2016-01-04 18:31:00

Toka Shenjte: nga 7 janari, vizita e ipeshkvijve SHBA-BE-Afrikë Jugore


 Ipeshkvijtë e SHBA-ve, Bashkimit Evropian, Kanadasë, Afrikës Jugore, të cilët bëjnë pjesë në Holy Land Cordination (HIc), organizëm që ndihmon Kishën në Tokën Shenjte, do të jenë më 7 deri më 14 janar 2016 në Gaza, në Betlehem e në Jordani, për të bërë një vizitë e për t’i mbështetur bashkësitë e krishtera vendase. Shtegtim ky - njofton agjencia Sir – që do të nisë nga Rripi i Gazës, ku ipeshkvijtë do të kremtojnë Meshën në famullinë e Familjes Shenjte, do të takohen me rreth 200 besimtarë dhe do të vizitojnë shkollat e krishtera si dhe institutet, që drejtojnë projektet e strehimit dhe të rehabilitimit të njerëzve të prekur nga konflikti i 2014-tës.

Parashikohet një etapë edhe në Jordani, në shenjë solidariteti me refugjatët

Është hera e tretë që ipeshkvijtë e HIc shkojnë në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.500 të krishterë, vetëm 200 prej të cilëve, katolikë. Pas Gazës, sipas programit, do të ketë një ndalesë në Betlehem e në Beit Jala, fshat i krishterë, ku Izraeli konfiskoi toka, pemishte e ullishte për ndërtimin e murit të ndarjes. Ngjarje, kjo, të cilën HIc – në të cilin bën pjesë edhe Këshilli i konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee) dhe Komisioni i konferencave ipeshkvnore evropiane (Comece) - e ndjek prej vitesh nga afër. Sivjet, veç të tjerash, ipeshkvijtë e SHBA-ve, Kanadasë e Afrikës Jugore, do të shkojnë edhe në Jordani, nga 10 deri më 14 janar, për t’u çuar edhe atje, solidaritetin refugjatëve të detyruar të ikin për shkak të konflikteve në vijim, në Siri e Irak.

Të krishterët e Tokës Shenjte nuk kërkojnë privilegje, por vetëm mbrojtjen e të drejtave të tyre

Qëllimi i HIc është të mbështesë Kishën në Tokën Shenjte përmes lutjes e shtegtimit, falë edhe punës sensibilizuese për të krishterët e Tokës Shenjte që do të bëjnë ipeshkvijtë, sapo të rikthehen në kombet e tyre, pranë qeverive, ambasadorëve, mjeteve të komunikimit, dhe opinionit publik. Për t’u nënvizuar se HIc nuk kërkon privilegje për të krishterët, “gurë të gjallë” të kësaj zone konflikti, por dinjitet e respektim të të drejtave të tyre. Koordinimi i këtij grupi dhe komunikimi, që lidhet me të, drejtohet nga Konferenca ipeshkvnore e Anglisë dhe e Wellsit. Nisma vijon nga viti 1998, çdo vit në muajin janar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.