2016-01-04 18:41:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni XV


BEATI QUI CREDIDERERUNT

Lum ata, që besuan!

Arrijmë para kornizës së skenës së XIII të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. Eshtë skena e dyshimit. Njëkohësisht, e besimit pa kushte. Skena e Tomës, dyshimtarit… Hyjmë në të, për të përforcuar fenë tonë e besimin tonë. Njihemi nga afër me Tomën, i cili, megjithëse ishte apostull, fillimisht nuk e besoi historinë e mrekullueshme të mëshirës e të faljes: për të gjithçka kishte përfunduar mbi kryq! E kështu vijon të mendojë shumëkush. Ndoshta-ndoshta edhe ndonjëri, që kapërcen këtë çast Portën Shenjte.

Por, duke vijuar shtegtimin në këtë skenë, bindemi se, përkundrazi, gjithçka fillon nga Kryqi. Fillon një histori e pakundërshtueshme dashurie, që e kërkon Palin në rrugën e Damaskut; i flet Françeskut të Asizit në kishën e varfër të Shën Damianit; vulos me plagë trupin e Atë Pios në korin e kishës së Kapuçinëve të Shën Giovanni Rotondos e vijon të trokasë në portën e shumë zemrave, edhe të zemrave tona, duke shkaktuar shndërrime të mrekullueshme. Ashtu siç i ndodhi San Girolamo Emilianit, Charles de Foucauld; të dënuarit me gijotinë, Jacques Fesch, Giovanni Papinit, Curzio Malapartes, Leonardo Mondadorit, Klaudias Koll… e shumë e shumë shpirtrave të tjerë, që ia hapën portën e zemrave Jezu Krishtit.

Hyjmë në skenë së bashku me Tomën, menjëherë pas Pashkëve, si aktorë të kësaj historie të mrekullueshme feje, që e shndërron jetën. Duke parë plagën e gozhdave e edhe të çarën e lënë nga heshta në kraharorin e Jezusit, ai brohoret: “Zoti im e Hyji im!(Gjn 20,28).

Shën Gregori i Madh e komentoi kështu ngjarjen; “Mirësia e pambaruar e Zotit vendosi që ky dishepull dyshimtar, duke prekur mbi korpin e Mjeshtrit vragët e plagëve, të shëronte plagët e mosbesimit tonë. Në të vërtetë ne, në dyshimin e Tomës, më shumë se në fenë e besimtarëve, gjejmë një arsye më shumë për të besuar” (Homelia 26,4-7).

E ashtu qoftë!

Të lutemi:

O Tomë,

apostull i dyshimit

por edhe i përvujtërisë

që  çel gonxhen e fesë

së bindur e bindëse,

lutu për ne

që duke parë plagët

e Krishtit të Kryqëzuar,

të mund të brohorasim sot:

“Zoti im e Hyji im,

Sa shumë më deshe!”

Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.