2016-01-07 17:06:00

Ipeshkvi Kosovës, imzot Dodë Gjergji: shërbëtor i Zotit e afër njerëzve


Kisha katolike e Kosovës, e shënoi me kremtimin Eukaristik 10-të vjetorin e shugurimit ipeshkëvnor, të bariut të saj shpirtëror, imzot Dodë Gjergjit. Ju jubile i vogël, u mbajt në kuadrin e festës së Dëftimit të Zotit – Epifanisë, e në kuadrin e Vitit Jubilar të Mëshirës Hyjnore, me një gëzim e pritje të madhe: shenjtërimin e bijës së këtyre trevave, të së Lumes Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu, lajmëruar drejtpërdrejtë nga Papa Françesku. Po ta përshkojmë kremtimin që u mbajt në Katedralen e Prishtinës, në ora 17.00 të 5 janarit.

“Fort të dashur vëllezër meshtarë, motra të nderit, ju vëllezër e motra në kishë! Sot kemi ardhur në katedrale për të kremtuar Dëftimin e Zotit dhe për të Bekuar Ujin. Njëkohësisht, jemi këtu, sidomos unë, për ta falënderuar Hyjin, Atin tonë Qiellor për dhuratën e shenjtë, që më ka dhënë para dhjetë vjetëve, të Shugurimit Ipeshkëvnor – Bari. Dëshiroj të falënderoj Zotin së bashku me ju, me lutjet tuaja dhe gjithë kishën, e cila lutet për ipeshkvin e vet, kështu tha në fillim fjalës predikuese, Imzot Dodë Gjergji, në Meshën së martës, më 5 janar, në Katedralen  ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë, i cili në vazhdim foli gjatë për historikun, rëndësinë, veçoritë dhe mesazhin e festës së Dëftimit të Zotit, në jetën tonë të përditshme.

Duke u ndal tek Viti 2016, i sapo filluar, ipeshkvi imzot Dodë Gjergji tha se, ketë Vit të Mëshirës, këtë Vit të Hirit, Papa Françesku na e ka dhuruar të gjithëve, në këtë Kishë dhe në Kishat tjera, për t’ia hapur derën e zemrës mëshirës me të njëjtin entuziazëm të barinjve, me këngën e engjëjve, me kureshtjen e dijetarëve, dhe me dashurinë në shpirt e zemër për ta takuar Krishtin, sepse askush nuk ka të drejtë, siç tha Papa këto ditë, që ta refuzojë dashurinë që Zoti na e ka dhuruar. Kuptimi më i madh këtij Viti të Hirit, tha ai, është Shenjtërimi i Nënës Terezë, Pajtores së kësaj Kishe. Edhe kjo Kishë Katedrale do të shenjtërohet e do të shugurohet, që të jetë Shenjtorja e Shenjtës Terezë në Kosovë!!!.

Falënderoj Zotin edhe për këto dhjetë vjet pune e sakrifice, dhjetë vjet durese e gëzim, dhjetë vjet shërbimi, e dhjetë vjet me juve e me besimtarët tjerë që janë në Shqipëri! Falënderoj gjithë meshtarët e motrat që kanë bashkëndarë gëzimin me mua, e falënderoj Zotin edhe për juve besimtarë që jeni të pranishëm! Papa Françesku thotë ‘Lutuni për mua’, këtë e kërkoj edhe unë prej jush, që të ‘Lutuni për mua’, sepse lutja juaj për një ipeshkëv të shenjtë e të mire është dhurata më e madhe që mund të jepni. Me këto fjalë e përfundoi fjalën e tij, me paksa emocion, imzot Dodë Gjergji.

Një falënderim të veçantë, me rastin e dhjetë vjetorit të shugurimit ipeshkëv të Imzot Dodë Gjergjit, e dha edhe famullitari i Katedrales se Prishtinës, dom Rrok Gjonlleshaj. “Urojmë që Imzot Dodë Gjergji të ketë edhe shumë përvjetor të tjerë, si bari që kujdeset për grigjën e tij, të cilën ia ka besuar Kisha’, tha dom Rroku, sipas të cilit, puna më kapitale që e ka bërë Imzot Dodë Gjergji, është ndërtimi i Katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë, përpos punës së përditshme të kumtimit të Ungjillit e të vëllazërimit”. E vërtetë “të jesh ipeshkëv, siç tha Papa Françesku gjatë shugurimit  ipeshkëvnor të imzot Angelo De Donatis, ipeshkvit ndihmës të dioqezës së Romës, më 11 nëntorin e kaluar, nuk është nder, por shërbim. Ipeshkvi nuk mbizotëron, por shërben, sipas urdhrit të Krishtit për të gjithë dishepujt e vet”. “Kush është më i madh ndër ju, të bëhet më i vogël dhe, kush qeveris të bëhet si ai, që shërben”. E ndër këshillat e Papës për ipeshkvin e ri, i cili mori në dorë një detyrë të vështirë, por edhe fisnike qe: “Kumtoje Fjalën e Zotit në çdo rast, të volitshëm ose jo; paralajmëro, kritiko, këshillo me shpirtmadhësi e doktrinë. E, përmes lutjes e ofertës së sakrificës për popullin tënd, merr nga plotësia e shenjtërisë së Krishtit pasurinë shumëformëshe të Hirit Hyjnor”. Këtë pra, gjatë këtyre 10 vjetëve është përpjekur të bëjë edhe ipeshkvi i Kosovës, gjatë detyrës së tij  e para sfidave aktuale, duke kujtuar gjithnjë burimin e shërimit të tij në Jezu Krishtin.

Nga Prishtina Mrika-Rabie Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.