e së cilës shërben në programin gjerman të radios sonë. Në mesditë, si zakonisht, Papa Françesku tha lutjen e Engjëllit të Tënzot së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Të mërkurën e kaluar, në meshën për festën e Dëftimit të Zotit, Ati i Shenjtë nënvizoi se “Kisha pasqyron dritën e Jezusit e nuk shndrit me dritën e vet”. Prandaj, para Jezusit, nuk duhet të ketë asnjë ndarje për shkak të racës, gjuhës e kulturës. Gjatë kremtimit në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa, ashtu si meshtarët në të gjitha kishat e botës, kumtoi ditën e Pashkëve, e cila, sivjet, bie më 27 mars. Përvoja e Mbretërve Dijetarë, nënvizoi më pas Bergoglio në lutjen e Engjëllit të Tënzot, na mëson të mos kënaqemi me pak, por ta ngremë vështrimin drejt qiellit për ta zbuluar e për ta ndjekur si ata, dritën e Jezusit. Papa uroi edhe Kishat Lindore në natën e Krishtlindjes, të cilën shumë prej tyre e festuan të enjten, më 7 janar.

Gëzimi u përmbush: kështu brohoret Patriarku kopto-ortodoks i Egjiptit Tawadros II në mesazhin e tij për Krishtlindjen. “Lindja dhe mishërimi i Zotit tonë, Jezu Krisht, u bë për shëlbimin e njeriut. E është ngjarje e jashtëzakonshme, përmes së cilës Krishti ynë na jep përgjigjen për pyetjen: ‘Si mund t’i gëzojmë të tjerët?’”. Duke u çuar Krishtin, nënvizoi Patriarku Tawadros II i Kishës kopto-ortodokse, e cila e festoi Krishtlindjen më 7 janar, së bashku me kopto-katolikët, të cilët ndjekin kalendarin julian.

Javës së kaluar, pikërisht më 6 janar, u paraqit edhe videomesazhi i parë i Papës Françesku për ndjetet e lutjes së muajit. Pra, që nga ky muaj, Ati i Shenjtë do t’ia besojë gjithnjë videomesazhit ndjetet mujore të lutjes. Nisma është e Apostullimit të Uratës, rrjetit ndërkombëtar të besimtarëve, të cilët luten gjithnjë sipas këtyre ndjeteve papnore. Këtë muaj, Papa na fton të lutemi që “dialogu i sinqertë ndërmjet burrave e grave me fe të ndryshme të sjellë fryte për paqen e drejtësinë”.

“Pjesa më e madhe e njerëzve të tokës e quajnë veten besimtarë e kjo duhet të sjellë dialog ndërmjet feve. Nuk duhet të reshtim së luturi për këtë e së bashkëpunuari me ata, që e mendojnë ndryshe”, nënvizon Bergoglio në spanjisht, ndërsa në video, në fund të ekranit, kalojnë përkthimet e këtyre fjalëve në nëntë gjuhë të tjera të botës.

“Shumë mendojnë ndryshe, ndjejnë ndryshe – vijon Papa Françesku. E kërkojnë Zotin, ose e gjejnë Zotin me mënyra të ndryshme. Në këtë shumëllojshmëri, në këtë larmi të madhe fesh, ka vetëm një siguri: jemi të gjithë bij të Zotit”. Pastaj, ftesa: “Kam besim në ju për ta përhapur ndjetin tim të këtij muaji: që dialogu i sinqertë ndërmjet burrave e grave me fe të ndryshme të sjellë fryte për paqen e drejtësinë. Kam besim në lutjen tuaj”.

Vizitë e papritur e Papës në shenjtëroren e Greccio-s, në Itali, ku shën Françesku rikrijoi për herë të parë në histori atmosferën e Shpellës së Betlehemit, për të kujtuar lindjen e mishërimin e Krishtit. Të hënën, më 4 janar, Ati i Shenjtë u bëri këtë syrprizë të bukur banorëve të vendit, por sidomos të rinjve, që ishin mbledhur aty për një takim me ipeshkvin.

Në homelinë e meshës së parë të vitit 2016, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, Papa Françesku kujtoi kriterin e mëshirës, që na ka lënë Jezusi. Kush vë në jetë veprat e mëshirës provon me fakte se veprimet e tij vijnë nga Zoti. Ky është i vetmi kriter, që na mëson shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, nga e cila mori shkas reflektimi i Atit të Shenjtë. Nëse feja në Jezusin e mishëruar nuk na çon drejt shërbimit për të tjerët, është e kotë të imagjinojmë plane baritore e metoda të reja për të afruar njerëzit në kishë, theksoi Papa. Françesku paralajmëroi të gjithë për rrezikun që vjen nga ata, të cilët duken si të përshpirtshëm, por nuk i shndërrojnë fjalët në vepra. Shpirti, që i frymëzon, ngriti zërin Ati i Shenjtë, nuk vjen prej Zotit, por është shprehje e gjërave të kësaj bote, është “antikrishti”.

Më 17 janar, Papa Françesku do të shkojë në Sinagogën e Romës për të kremtuar Ditën e 20-të të dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Është e nevojshme të theksojmë urgjencën për vazhdimin e këtij dialogu, nënvizoi këto ditë, kryerabini i Romës, Riccardo Di Segni. Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, kryerabini thekson se vizita e Papës Françesku është etapë e re në historinë e marrëdhënieve ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, por është edhe rast për t’i dhënë botës një mesazh paqeje, sidomos aty ku konfliktet ushqehen nga një konceptim i gabuar i fesë, parë si burim urrejtjeje, dhune e shkatërrimi.

Më pas, kreu i bashkësisë më të lashtë të diasporës judaike vë në dukje ndryshimet e kësaj vizite me atë të Papëve të mëparshëm. “Vizita e Vojtilës, 30 vjet më parë, qe revolucion, i ndau njerëzit më dysh. E dyta u bë nga Papa Ratzinger, i cili kishte marrëdhënie të veçanta me hebraizmin e deshi të nënvizojë vazhdimësinë. Stili i tij ishte doktrinor, teologjik, dijetar, edhe formal. Tani, besoj se elementet kryesore do të jenë vazhdimësia, çasti i veçantë historik, por edhe marrëdhëniet e ndryshme baritore, që Françesku ka me publikun”.

Di Segni imagjinon se Papa Bergoglio do të ketë dëshirë të përshëndesë një numër sa më të madh njerëzish. E shumë hebrenj, pohon ai, do të duan t’i shtrëngojnë dorën. Vizitë e bërë gjatë Jubileut, që është ngjarje e krishterë, nënvizon kryerabini, por emrin e merr nga tradita biblike. Ne e respektojmë. Takimi me Papën, përfundon Di Segni, do të tregojë se pavarësisht nga dallimet, të dyja fetë, ashtu si të gjitha fetë, mund të bashkëjetojnë e mund të bashkëpunojnë për të mirën e të gjithëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.