2016-01-03 18:19:00

Papa: mos e lini djallin të shkelë në portën tuaj


Ju thoni se nuk ka djall? Se dreqi është krijesë e fantazisë njerëzore? Krijesë përrallore, që tashmë ka humbur edhe atë pak aktualitet, që e kishte në ndonjë skaj të harruar të botës, ku kish shkuar të fshihet, i dëbuar nga viset e shkencës e të teknologjisë?

Ju thoni…

Po Papa na e kujtoi përsëri sot: “E keni në prag të derës, e nuk kujtoheni Në prag të asaj porte, që duhet ta hapni vetëm për Krishtin e miqtë e tij.  Djalli fshihet pas njërit nga kapakët  e saj! Ruajuni, prandaj. Kur ta hapni, ta dini kush duhet të hyjë e kush nuk duhet ta kapërcejë pragun. Një herë pragun e portës, pastaj pragun e zemrës, pragun e jetës sonë. Sepse djalli atë kërkon: të hyjë hap pas hapi nga porta, në zemër e të na e nxijë jetën.  Atëherë porta jonë mbyllet me ferrë. E nuk mund të hyjë më askush.

Fjala u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne, duke pritur t’ia hapim menjëherë portat. Po pritja jonë, që në fasha, ishte dramatike. Për të nuk u gjet portë e hapur. E iu desh të lindte në një shpellë, pa porta. Fjala e mishëruar është dritë, po njerëzit zgjodhën errësirën. E në terr të verbët, nuk panë më kush u trokiste në portë e kush kërkonte të hynte në shtëpinë e tyre. E kur gabuan e e hapën portën, mbi të cilën dikush trokiste, nuk e dalluan djallin, sepse ishte natë. I zi ai, e e zezë errësira, që kishin zgjedhur. E thanë, prandaj, se djall nuk kishte. Se ishte krijesë fantazie, për të trembur fëmijët.

Po djalli tashmë ishte aty, i zi si nata.  Mister i së keqes, kishte hyrë për të ngritur gracka, duke pritur që njerëzit të binin brenda. Nëse do të vijonin të zgjidhnin terrin, natyrisht nuk do të shikonin as ku i vinin këmbët.  E as nuk do të mund ta dallonin kush u trokiste në portë. E do t’ia mbyllnin derën jo vetëm të afërmit, por deri Birit të Zotit.

Kujdes! Të keqen e kemi gjithnjë në prag e nganjëherë e ftojmë vetë brenda shtëpive tona, mbrenda zemrave tona. Për të thënë pastaj çuditshëm: nga na vjen gjithë kjo e keqe? Kemi djallin brenda….

Po, falë mëshirës hyjnore, kemi edhe Dritëm e Zotit, së cilës duhet t’ia hapim portat në dy kapakë, për të parë Ferishten e Betlehemit e në të,  të afërmin, që  na pret. Madje edhe djallin e zi, që ikën me vrap, sepse nuk e duron dot dritën e Diellit të jetës.

Duhet t’ia hapim në dy kapakët portat e zemrës sonë, Fjalës së Zotit, për t’u bërë bijtë e tij e për të mos u trembur më nga biri i errësirës, që është aty, në terr, e pret, i ngarkuar me të gjitha sherret e mundshme, që i shikojmë ditë për ditë në botë: nga sherret e shtëpive tona, tek sherret e shtëpisë së madhe, ku banon mbarë njerëzimi.

Hapjani portën Zotit, na fton Papa. E djalli nuk do të mund të sundojë kurrë më mbi shtëpitë tuaja, e as mbi çatinë e botës, ku endet gjithnjë fantazma e së keqes, por ku, falë dashurisë së Atit për ne, tashmë ndriçon edhe Drita e Betlehemit. Kush ka sy, le të shikojë!

Mos u tallni, prandaj, me djallin, nëse nuk doni pastaj që ai të tallet me ju….

E sidomos, me Zotin, që është zotëria i jetës suaj….

Edhe këtë na e kujtoi sot Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot.








All the contents on this site are copyrighted ©.