2016-01-05 08:00:00

Papa falenderon ipeshkvijtë amerikanë për ndihmën ndaj Kishës amerikanolatine


Papa Françesku shpreh mirënjohjen e vet për ipeshkvijtë amerikanë, pasi ata do tw mbledhin fonde e ndihma për Kishën në Amerikën Latine e në Karaibe. Në një letër për ta, Ati i Shenjtë e quan nismën – lindur në vitin 1966, tashmë, në vitin e saj të 50-të – “shenjë bashkimi e solidariteti”, “mjet i çmuar për mbështetjen shpirtërore e materiale” të rajonit, mënyrë për “ta përhapur Mbretërinë e Zotit, Mbretërinë e drejtësisë, të shenjtërisë e të paqes”. “Kam besim – shkruan Papa – se me përkrahjen e Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve dhe me mbështetjen e individëve të veçantë, kjo mbledhje ndihmash do të vazhdojë të sjellë fryte të shumta shpirtërore dhe dëshmi ungjillore për Kishën amerikanolatine”.

“Ta jetojmë së bashku fenë”

         Fondet mblidhen çdo vit, në muajin e janarit, me moton “Ta jetojmë së bashku fenë”. Në këtë vit, ditët e caktuara për këtë qëllim janë 23 e 24 janari. Shumat e mbledhura do të shërbejnë për të ndihmuar bashkësitë e krishtera aty ku mungojnë meshtarët, aty ku janë krejtësisht të izoluara, aty ku nuk ka mjete të mjaftueshme që besimtarët të kenë një jetë të pasur shpirtërore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.