2016-01-08 14:44:00

Papa Françesku: përqafimi i dashurisë së Zotit, më i fortë se mëkati


Jo e tërë dashuria vjen nga Zoti, por Zoti është “dashuria e vërtetë”. Ky është mendimi, frymëzuar nga liturgjia e ditës së sotme, mbi të cilin Papa Françesku e shtjelloi homelinë e Meshës, kremtuar sot në mëngjes në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Zoti, përsëriti Papa Bergoglio, do gjithmonë dhe do i pari, pa marrë parasysh sa mëkatarë jemi.

Dashuria, dhembshuria. Këto dy vlera e elemente kuptohen ndryshe nga Hyji e ndryshe nga njeriu. Në Leximin e parë të Meshës së sotme, Gjoni Apostull – vëren Papa Françesku – bën një reflektim të gjatë mbi dy urdhërimet kryesore të jetës fetare: dashurinë ndaj Zotit e dashurinë ndaj të afërmit. Dashuria në vetvete “është e bukur”, të duash është gjë e bukur, siguron Papa, e megjithatë një dashuri e sinqertë “bëhet e fortë dhe rritet në dhurimin e jetës personale”:

“Fjala ‘dashuri’ është një fjalë që përdoret shpesh herë e kur përdoret, nuk dihet ç'do të thotë saktësisht. Çka është dashuria? Nganjëherë mendojmë për dashurinë e telenovelave, jo, ajo nuk duket dashuri. Apo ndoshta dashuria mund të duket si entuziazëm për një person e pastaj...shuhet. Nga vjen dashuria e vërtetë?  Kushdo që do, ka lindur nga Zoti, sepse Zoti është dashuri. Gjoni ungjilltar nuk thotë: ‘Çdo dashuri është e Zotit, jo, por: Zoti është dashuri”.

Gjoni apostull nënvizon një tipar të dashurisë së Zotit: Ai do “i pari”. Këtë e provon skena e Ungjillit të shumëzimit të bukëve, propozuar nga liturgjia: Jezusi e shikon turmën e njerëzve dhe ka “dhembshuri”, çka – saktëson Papa Françesku – “nuk është e njëjta gjë me ‘pati mëshirë’”. Sepse dashuria që Jezusi ushqen për njerëzit që e rrethojnë “e bën të ‘vuajë me ta, të bashkëndajë – shpjegon Papa – jetën e njerëzve”. E kjo dashuri e Zotit, nuk paraprihet kurrë nga dashuria e njeriut, e Ati Shenjtë Françesku numëron këtu njëmijë shembuj e citon, nga rasti i Zakeut, te Natanaeli, te djali plëngprishës:

“Kur kemi një peng në zemër e duam t’i kërkojmë falje Zotit, është Ai që na pret për të na dhënë faljen. Ky Vit i Mëshirës Hyjnore, në një farë mënyre domethënë pikërisht këtë: ne e dimë se Zoti është duke na pritur, çdonjërin prej nesh. Pse? Për të na përqafuar. Asgjë më shumë. Për të na thënë: ‘Bir, bijë, të dua. Kam lënë që Biri im të kryqëzohet për ty; ky është çmimi i dashurisë ime’. Kjo është dhurata e dashurisë”.

“Zoti më pret, Zoti do që unë ta hap portën e zemrës sime”: këtë bindje, ngul këmbë Papa Françesku, duhet ta kemi “gjithmonë”. E nëse vërej se nuk ndjehem i denjë për dashurinë e Zotit, “është më mirë – tha Papa – sepse Ai të pret, ashtu siç je, jo siç të thonë se ‘duhet të bësh””:

“Të shkosh te Zoti e të thuash: ‘Po, ti e di, o Zot, se unë të dua’. E nëse nuk e ndjej vetë mund të them edhe kështu: ‘Ti e di, o Zot, se unë do të doja të të dua Ty, por jam mëkatar i madh, mëkatare e madhe’. E Ai bën të njëjtën gjë që pati bërë me djalin plangprishës, i cili pati shpenzuar e shkapërderdhur të gjitha pasuritë në vese: nuk do të lërë ta mbarosh fjalën, sepse me përqafim do të bëjë të heshtësh. Është përqafimi i dashurisë së Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.