2016-01-08 01:00:00

Ekumenizmi i katolikëve dhe i luteranëve në Brauneberg


Kanë të njëjtin kor, por kontribuojnë së bashku edhe në pagesën e dritës e të ngrohjes. Kjo është përvoja e një komune të vogël, Brauneberg, në Renani të Gjermanisë, ku bashkësia katolike dhe ajo protestante mund të thonë me plot gojën se vërtet, jetojnë nën shenjën e ekumenizmit. Kishën e kanë të përbashkët e liturgjitë i kremtojnë në të njëjtin vend, pavarësisht se të ndarë me një mur të hollë, që nuk shkon deri në tavan. “Ndodh shpesh që kremtimet të jenë në të njëjtën orë”, pohon për agjencinë katolike Sir, pastori luteran Thomas Berke, por askush nuk shqetësohet për tingujt e organos, që vijnë nga ana tjetër. Në fund, besimtarët takohen në oborrin e kishës, e cila ka dy hyrje.

Nëse kemi nevojë për vend, thotë pastori, shkojmë nga ana katolike, ku mund të rrinë deri në 500 vetë, ndërsa ana protestante ka vetëm 130 vende. E elterët, të dy të vendosur në murin ndarës, janë krejt pranë njëri-tjetrit, vetëm disa centimetra larg.

Kisha e Braunebergut shihet si simbol i ekumenizmit, edhe në kuadrin e kremtimeve luterane të vitit 2017. Pikërisht më 31 tetor 1517, pra, 500 vjet para kremtimeve, në Wittenberg, 95 tezat që Martin Luteri ia nënshtroi diskutimit publik, praktikisht, i dhanë shtysën Reformës Protestante. Por kisha e Braunebergut nuk është e vetmja e këtij lloji. Në Gjermani ka edhe rreth 70 kisha të tjera katoliko-protestante, ndër të cilat, katedralja e Wetzlar në Assia dhe katedralja e Altenbergut në Saksoni.

“Simultankirche” apo kisha simultane, pra e frekuentuar njëkohësisht nga dy bashkësi, nuk është as fenomen i kohëve të fundit. Gjatë shekujve, rektorët e disa katedraleve përcaktuan edhe detajet e rregullat e kësaj bashkëjetese. Për shembull, kisha e Braunebergut, ndërtuar në vitet 1775-1777, ndryshoi pamje në vitin 1956, kur ndërmjet navatës dhe korit u ngrit muri, i cili lejon të mbahen dy kremtime njëkohësisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.