2016-01-10 10:45:00

Më 10 janar kalendari kujton shën Agatonin, Papë


Sot, më 10 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Agatonin, Papë. Shën Agatoni u ul në fronin e papnisë më 26 qershor të vitit 678, pikërisht kur kishte mbushur 103 vjet, duke qenë krejtësisht i kthjelltë. Më 12 gusht mori nga perandori Kostantin Pagonati një letër, përmes së cilës deklaronte se ishte gati të rifillonte përpjekjet për të realizuar planin e ribashkimit kishtar të Romës me Bizantin. Mendonte, prandaj, të mblidhte një konferencë Ipeshkëvnore, në të cilën të diskutoheshin problemet më urgjente, që do të çonin në zhdukjen e kundërvënieve, duke i hapur përfundimisht rrugën bashkimit. Për këtë qëllim perandori i kërkonte papës të dërgonte disa përfaqësues të tij në Kostandinopojë. Për të përgatitur delegacionin, Agatoni mblodhi më 27 mars të vitit 680 në Lateran një koncil italian, i cili zgjodhi përfaqësuesit ipeshkëvnor që do të niseshin për në Bizant së bashku me të dërguarit e papës dhe miratoi tekstin sinodal, që do të paraqitej në konferencë. Në këtë tekst pasqyrohej doktrina e dy vullneteve dhe e dy mënyrave të veprimit të Krishtit, duke kujtuar atë që ishte vendosur në Koncilin Lateranens nga Martini I.
Delegacioni perëndimor arriti në Bizant më 10 shtator të vitit 680 dhe u prit nga patriku Gjergj, që mori masat për të mbledhur metropolitët dhe ipeshkvijtë Bizantinë. Ajo që u thirr thjeshtë si konferencë, mori pamjen e një Koncili të vërtetë, i gjashti në Lindje. Mbledhja u hap më 17 nëntor të vitit 680 në sallën e madhe të pallatit perandorak. Kryetar i saj ishte vetë perandori, që kishte përkrah dy priftërinj e një diakon romak, si përfaqësues të papës. Ndërsa në Itali shpërtheu epidemia e murtajës, që shkaktoi vdekjen e një numri të madh njerëzish, në Kostandinopojë koncili vijonte.
Pas 18 seancash u arrit në hartimin e një dekreti që u shpall më 16 shtator të vitit 681. Në të ripohohej besojma e fesë, e vendosur nga pesë koncilët e mëparshme dhe miratohej njëzëri doktrina e dy vullneteve dhe dy energjive të Krishtit, që nuk ishin në kundërshtim me to, duke konfirmuar edhe tekstin sinodal të Lateranit. U dënua edhe herezia monoteistike.
Koncili u mbyll me kërkesën drejtuar papës për të miratuar vendimet e marra. Por Agatoni kishte vdekur më 10 janar të vitit 681 dhe ishte varrosur në Bazilikën e Shën Pjetrit. Gojëdhëna tregon se kur i mbylli sytë, ishte 107 vjeç. Agatoni nënshtroi edhe kryeipeshkvin e Ravenës, Teodorin, i cili i dha fund autoqefalisë së dënuar nga Roma. U interesua shumë edhe për fatet e Kishës anglosaksone. Magjisteri i tij shquhet për thellësinë e doktrinës dhe bamirësinë në ndihmë të të varfërve. Është pajtori qiellor i Palermos.








All the contents on this site are copyrighted ©.