2016-01-09 16:01:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni XVIII: Skena XVI


 STO AD OSTIUM ET PULSO

Jam te porta e trokas

Ndalesa e fundit në prag të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. Presim të  hyjmë sot në Skenën XVI. Skena hapet e ne takohemi menjëherë me një papë. E njohim sakaq. Është Piu XII. Edhe ai, si ne, troket në Portën Shenjte. Me një ndryshim: është data 24 dhjetor e vitit 1949…

Bota sapo ka dalë nga Lufta II Botërore, që ka vrarë miliona e miliona njerëz, ka prodhuar vetëm gërmadha e ka krijuar kampet e shfarosjes, turp i turpeve të njerëzimit!

Papa Piu XII e dëshiron Jubileun si vit të faljes së madhe, vit të rikthimit të madh të Zotit. E shumë shtegtarë vihen për udhë drejt Romës, për të cilën Dante Alighieri shkroi: “Ky vend, që të gjithë duhet ta dinë,/ Vendosun qe me u shndrrue në vend hyjnor,/ Ku mkambësi i Shën Pjetrit ka selinë” (Ferri, Kënga II , tercina VIII).

Edhe Jubileu, që Shpirti Shenjt ia këshilloi Papës Françesku, është vit i faljes së madhe dhe i rikthimit të madh tek Zoti.

Bota moderne është aq e çorientuar e aq e përhumbur, sa filozofi Heidegger arrin në përfundimin se: “Asnjë epokë nuk e ka ditur më pak se jona, ç’është njeriu”. E pse? Sepse u larguam nga Zoti, që është dritë e ndriçon udhën; është Mëshirë me duar të plagosura, e mjekon plagët tona.

Të kthehemi tek Zoti! Të hyjmë në Portën Shenjte, të vendosur për t’ia hapur më në fund zemrën Jezusit, për ta kryer edhe ne detyrën tonë, të vogël, por të pazëvendësueshme, në ndërtimin e një bote të re, të ëndërruar nga të gjithë!

Atyre që ankoheshin se nuk shikonin asnjë përmirësim në botë, por vetëm keqësime, Nënë Tereza u gjegjej: “Derisa të rrimë duarkryq e të bërtasim: ‘Është errësirë! Errësirë!’, drita nuk do të ndizet. Ta ndezim ne vetë dritën, me jetën tonë më të mirë. Atëherë në ne e rreth nesh do të kalojë pushteti i Gjakut të Krishtit, që e shëron historinë, duke e bërë histori të shëlbimit”.

Të lutemi:

Pjetër, Apostull i Jezu Krishtit,

Ti  e le Galilenë, për të ardhur në Romë,

i shtyrë nga dëshira  për t’ua çuar  të gjithëve,

Fjalën e jetës së pasosur

që e dëgjove

nga zëri i gjallë i Mësuesit.

Lutu që ne, sot,

të jemi misionarë të guximshëm të Ungjillit,

për të mbjellë farën e shpresës

në boshllëkun e frikshëm

të shoqërisë moderne.

Pjetër, ti shkëmb i Kishës!

Jezusi të deshi e u lut për ty;

e ligështinë tënde e shndërroi

në çimenton e fortë të unitetit:

që rreth teje të lulëzojë bashkimi,

për ta bërë Kishën

një mrekulli të Zotit

në gji të historisë.

Lutu, që të jemi një gjë e vetme,

për t’i dhuruar  botës së përçarë

mrekullinë e bashkimit tonë!

 

Pjetër, Papa i parë!

Mbroje Pasardhësin tënd, që jeton këtu,

ku ti kalove

“Kalvarin” e kryqëzimit.

Mblidhe rreth Papës,

gjithë ndërmjetësinë e papëve të shenjtë

e të të gjithë martirëve

që e bënë Romën

tokë të bekuar!

Bëj që ky vend të jetë

kopsht virtytesh e fanar vërtetësie

për ta prirë, kështu, me dashuri

një Kishë të vetme, Shenjte, Katolike

e Apostolike.

Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.