2016-01-07 14:53:00

Krye rabini i Romës, Di Segni, vizita e Papës në Sinagogën e Romës, etapë themelore e dialogut


Më  17 janarin e ardhshëm, Papa Françesku do vizitojë Sinagogën e Romës. Është Papa i tretë që viziton Tempullin e hebrenjve në Romë, pas vizitës historike të Gjon Palit II, më 13 prill 1986, e Papës së nderit, Benediktit XVI, më 17 janar 2009. Është një ngjarje e rëndësishme, një etapë e mëtejshme për dialogun ndërmjet katolikëve e hebrenjve, për dialogun ndërfetar, për frymën e pritjes e të respektit në përforcimin e klimës së përgjithshme. Është shenjë e madhe në gjurmët e dialogut, që nisi me Gjon Palin II, vazhdoi me Papën Ratzinger dhe tani, risohet me Papën Françesku. Ati i Shenjtë Bergoglio do të takohet me përfaqësuesit e hebraizmit e me anëtarët e bashkësisë. Kujtojmë se vizita e Papa Shën Gjon Palit II, më 13 prill 1986, solli kryesisht shembjen e murit të mosbesimit, çka e ndjeu thellë komuniteti hebraik, në një mënyrë të prekshme, në rrjedhë vitesh. E pastaj vizita e Papa Benediktit XVI qe, para së gjithash, një gjest që nënvizoi vazhdimësinë e marrëdhënieve e të dialogut ndërmjet katolikëve e hebrenjve. Po me çfarë fryme përgatitet ta presë Papën Bergoglio bashkësia hebraike e Romës? Mbi këtë flet vetë Rabinin Di Senji, në një intervistë botuar nga Corriere della Sera.

“Që kur është zgjedhur Papë, kemi pasur kontakte e takime të ndryshme”, që “lindin gjithmonë nga një rast apo një arsye e veçantë. Teologjia është tema e fundit. Flitet sidomos për çështje praktike, për vizione mbi botën, për argumente historike”. Kështu shprehet, krye rabini i Romës, Riccardo Di Segni, në një intervistë për të përditshmen italiane Corrierre della Sera, duke folur për vizitën e Papa Françeskut në sinagogën e Romës, në program më 17 janarin e ardhshëm.

“Vizita e Papës Wojtila, para 30 vjetësh, qe një revolucion, një hap historik, një vijë ujë ndarëse. Vizita e dytë është bërë nga një Papë, Ratzinger, që pati një marrëdhënie të veçantë me hebraizmin e që deshi të nënvizonte vazhdimësinë e dialogut e të marrëdhënieve të anasjellta. Stili i tij qe doktrinor, teologjik, i dijes, e edhe formal”, vëren krye rabini Di Segni. “Tani besoj se elementet kryesore janë vazhdimësia, momenti i veçantë historik, por edhe marrëdhëniet e ndryshme, baritore, që Papa Françesku ka me publikun. Prandaj, e kuptojmë mirë se duhet përgatitur ngjarjen në saje të personalitetit të tij”, vijon rabini. “Bergoglio ka dëshirë të përshëndes drejtpërsëdrejti një numër sa më të madh të mundshëm të njerëzve, shumë hebrenj do të kenë kënaqësinë t’ia shtrëngojnë dorën, e vizita e tij në sinagogë do të jetë një etapë e mëtejshme në Histori”.

“Sot bota është e përgjakur nga konfliktet që ushqehen me fenë e jetuar si krijuese të urrejtjes, dhunës, shkatërrimit. Takimi jonë – përfundon Di Segni duke folur për vizitën e Papa Françeskun në tempullin e hebrenjve në Romë – dëshiron të japë mesazhin e kundërt: dallimin fetar si dëshmi të bashkëjetesës, të garës së bashkëpunimit për mirën e të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.