2016-01-07 15:19:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit: emisioni XVI, Skena XIV


ACCIPITE SPIRITUM SANCTUM

Merreni Shpirtin Shenjt

Po i afrohemi ngadalë fundit të shtegtimit tonë nëpër skenat e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. Na mbeten edhe dy skena, dy kulme të jetë së krishterë. Skena XIV na çon në Çenakull: apostujt janë mbledhur së bashku. Luten e presin. Por zemra e tyre dridhet nga frika, sepse drita e të Ngjallurit nuk ua ka ndriçuar ende kuptimin e Kryqit, duke u zbuluar dashurinë, që përmban e që përcjell.

Është dita e Pashkëve, por zemra e apostujve jeton ende në të Premten e Madhe: e kjo mund t’i ndodhë edhe sot, secilit prej nesh. Jezusi hyn në Çenakull me dyer të mbyllura; tashmë është Zoti, është Ngadhënjyesi, është i Ngjalluri, që përshkon gjithë historinë, të gjitha viset, të gjitha kohët. E u thotë apostujve: “Si më dërgoi Ati mua, ashtu edhe unë po ju dërgoj ju” (Gjn 20,21)

Apostujt mund edhe t’i gjegjeshin: “Jezus! Ne  nuk jemi si Ti, ndryshojmë krejtësisht. Jemi të gatuar me ligështi, pabesi, tradhti, luhatje! E si mund ta vijojmë veprën tënde?”.

Po Jezusi e sfidon ligështinë tonë me pushtetin e dashurisë së tij besnike. E përgjigjet: “Merreni Shpirtin Shenjt! Atyre që do t’ua falni mëkatet, do t’u   falen e atyre që nuk do t’ua ndjeni, nuk do t’u ndjehen”(Gjn 19, 22-23).

Kisha nuk është shtëpia e heronjve: Kisha është shtëpia e mëkatarëve, që kanë vazhdimisht nevojë për falje. Por, hapini mirë veshët: “Falja e Zotit kalon vetëm përmes portës së pendimit e, për pasojë, të ndryshimit të jetës. Aty ku nuk ka pendim, nuk ka as falje mëkatesh: është e natyrshme! Sepse po të mos ishte kështu, falja do të ishte thjesht hipokrizi, do të ishte vernik, që  e fsheh përkohësisht, por nuk e shlyen, shëmtimin e mëkatit”.

Blaise Pasqual bën një vërejtje të hollë: “Nuk i kërkojmë Zotit mëshirë për të na lënë në mëkatet tona, por për të na çliruar prej tyre”. E si mund të mos e pranojmë këtë arsyetim?

Të lutemi:

O Shpirti Shenjt, eja!

Hiqe velin nga sytë tanë,

që të pranojmë se Jezu Krishti është Zoti,

Zot i bërë njeri për dashuri;

shtegtar nëpër udhët tona, për dashuri;

i kryqëzuar e i ngjallur, për dashuri,

për dashurinë ndaj nesh.

 

Shpirti Shenjt, eja!

Mendjen na e mbush me dëshirë

për Fjalën e Zotit,

e  zemrën me Dritë,

me përvujturi e me  etje,

për të gjetur të vërtetën

që fshihet në të gjitha faqet

e Shkrimit Shenjt!

 

Eja, o Shpirti Shenjt!

Na ul në dy gjunjtë

përpara Eukaristisë:

plot me uri, për Bukën

bërë dashuri e gjallë,

për të na bërë edhe ne dashuri!

 

Shpirti Shenjt, eja!

Na bëj të aftë për të qarë, kur mëkatojmë,

për të gëzuar, kur Zoti na fal

për të vrapuar në krahët e Marisë

e për të mësuar atë  “ja ku jam”

e Zemra ime madhëron Zotin.

Shpirti Shenjt, eja

Në shpirtin tonë!

Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.